Ndërlidhjet

Qendra e kontestuar në Nish pritet të përforcohet me aeroplanin rus Ilyushin

Një aeroplan rus i tipit Ilyushin Il-76, i përdorur për shuarjen e zjarreve dhe që operohet nga Ministria ruse për Mbrojtjen Civile përgatitet të hedhë ujë mbi një zjarr pyjor në Deliblatska Peshçara, rreth 70 kilometra në verilindje të Beogradit, Serbi, më 20 gusht 2026.
Një aeroplan rus i tipit Ilyushin Il-76, i përdorur për shuarjen e zjarreve dhe që operohet nga Ministria ruse për Mbrojtjen Civile përgatitet të hedhë ujë mbi një zjarr pyjor në Deliblatska Peshçara, rreth 70 kilometra në verilindje të Beogradit, Serbi, më 20 gusht 2026.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka paralajmëruar nga Moska se një aeroplan rus për shuarjen e zjarreve, i tipit Ilyushin, mund të zhvendoset në Serbi gjatë muajve të verës.

Përveç zhvendosjes së aeroplanit, në takimet me zyrtarët rusë është diskutuar edhe për organizimin e trajnimeve të përbashkëta.

Daçiqi ka deklaruar se Serbia dhe Rusia do të jenë "miq përgjithmonë", në kohën kur procesi i integrimit evropian të Serbisë po ngec edhe për shkak të marrëdhënieve të saj me Kremlinin.

Takimi i ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, me zëvendëskryetarin e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, më 15 tetor 2026.
Takimi i ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, me zëvendëskryetarin e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, më 15 tetor 2026.

Për Marko Savkoviqin, nga organizata joqeveritare Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (Fondi ISAC), me seli në Beograd, dërgimi i aeroplanit rus është një mënyrë për të dëshmuar praninë e Rusisë në Serbi.

"Praninë dhe fuqinë e saj të butë, të cilat janë shumë të rëndësishme për Moskën", thotë ai.

Aeroplani rus Ilyushin mori pjesë këtë verë në shuarjen e disa zjarreve në Serbi, me ftesë të autoriteteve serbe. Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan edhe disa ekipe me helikopterë nga Bashkimi Evropian.

Sipas paralajmërimit të Daçiqit në Instagram, aeroplani rus pritet të vendoset vitin e ardhshëm në Nish, në jug të Serbisë, gjatë gjithë sezonit veror.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se mundësia e vendosjes së aeroplanit në Qendrën Humanitare Serbo-Ruse në Nish ishte një nga temat kryesore të takimeve të Daçiqit.

Bojana Zoriq, nga Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS), thotë se paralajmërimi për vendosjen e mundshme të aeroplanit rus ngre pyetje të reja për funksionimin e Qendrës në Nish.

Për shkak të dyshimeve se kjo qendër mund të ketë edhe rol të inteligjencës apo të përfshihet në aktivitete hibride, institucionet evropiane kanë kërkuar disa herë nga Serbia sqarime për veprimtarinë e saj.

Parlamenti Evropian ka kërkuar më shumë transparencë në funksionimin e Qendrës, ose mbylljen e saj.

"Edhe pse aktivitete të tilla nuk janë dëshmuar publikisht, paralajmërimet për zgjerimin e pranisë ruse e rikthejnë çështjen e transparencës, mbikëqyrjes dhe përdorimit të mundshëm të dyfishtë të qendrës", thotë Zoriq.

Qendra u themelua para 14 vjetësh, në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore. Moska e përshkruan atë si qendrën "më të rëndësishme në Ballkan" për reagim ndaj emergjencave dhe fatkeqësive natyrore.

Autoritetet serbe dhe Qendra Humanitare Serbo-Ruse në Nish nuk u janë përgjigjur kërkesave të mëhershme të Radios Evropa e Lirë për informacion mbi veprimtarinë e Qendrës dhe mënyrën se si shpenzohen fondet që ajo merr nga buxheti i Serbisë.

Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë ka zbuluar se gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Qendra ka marrë afro 2.3 milionë euro nga buxheti i Serbisë.

Çfarë sjellin trajnimet e përbashkëta?

