Ndërlidhjet

Arben Hoti nga REL-i fiton çmimin Kameramani më i mirë i vitit


Kameramani Arben Hoti duke pranuar çmimin nga ambasadori gjerman në Kosovë.
Kameramani Arben Hoti duke pranuar çmimin nga ambasadori gjerman në Kosovë.

Arben Hoti nga Radio Evropa e Lirë e ka fituar të martën çmimin Kameramani më i mirë i vitit.

Çmimi është ndarë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në partneritet me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe me disa organizata tjera.

Hoti është shpërblyer për mbulimin e protestës së serbëve lokalë në Zveçan, më 29 maj.

Atë ditë, serbët lokalë, në kundërshtim e sipër të hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale, në katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë përleshur me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Dhjetëra persona nga të dyja palët janë plagosur, si pasojë e përleshjeve.

Pamjet e asaj dite të kameramanit Hoti janë transmetuar, më pas, në disa prej mediumeve më të mëdha në botë, përfshirë rrjetin amerikan CNN, BBC, Le Monde, RTL, Euronews, CBS.

Për mbulimin e ngjarjeve të asaj dite, Hoti është shpërblyer edhe në nivel të kompanisë.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, i ka falënderuar të gjitha ekipet e mediave që kanë punuar në një vit, që ai e ka vlerësuar si sfidues.

Sipas Rexhës, më 2023, AGK-ja ka regjistruar numër rekord të sulmeve ndaj pjesëtarëve të mediave – 70 të tilla.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se ndarja e shpërblimeve për gazetarët, është “formë njohjeje për punën e tyre, që zakonisht kryhet në kushte të vështira".

Çmimet tjera

Alberta Hashani nga Instituti i Kosovës për Drejtësi fitoi çmimin e gazetares së vitit, ndërsa atë të gazetarit të vitit e fitoi Vullnet Krasniqi nga Nacionale.

Çmimin për materialin më të mirë televiziv e fituan Valon Fana dhe Behar Mustafa.

Vjosa Çerkini nga Deutsche Welle fitoi çmimin për materialin më të mirë në fushën e sportit.

Çmimin për materialin më të mirë në fushën e shëndetësisë e fitoi gazetarja Saranda Ramaj.

Çmimin për materialin më të mirë në kategorinë e anti-gjipsizmit e fituan Besarta Hoti dhe Herolind Ademi.

Çmimin për materialin më të mirë në kategorinë për fuqizimin e gruas e fituan Dardan Hoti dhe Aulonë Kadriu.

Çmimin për materialin më të mirë në kategorinë e uebit e fitoi Aulonë Kadriu.

XS
SM
MD
LG