Ndërlidhjet

Armenia raporton për katër ushtarë të vrarë nga forcat azerbajxhanase


Një ushtare etnike armene në Nagorno-Karabak. Fotografi nga arkivi.
Një ushtare etnike armene në Nagorno-Karabak. Fotografi nga arkivi.

Katër ushtarë armenë janë vrarë dhe një tjetër është plagosur nga zjarri i hapur nga Azerbajxhani në orët e hershme të 13 shkurtit. Shkëmbimi i zjarrit ndodhi në një prej seksioneve jugore të kufirit mes dy shteteve, tha Ministria e Mbrojtjes së Armenisë.

Këto janë përleshjet e para të armatosura pas disa muajsh.

Ministria armene tha forcat e armatosura azerbajxhanase hapën zjarr në orën 05:30 ndaj një pozicioni ushtarak armen në drejtim të fshatit Nerkin Hand në provincën Sunik, duke vrarë dy ushtarë. Më vonë, ky institucion tha se numri i viktimave ishte katër dhe një i plagosur.

“Njësitë e forcave të armatosura azerbajxhanase hapën zjarr me armë të vogla drejt pozicioneve luftuese armene afër fshatit Nerkin Hand”, tha Ministria e Mbrojtjes së Armenisë përmes një deklarate.

Autoritetet armene nuk kanë publikuar detaje të tjera, por kreu i fshatit Nerkin Hand, Khachatur Baghdasarian, tha për Shërbimin Armen të Radios Evropa e Lirë se situata në këtë fshat ishte e tensionuar.

Në përgjigje, Shërbimi Kufitar i Azerbajxhanit tha përmes një deklarate se forcat azerbajxhanase “shkatërruan plotësisht” një post kufitar armen në Nerkin Hand gjatë “një operacioni hakmarrës”, pasi Bakuja akuzoi trupat armene se hapën zjarr më 12 shkurt në drejtim të pozicioneve azerbajxhanase në qarkun Zangelan. Bakuja pretendoi se gjatë këtij incidenti, një roje kufitare azerbajxhanase u plagos.

Armenia mohoi akuzat duke i cilësuar si “dezinformata”.

Incidenti i fundit ndodhi pas rënies së madhe të përleshjeve ndërkufitare në mes Armenisë dhe Azerbajxhani që nga vjeshta e vitit të kaluar, pasi Azerbajxhani mori kontrollin e plotë të rajonit të shkëputur të Nagorno-Karabakut.

Marrja e këtij rajoni u bë përmes një ofensive të shpejtë ushtarake të realizuar më 19 dhe 20 shtator, që bëri që mbi 100.000 armenë etnikë të largohen nga Karabaku.

Muajin e kaluar, zyrtarët e lartë armenë dhe azerbajxhanas mbajtën bisedime për shënjimin e kufirit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, që është një pengesë kyçe për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes mes dy vendeve.

Të dyja shtetet – që kanë zhvilluar dy luftëra për kontrollin e Karabakut, në vitet ’90 dhe më 2022 – janë shprehur se janë të gatshme të nënshkruajnë marrëveshjen e paqes, që do t’i jepte fund armiqësisë dekadëshe, por palët kanë akuzuar njëra-tjetrën se po e zvarrisin arritjen e paktit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG