Ndërlidhjet

Markoviq e Haradinaj nuk e zgjidhin Demarkacionin, e lënë çështje të hapur


Haradinaj dhe Markoviq flasin për Demarkacionin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

Për Malin e Zi, Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Kosovën është rrumbullakuar me ratifikimin e saj në Kuvend, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Këto komente, ai i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi që zhvilluan në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

“Kur është fjala për Malin e Zi, çështja e Marrëveshjes së demarkacionit është e rrumbullakuar (përmbyllur) me ratifikim në Kuvend, kurse në Kosovë, Kuvendi nuk e ka ratifikuar atë”, tha Markoviq.

“Ne si shtet mik i Kosovës duam që të zgjidhet kjo çështje. Nuk duam që të krijohen probleme”, theksoi kryeministri i Malit të Zi.

“Mendoj se do të gjejmë zgjidhjet më të mira që ta kemi marrëveshjen e ratifikuar”, theksoi ai, duke shtuar se me këtë hap, Kosova do të përfitonte edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Megjithatë, çështja e demarkacionit mbetet ende e hapur ne aspektin ndërkombëtar, përderisa Kosova nuk e ka ratifikuar marrëveshjen.

Pikërisht rreth çështjes së Demarkacionit, ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në Prishtinë njihet edhe si kundërshtari më i ashpër i Marrëveshjes së nënshkruar në gusht të vitit 2015 nga ana e ish-ministrit të Jashtëm të Jashtëm të Kosovës, përkatësisht presidentit aktual Hashim Thaçi, me mbështetjen e ish-kryeministrit Isa Mustafa.

“Ka një vullnet të mirë që të gjendet dalja nga gjendja në të cilën jemi dhe kam shpresë se do të gjendet një zgjidhje”, tha Haradinaj, duke mos dhënë detaje tjera.

Ndërkaq, Markoviq tha se “Mali i Zi nuk ka probleme me Kosovën”.

“Kemi disa çështje të hapura, por të cilat do të gjejmë përgjigje cilësore në të ardhmen”, theksoi Markoviq.

Sipas tij, çështjet e tilla nuk mund të zgjidhen në afate të shpejta, por të dyja vendet kanë treguar përkushtimin që të tejkalohen me marrëveshje të drejta.

“Në emër të Qeverisë, mund ta konfirmojë miqësinë mes Malit të Zi dhe Kosovës”, tha Markoviq. Ai tha se e mbështetë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimeve ndërkombëtare, sidomos në integrimin e saj në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Mali i Zi, si një vend anëtar i NATO-s, theksoi Markoviq, mund t’i ndihmojë Kosovës në mënyrë praktike marrë parasysh që ka kaluar tashmë rrugën e anëtarësimit.

Të dy kryeministrat janë zotuar për thellimin e bashkëpunimit në fushat e ndryshme ekonomike.

Kryeministri i Malit të Zi ka kërkuar që komunitetit malazias në Kosovë, të njihet me Kushtetutë, me çka do të njihej si pakicë kombëtare. Sipas tij, kryeministri Haradinaj i kishte premtuar rregullimin e statusit të komunitetit malazias në Kosovë.

Markoviq tha se nuk ka ardhur në Prishtinë për ndonjë marrëveshje, por u shpreh i bindur se Qeveria e Kosovës do të zgjidhë problemin me statusin e komunitetit malazias.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh se vizita e Markoviqit, paraqet një moment historik për Kosovën dhe Malin e Zi, vende këto që kanë raporte të mira që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këndej.

Duke u ndërlidhur me pozitën e komunitetit malazias në Kosovë, Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës po zbaton një plan aksionar, sipas të cilit do të dalin edhe rezultate konkrete.

“Në Kosovë ka një unitet që të respektohen kërkesat e komunitetit serb. Vonesat nuk janë rezultat i kundërshtimit të njohjes së komunitetit malazias me Kushtetutë, por më shumë është problemi i ndryshimit të Kushtetutës”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, të enjten do të zhvillojë takime edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Kjo vizitë, ishte paralajmëruar të realizohej javën e kaluar, por ishte shtyrë për shkak të kushteve atmosferike.

Pritjet e spektrit politik në Prishtinë nga kjo vizitë, ishin që të kuptohet edhe njëherë pozicioni i Malit të Zi në raport me Demarkacionin e kufirit, duke shpresuar se Podgorica zyrtare do të mund të pajtohej me një deklaratë të përbashkët, në bazë të së cilës, të dy shtetet do të zotoheshin se do ta shqyrtonin edhe njëherë Demarkacionin, nëse gjatë fazës së ardhshme të shënjimit të vijës kufitare, dëshmohet se a janë bërë lëshime apo gabime me marrëveshjen e vitit 2015.

Marrëveshjen e vitit 2015, në Kosovë po e mbështesin shumica e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetët nga radhët e partive joserbe. Kurse nuk mbështetet nga deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ata të Nismës për Kosovën dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes. Përderisa nga Lista Serbe janë deklaruar se Demarkacioni nuk paraqet ndonjë interes të veçantë për komunitetin serb.

Pretendimet e Haradinajt dhe spektrit politik që nuk e mbështesin versionin aktual të Demarkacionit, janë se marrëveshja e vitit 2015, si pasojë i shkakton humbje territoriale Kosovës, prej 8 mijë hektarësh.

Një gjendje e tillë në Kuvend, me pozicionimet për dhe kundër, po e pamundëson arritjen e 80 votave për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, të cilën Komisioni Evropian ia ka vënë kusht Kosovës për procesin e liberalizimit të vizave.

XS
SM
MD
LG