Ndërlidhjet

Arrihet një konsensus për votimin e demarkacionit


Kufiri Kosovë - Mali i Zi
Kufiri Kosovë - Mali i Zi

Partitë politike në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, por edhe partia politike opozitare Lidhja Demokratike Kosovës, kanë arritur një konsensus për votimin e demarkacionit.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli, në një postim në Facebook, ka konfirmuar një pajtim për ta votuar demarkacionin në seancën e së mërkurës.

Ai i ka falënderuar partitë e koalicionit, si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës për bashkëpunimin, që sipas tij, duhet t'i përcjellë edhe në procese tjera.

“Sapo kemi arritur konsensusin për të ratifikuar Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Dëshiroj të falënderoj kryeministrin Haradinaj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe zëvendëskryeministrin Pacolli, për gatishmërinë për konsensus dhe për dialogun shumë konstruktiv. Ky bashkëpunim duhet të na përcjellë edhe në procese të tjera të rëndësishme për vendin”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Arritjen e kësaj marrëveshjeje e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga Qeveria e Kosovës. Në një deklaratë për media nga kryeministria thuhet se "Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj konfirmon për qytetarët e Republikës së Kosovës se nga koalicioni qeverisës është mënjanuar pengesa e fundit politike, për unitet politik në Parlament", thuhet në deklaratë.

Aty thuhet se po ashtu Ligji përmban Marrëveshjen e gushtit 2015, deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviq, si dhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka mirëpritur gatishmërinë e partive të koalicionit për të pranuar propozimin e LDK-së lidhur me projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi.

"Kjo e hap rrugën që sa më parë në Kuvendin e Kosovës të ratifikohet kjo marrëveshje dhe të kërkojmë nga BE-ja që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm, sikurse qytetarët e vendeve të tjera të rajonit", tha Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së.

Hoti tha për Radion Evropa e Lirë se bashkë me ligjin në fjalë dhe para se deputetët ta votojnë këtë marrëveshje, pra në formë informuese do t'i ketë të gjitha raportet e komisioneve.

"Do të jenë informuese për orientimin e deputetëve të gjitha raportet e komisioneve shtetërores të themeluara në qeverinë paraprake dhe në këtë qeveri. Është raporti i komisionit Meha[ Murat Meha], është raporti i komisionit ndërkombëtar themeluar nga ish- presidentja Atifete Jahjaga, është raporti i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe është raporti Bulliqi [Shpejtim Bulliqi]. Krejt këto janë raporte që deputetët do t'i kenë në dispozicion për t'i shqyrtuar, lexuar dhe më pas të japin votën për këtë marrëveshje", tha Hoti.

LDK-ja, tha Hoti, fton edhe subjektin politik Lëvizja Vetëvendosjen që të bashkohet në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.

Arritjen e konsensusit ndërmjet partive politike e ka përshëndetur edhe i pari i vendit, presidenti Hashim Thaçi.

"Marrëveshja e sotme e partive politike për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës", ka shkruar Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka uruar partitë politike dhe liderët e tyre për konsensusin për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Apostolova ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave. Apostolova ka ftuar edhe subjektin politik Lëvizja Vetëvendosje dhe Listën Serbe që ta mbështesin marrëveshjen e cila është marrëveshje për të gjithë në Kosovë.

​Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shprehur zhgënjimin e tyre ndaj kësaj marrëveshjeje dhe kryeministrit Haradinaj. ​Deputeti Xhelal Sveçla në një postim në Facebook tha se, "pasi iu nënshtrua PDK-së, e sot iu gjunjëzua pa kushte edhe LDK-së, Ramush Haradinaj ka mbetur vetëm edhe Murat Mehës t'i kërkojë falje".

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka caktuar për të mërkurën seancën e jashtëzakonshme për votimin e Marrëveshjes së Demarkacionit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG