Ndërlidhjet

Fuqitë botërore kërkojnë që Arabia Saudite dhe Irani të mos ndërhyjnë në Liban


Kryeministri i Libanit, Saad Hariri
Kryeministri i Libanit, Saad Hariri

Fuqitë botërore kanë kërkuar nga Arabia Saudite dhe Irani që të ndalojnë ndikimin në politikat e Libanit, derisa i kanë kërkuar aleatit iranian, Hezbollah, që t'i frenojë aktivitetet ushtarake në vendet fqinje.

Grupi mbështetës ndërkombëtar për Libanin, një trup që përfshin pesë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, siç janë: Britania e Madhe, Kina, Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, janë takuar në Paris më 8 dhjetor, së bashku me kryeministrin e Libanit, Saad al-Hariri, në përpjekje për ta ndihmuar atë në stabilizimin e koalicionit të lëkundur qeveritar.

Hariri nisi një krizë kombëtare gjatë muajit të kaluar, pasi njoftoi se ai do të dorëhiqej gjatë një udhëtimi në Arabinë Saudite, duke shtuar se është frikësuar nga vrasja, duke hedhur fajin tek Irani dhe Hezbollahu.

Ai akuzoi Hezbollahun, e cili është anëtar i koalicionit qeveritar, se nuk ka qenë i gatshëm për ta ruajtur neutralitetin në konfliktet rajonale.

Hezbollahu dhe Irani kanë përkrahur me vite presidentin sirian, Bashar al-Assad, në luftën e tij civile me rebelët sunitë.

Pas një presioni ndërkombëtar dhe negociatave në mes të fraksioneve politike të Libanit, Hariri ka tërhequr dorëheqjen e tij dhe më 5 dhjetor, koalicioni i tij qeveritar ka riafirmuar politikat për të qëndruar larg konfliktit në shtetet arabe.

Gjatë takimit të fuqive botërore në Paris, që ka përfshirë, Gjermaninë, Italinë dhe Egjiptin, këto vende u përpoqën të forcojnë vendosmërinë e qeverisë libaneze, duke paralajmëruar Arabinë Saudite dhe Iranin, që të mos përzihen në punët e vendit mesdhetar.

“Është e domosdoshme për të gjitha partitë në Liban dhe aktorët rajonalë, që t'i respektojnë parimet kardinale të mos-ndërhyrjes”, në shtetet e tjera, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka hapur takimin dhe për javë të tëra ka punuar për zgjidhjen e krizës në Liban, së bashku me konfliktet e tjera në rajon.

“Stabiliteti i Libanit nuk është i rëndësishëm vetëm për qytetarët e tij, por për të gjithë rajonin”, ka thënë Macron.

Hariri ka thënë se çdo shkelje e politikës së mos-ndërhyrjes, rrezikon ta ulë Libanin në “zonën e rrezikut”.

Në një deklaratë drejtuar Hezbollahut, fuqitë botërore kanë thënë se, “u bëjnë thirrje partive të Libanit që të zbatojnë një politikë të mos-ndërhyrjes në konfliktet e jashtme dhe ta kenë atë prioritet”.

Politika e Libanit për t’i qëndruar larg konflikteve të jashtme ishte deklaruar më 2012, duke synuar mospërfshirje në luftën civile në Siri.

Sidoqoftë kjo nuk e ka ndaluar Hezbollahun që të përfshihet thellë në luftën siriane.

Një tjetër kërcënim është paraqitur më 7 dhjetor, pasi Hezbollahu ka njoftuar se do të përkrahë një kryengritje të re të autoritetit palestinez, si reagim ndaj veprimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Hariri ka thënë se e kundërshton vendimin e presidentit Trump, pasi kjo, “krijon sfidë të re për sigurinë rajonale”.

“Stabiliteti i Libisë mund të duket si një mrekulli e vogël, pas shumë konflikteve që po destabilizojnë rajonin”, ka shtuar ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG