Ndërlidhjet

Arrestime të reja për rastin Ivanoviq


Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, gjatë një aksioni të mëhershëm në veri të vendit.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës, gjatë një aksioni të mëhershëm në veri të vendit.

Policia e Kosovës, në orët e mëngjesit të së mërkurës, ka zhvilluar një operacion në Mitrovicën Veriore, me ç’rast ka arrestuar dy persona, konfirmojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një konferencë për medie të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit, ka theksuar që operacioni i së mërkurës, në të cilin kanë qenë të përfshirë rreth 100 pjestarë të Policisë së Kosovës, ndërlidhet me rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Operacioni, sipas tij, ka përfshirë tri lokacione në Mitrovicën Veriore, ku sipas urdhëresës së Gjykatës janë kryer kontrolle dhe bastisje ndaj personave të dyshuar lidhur me veprat: pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar, sipas Kodit Penal të Kosovës.

“Në bazë të urdhër-kontrollit është arritur që të arrestohet i dyshuari, zyrtar policor, me inicialet R.B, mashkull, serb, kosovarë, i përfshirë në urdhër-kontroll , përderisa i dyshuari i dytë, po ashtu zyrtar policor, i cili ka qenë në kërkim, nuk është hasur nga policia. Gjatë realizimit të këtij operacioni policor, është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar, por që nuk ka qenë i përfshirë në urdhër-kërkim. Por, arrestimi i tij është bërë mbi dyshimin e bazuar që në atë lokacion ku është takuar personi, është gjetur një armë”, ka thënë Kelani.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës ende është në kërkim të një personi, ndërkaq që gjatë operacionit ka arritur të konfiskojë 6 armë, prej të cilave 2 zyrtare, por edhe pajisje të ndryshme elektronike dhe të tjera.

Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh që gjatë aksionit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri të vendit, të mërkurën, është arrestuar zyrtari i policisë, Rade Basare. Ndërkaq në Rudarë, është arrestuar Vasilije Bojiq, që është i biri i shefit të operativës së Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Zheljko Bojiq.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, ka theksuar që zyrtari policor i arrestuar të mërkurën, është intervistuar nga ai dhe tashmë ka parashtruar në Gjykatën Themelore kërkesën për caktimin paraburgimit. Ndërkaq, sipas tij, personi tjetër, tek i cili është gjetur një armë zjarri dhe dyshohet për vepër penale të armëmbajtjes pa leje, pas intervistimit është lëshuar në liri.

Prokurori Hoxha ka theksuar se në veriun e Kosovës ekzistojnë grupe kriminale të organizuara mirë dhe të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, për të cilin, sipas tij, është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar.

“Në shkresat e lëndës, me të cilat ne disponojmë, grupi kriminal i Milan Radoiçiqit është mjaft i organizuar dhe ka ndikim, për fat të keq edhe në Policinë e Kosovës, por edhe në strukturat tjera komunale apo shtetërore të asaj pjese. Prandaj, ndaj këtyre dy personave, për të cilët i kemi zgjeruar hetimet para dy apo tre ditëve, janë persona, të cilët ne i konsiderojmë dhe kemi prova që edhe këta kanë punuar dhe vepruar nën urdhrat e Milan Radoiçiqit dhe të grupit të tij”, tha Syla.

Ai ka shtuar se personat për të cilët janë zgjeruar hetimet dhe për personin ndaj të cilit është kërkuar caktimi i paraburgimit, dyshohen se nuk i kanë kryer veprimet e duhura procedurale ose me qëllim i kanë fshehur disa veprime që është dashur t’i ndërmarrin apo t’i sigurojnë provat në raste të ndryshme të vrasjeve dhe jo vetëm në rastin e vrasjes së Ivanoviqit.

Video nga arkivi: Pamje nga vendi ku u vra Oliver Ivanoviq

Pamje nga vendi ku u vra Oliver Ivanoviq
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:49 0:00

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka thënë Radios Evropa e Lirë që gjatë ditës së enjte do të mbajë seancën dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit për Rade Basaran.

Në anën tjetër, lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës në veri të vendit, kanë reaguar autoritetet e Serbisë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se qëllimi i këtij aksioni ka qenë “arrestimi i shefit të operativës së Policisë së Kosovës, Zheljko Bojiq, por djalin e tij Vasilije Bojiq e kanë dërguar në drejtim të panjohur”.

Siç ka thënë ai, autoritetet e Kosovës po dëshirojnë t’i fajësojnë serbët për vrasjen e Ivanoviqit.

Lidhur me aksionin e sotëm të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ka reaguar edhe Lista Serbe.

Përmes një komunikate për media, ky subjekt politik e ka cilësuar aksionin e policisë si “ndërhyrje brutale të formacioneve të armatosura të shqiptarëve në veri të Kosovës, me qëllim të frikësimit të popullit serb në Kosovë dhe tërheqjes së vëmendjes së opinionit shqiptar nga tentimi i pasuksesshëm i Prishtinës për t’u anëtarësuar në INTERPOL”.

“Ndërhyrja e sotme dhe arrestimet e pabazë të bashkëqytetarëve tanë është thjeshtë demonstrim i dhunës së egër të Prishtinës mbi qytetarët e pafajshëm, ndaj të cilës bashkësia ndërkombëtare po hesht”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe, e cila ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve.

Iniciativa qytetare “Liri, Demokraci Drejtësi”, kryetar i së cilës ka qenë Oliver Ivanoviq, përmes një komunikate ka deklaruar që kanë kaluar 21 muaj që nga vrasja e liderit të kësaj Iniciative.

“Organet hetuese po deklarohen në mënyrë sporadike, gjë që po krijon përshtypjen te qytetarët se deklaratat e tyre po shfrytëzohen vetëm për veprime të caktuara politike”, thuhet në deklaratën e Iniciativës qytetare “Liri, Demokraci Drejtësi”.

*Video nga arkivi: Pamje nga ceremonia e varrimit të Oliver Ivanoviqit

Varroset Oliver Ivanoviq
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:09 0:00

Gjithashtu, në komunikatë është thënë që “pushteti i ri në Kosovë, po paralajmëron që për prioritet do ta kenë luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se të gjitha komunitetet në Kosovë duhet të presin që të përmbushet ky premtim, ndërkaq që Iniciativa ‘LDD’ pret që të gjenden dhe procedohen urdhëruesit dhe vrasësit e Oliver Ivanoviqit”.

Më herët, organet e hetuesisë së Kosovës, patën deklaruar se hetimet për ndriçimin e vrasjes së Ivanoviqit janë duke vazhduar, por që ato nuk po përfundojnë me sukses për shkak se autoritetet përgjegjëse të Beogradit nuk po bashkëpunojnë.

Sipas autoriteteve të Kosovës, i dyshuari kryesor për vrasjen e Ivanoviqit është Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe.

Autoritetet e Serbisë, kanë hedhur poshtë këto pohime, duke thënë se Radoiçiq është intervistuar nga prokurorët në Beograd dhe se, sipas tyre, nuk është vërtetuar që ai ka marrë pjesë në këtë vrasje.

Disa ditë pas vrasjes së Oliver Ovanoviqit, autoritetet e Kosovës ia kishte dërguar katër kërkesa Qeverisë së Serbisë, por përgjigjet e palës serbe, sipas autoriteteve të Kosovës, janë kthyer të pakompletuara. Gjithashtu, autoritetet e Serbisë kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës shkëmbim informacionesh rreth hetimeve.

Por, deri më tash më shumë janë shënuar fajësime reciproke sesa bashkëpunim i ndërsjellë.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018 në Mitrovicën e Veriut para selisë së partisë së tij. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

XS
SM
MD
LG