Ndërlidhjet

Më shumë se 100 të arrestuar që nderuan Navalnyn në Rusi


Policia ruse duke arrestuar një person që vendosi lule për Aleksei Navalnyn në memorialin për viktima të shtypjes politike. Shën Petersburg, 16 shkurt 2024.
Policia ruse duke arrestuar një person që vendosi lule për Aleksei Navalnyn në memorialin për viktima të shtypjes politike. Shën Petersburg, 16 shkurt 2024.

Autoritetet ruse kanë arrestuar më shumë se 100 persona më 16 shkurt në 10 qytete ruse, sipas OVD-Info, përderisa qytetarët në mbarë vendin kujtuan politikanin opozitar, Aleksei Navalny.

OVD-Info tha se 56 persona u dërguan në mbajtje në disa qarqe të Shën Petersburgut, ku policia shpërndau njerëzit që ishin mbledhur. Një fotograf i Novaya Gazeta dhe një korrespondent i RusNews ishin në mesin e të arrestuar.

Edhe 15 të tjerë u arrestuan në Nizhni Novgorod dhe 11 në Moskë, shkroi në ueb-faqe OVD-Info, duke përmendur numrin dhe emrat e të gjithë të arrestuarve.

Në shtatë qytete të tjera, po ashtu ka pasur të arrestuar, sipas OVD-Info.

Në Moskë, policia doli në monumentin për viktimat e shtypjes politike që gjendet në sheshin Lubjanka.

Sipas Kommersant, të paktën 1.000 persona shkuan te memoriali dhe vendosën lule dhe shënime në nderim të Navalnyt.

Një memorial spontan po ashtu u shfaq afër një shtëpie në Moskë, ku Navalny kishte jetuar para se të arrestohej.

Pasi u bë publik nga autoritetet ruse lajmi për vdekjen e Navalnyt në burg, memoriale spontane u ngritën edhe në qytete të tjera, sikurse në Novosibirsk, Uljanovsk dhe Kirov.

Në Novosibirsk, një banore lokale mbajti në duar një poster ku shkruante “Kush e ka radhën”. Policia e mori në pyetje, por nuk e arrestoi.

Por, ndryshe ngjau me një grua në Murmansk, e cila po ashtu mbajti një protestë me një person – protestë e lejuar nga autoritetet ruse – dhe mbajti një pankartë ku shkruhej: “Gjaku i tij është në duart tuaja, Vova”, një referencë për presidentin rus, Vladimir Putin. Sipas News Beware, ajo u arrestua.

Policia bllokoi një memorial në Novosibirsk, sipas postimeve në Telegram. Në Uljanovsk, njerëz me rroba civile hoqën lulet e vendosura pranë një fotografie të Navalnyt.

Një person është arrestuar edhe në Minks të Bjellorusisë. SOTA raportoi se Dmitry Kuchuk, lider i partisë së ndaluar të Gjelbërve u arrestua teksa tentoi të vendoste lule në një memorial për Navalnyn para Ambasadës ruse.

Shërbimi Federal të Burgjeve i Rusisë në rajonin Yamalo-Nenets tha të premten se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen dhe se vdiq pasi iu ofrua ndihma mjekësore.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e Navalny, tha se Putini dhe bashkëpunëtorët e tij nuk do të shpëtojnë pa u ndëshkuar nëse konfirmohet vdekja e raportuar e burrit të saj.

Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta luftojë së bashku “regjimin e tmerrshëm” në Rusi, duke folur Konferencën e Sigurisë në Munih.

Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit. Presidenti amerikan ka bërë përgjegjës Putinin për vdekjen e raportuar të Navalnyt.

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, është mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.

Në gusht, Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë, dhe u dënua me 19 vjet burgim shtesë.

Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG