Ndërlidhjet

Çfarë solli vizita e Markoviqit për Demarkacionin?


Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Rezultatet e vizitës së kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq në Kosovë, po komentohen në mënyra të ndryshme nga analistët politikë. Theks i veçantë u kushtohet sidomos deklaratave rreth çështjes ende të papërfunduar të Demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Markoviq, ua ka rikujtuar liderëve politikë në Prishtinë, se për Podgoricën zyrtare, Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Kosovën është përmbyllur me ratifikimin e saj në Kuvendin e Malit të Zi.

Por, me vetë faktin se Kosova nuk e ka ratifikuar atë, e kishte lënë të hapur mundësinë e diskutimeve për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja vendet, siç ka thënë ai, mike.

Haradinaj dhe Markoviq flasin për Demarkacionin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

Analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj mendon se gatishmëria për të diskutuar, paraqet një mundësi që palët të arrijnë deri te zgjidhja e problemit që po zgjatë që nga viti 2015.

“Dhe pikërisht këtu unë mendoj se është edhe çelësi i zgjidhjes së kësaj dileme që po na mundon tashmë tre vjet si qytetar të Kosovës”.

“Mendoj se të dyja vendet kanë bërë hapa konkret në këtë proces. Kemi parasysh këtu vizitat e zyrtarëve tjerë të lartë të shtetit të Kosovës, siç është vizita e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe vizita e tashmë e shefit të Qeverisë së Malit të Zi”, tha Mushkolaj.

Këto vizita dhe takime diplomatike, sipas tij, paraqesin një lloj konfirmimi se megjithatë mund të ketë rrugë për dalje nga kriza dhe për arritjen e këtij qëllimi mund të ndihmojë edhe Mali i Zi.

Mushkolaj thotë se institucionet e Republikës se Kosovës duhet ta shfrytëzojnë këtë situatë, respektivisht gatishmërinë e Malit të Zi, në mënyrë që të kalojnë Marrëveshjen për demarkacion në Kuvend.

“Kjo nënkupton se Marrëveshja aktuale për demarkacionin duhet të kalojë në Kuvend. Po ashtu, nënkupton se të dyja vendet duhet të merren vesh në një marrëveshje tjetër që mund të jetë marrëveshje ndërqeveritare, e cila pastaj mund të ratifikohet në parlamentet përkatëse se si të rregullohen çështjet që mund të jenë problematike, e duket se ka çështje të tilla, në mes të të dyja shteteve sa i përket përcaktimit të vijës”, thekson Mushkolaj.

Por, ndryshe mendon analisti tjetër i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri. Ai thotë se në bazë të deklaratave, nuk kishte ndonjë ndryshim në qëndrimet e kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviq dhe as të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Për fat të keq nuk pati asnjë sinjal shpresëdhënëses që çështja e Demarkacionit do të përfundojë shpejtë. Pati deklarata me diskurs të mjegulluar diplomatik, por jo ndonjë qëndrim të qartë i cili do të ishte tejet i mirëpritur për qytetarët e Kosovës”, tha Muhaxhiri.

Zgjidhja e çështjes së Demarkacionit, sipas Artan Muhaxhirit, mbetet tek vullneti i spektrit politik në Kosovë.

“Çështja e Demarkacionit varet nga pala kosovare dhe jo nga pala e Malit të Zi. Sepse pala malaziase vazhdimisht është shprehur e gatshme për të bashkëpunuar me palën kosovare, përderisa nuk ka një rifillim të tërësishëm të procesit të Demarkacionit”, thotë Muhaxhiri.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq të mërkurën është takuar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, kurse të enjten ka zhvilluar takime me presidentin, Hashim Thaçi dhe më kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të diskutuara në skenën politike të Kosovës.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë të Austrisë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Ndryshe, ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, tani për tani, praktikisht është i bllokuar në Kuvendin e Kosovës, për shkak të kundërshtimeve të një pjese të partive politike në pushtet, por edhe një pjese të opozitës, të cilët po vlerësojnë se më anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.

Javëve të fundit janë shtuar thirrjet e mekanizmave ndërkombëtarë drejtuar liderëve të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Megjithatë, çështja e Demarkacionit mbetet ende e hapur në aspektin ndërkombëtar, përderisa Kosova nuk e ka ratifikuar marrëveshjen.

XS
SM
MD
LG