Ndërlidhjet

Arrest shtëpiak për shefen e SHISH-it, dikur zëvendësdrejtore e AKI-së

Ndërtesa e Shërbimit Informativ të Shtetit në Tiranë, Shqipëri.
Ndërtesa e Shërbimit Informativ të Shtetit në Tiranë, Shqipëri.

Prokuroria e Posaçme në Shqipëri ka kërkuar që drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, të pezullohet nga detyra dhe të vendoset në arrest shtëpiak, në kuadër të një hetimi për dosjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sipas burimeve, Hyseni është përfshirë në hetimin që lidhet me biznesmenin Ergys Agasi, një prej personave kyç të dosjes së AKSHI-t, i cili është arrestuar pak kohë më parë.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK-u, Gjykata e Posaçme apo Policia e Shtetit për masën ndaj Hysenit.

Vlora Hyseni është veçanërisht e njohur në Kosovë, pasi para se të merrte drejtimin e SHISH-it në Shqipëri, kishte mbajtur një pozitë të lartë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Ajo ishte zëvendësdrejtoreshë e AKI-së nga viti 2019 deri në qershor të vitit 2021, kur u shkarkua nga detyra nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Hyseni kishte punuar për disa vite në AKI, fillimisht si drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas si zëvendësdrejtoreshë.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e saj, më 30 qershor 2021, nuk u dhanë hollësi për arsyet e vendimit. Në atë kohë, Qeveria tha se vendimi ishte mbështetur në ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Në komunikatë përmendej fakti se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.

Në vitin 2023, Hyseni u emërua në krye të SHISH-it në Shqipëri. Në atë kohë, opozita shqiptare i kërkoi presidentit Bajram Begaj që, para dekretimit të saj, të merrte informacione për arsyet e shkarkimit të Hysenit nga AKI-ja.

Hetimi për AKSHI-n

Hetimi ku është përfshirë Hyseni lidhet me dosjen e AKSHI-t, institucionit qendror që administron dhe zhvillon infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Qeverisë shqiptare.

Ergys Agasi është një nga personat e dyshuar në këtë çështje, e cila lidhet me dyshime për grup të strukturuar kriminal dhe mashtrime me tenderë publikë.

Në të njëjtin hetim është përfshirë edhe biznesmeni Ermal Beqiraj, i cili është arrestuar në Francë. Hetimet kanë përfshirë disa zyrtarë dhe biznesmenë.

Gjykata ka caktuar masa sigurie edhe ndaj zyrtarëve të AKSHI-t. Ish-drejtoresha e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, është vendosur në arrest shtëpiak, ndërsa zëvendësja e saj është lënë nën masën e detyrimit për paraqitje në polici.

Agasi dyshohet për disa vepra penale, përfshirë konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqjen e paligjshme të lirisë, shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë ose ankande publike, grupin e strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Në kuadër të këtij hetimi, SPAK-u ka urdhëruar sekuestrimin e 52 pasurive dhe llogarive bankare, me vlerë mbi 40 milionë euro. Pasuritë lidhen me Karçanajn, Agasin, Beqirajn dhe persona të tjerë.

Mes pasurive të sekuestruara janë banesa në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, troje, sipërfaqe toke, llogari bankare dhe një jaht.

Operacioni i SPAK-ut është ende në zhvillim.

Krahas Hysenit, po ushtrohen kontrolle edhe ndaj drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili është paraqitur në SPAK të martën në mëngjes. Hetimet përfshijnë edhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit.

Për këto zhvillime nuk ka pasur ende reagim nga Qeveria e Shqipërisë.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar që presidenti Bajram Begaj të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, reagoi duke thënë se aksioni i SPAK-ut dëshmon, sipas tij, për përfshirjen e strukturave shtetërore në veprimtarinë e krimit të organizuar.

“SHISH dhe Policia e Shtetit nën shërbimin e krimit të organizuar”, shkroi Bardhi.

XS
SM
MD
LG