Ndërlidhjet

Ambasada amerikane shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me presidenten Shiroka Pula

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, duke theksuar përkushtimin e saj për avancimin e prioriteteve të përbashkëta.

“Ambasada amerikane pret me kënaqësi të bashkëpunojë me Justina Shiroka Pulën, presidenten e sapozgjedhur të Republikës së Kosovës”, thuhet në një postim të Ambasadës në rrjetet sociale.

Në deklaratë theksohet se SHBA-ja mbetet e përkushtuar të punojë me institucionet e Kosovës për avancimin e prioriteteve të përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë.

Shiroka Pula u zgjodh presidente më 7 tetor, me 81 vota të deputetëve, pas një kompromisi të minutave të fundit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Zgjedhja e saj shmangu shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kompromisit i paraprinë diskutime dhe komunikime mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.

PDK-ja kishte kërkuar që, para zgjedhjes së presidentes, Kuvendi të miratonte ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kuvendi i miratoi ndryshimet me 88 vota, ndërsa më pas votoi për Shiroka Pulën - kandidaturë e propozuar nga LVV-ja dhe e mbështetur edhe nga PDK-ja.

Shiroka Pula, ekonomiste dhe akademike, ishte më herët ministre dhe deputete e PDK-së.

Para se të zgjidhej presidente, ajo drejtonte Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Në fjalën e saj pas zgjedhjes, Shiroka Pula u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se do të punojë për unitetin, drejtësinë, zhvillimin dhe forcimin e institucioneve.

Ajo theksoi se Kosova duhet të vazhdojë rrugën e saj si shtet demokratik, me orientim të qartë euroatlantik dhe me lidhje të forta me aleatët ndërkombëtarë.

​
XS
SM
MD
LG