"Jemi marrë vesh që gjatë këtij viti të mbahen dhjetë trajnime të përbashkëta, gjysma e të cilave tashmë janë realizuar", ka deklaruar Daçiqi.

Pas takimit me Dmitrij Koçnjevin, drejtorin e Shërbimit Federal të Mbrojtjes së Rusisë, Daçiqi ka thënë se me këtë institucion zhvillohen disa nga trajnimet dhe kurset më të rëndësishme ndërkombëtare të specializuara.

Sipas tij, më shumë se 3.000 persona kanë ndjekur trajnime në Qendrën Humanitare Serbo-Ruse gjatë pesë vjetëve të fundit, në kuadër të bashkëpunimit mes dy ministrive.

Bojana Zoriq thotë për Radion Evropa e Lirë se bashkëpunimi ndërkombëtar policor nuk është diçka e pazakontë, por paralajmëron se thellimi i tij me Rusinë ngre shqetësime të caktuara për sigurinë.

Sipas saj, trajnimet e përbashkëta, shkëmbimi i përvojave dhe kontaktet institucionale mund të krijojnë kanale të qëndrueshme ndikimi brenda strukturave të sigurisë.

"Prandaj, çështja nuk është vetëm se çfarë informacionesh shkëmben sot Serbia me Rusinë, por edhe në çfarë mase një bashkëpunim i tillë i formëson, në planin afatgjatë, prioritetet e saj të sigurisë dhe lidhjet institucionale", thotë Zoriq.

Daçiqi e ka përshkruar bashkëpunimin mes ministrive të Brendshme si intensiv.

Ai ka thënë se bashkëpunimi zhvillohet mes njësive të policisë kriminalistike, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, si dhe përmes trajnimeve të përbashkëta në këto fusha.

Serbia ka nënshkruar disa dokumente bashkëpunimi me Rusinë në fushën e punëve të brendshme. Të gjitha këto marrëveshje janë nënshkruar para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.

Tani, ministri në detyrë, Ivica Daçiq, thotë se Serbia dhe Rusia do të vazhdojnë bashkëpunimin që kanë ndërtuar ndër vite.

Ai e ka cilësuar bashkëpunimin në fushën e punëve të brendshme si "me interes të veçantë për qytetarët".

Megjithatë, Zoriq thekson se ky bashkëpunim duhet të shihet në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës, aktiviteteve të shërbimeve ruse të inteligjencës në Evropë dhe tensioneve gjithnjë e më të mëdha të sigurisë mes Rusisë dhe Bashkimit Evropian.

Në të njëjtën kohë, Serbia bashkëpunon në fushën e policisë dhe sigurisë edhe me BE-në, përfshirë agjencitë Europol dhe Frontex, si dhe në fushën e drejtësisë përmes Eurojust-it.

"Këto forma bashkëpunimi përfshijnë operacione të përbashkëta, hetime ndërkufitare dhe shkëmbim informacionesh të ndjeshme operative", thotë ajo.

Serbia mes Brukselit dhe Moskës

Gjatë vizitës në Moskë, Daçiqi është takuar edhe me nënkryetarin e Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitrij Medvedev.

Sipas njoftimit të autoriteteve në Beograd, ata kanë diskutuar për zhvillimet dhe sfidat gjeostrategjike, duke theksuar se i vlerësojnë lart marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në takimet e Daçiqit në Moskë është ritheksuar se Serbia dhe Rusia do ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen.

Por, Bojana Zoriq paralajmëron se kjo nuk është vetëm çështje e marrëdhënieve dypalëshe mes Serbisë dhe Rusisë.

Sipas saj, bëhet fjalë edhe për përputhshmërinë afatgjatë të politikës serbe të sigurisë me kornizën evropiane të sigurisë.

Ajo vëren se Serbia synon integrim gjithnjë e më të thellë në institucionet evropiane të sigurisë, ndërkohë që ruan marrëdhënie të ngushta me institucionet përkatëse ruse.

"Një qasje e tillë mund t'i mundësojë Beogradit që, në planin afatshkurtër, të ruajë marrëdhëniet me të dyja palët, por në planin afatgjatë bart rrezikun e dobësimit të besimit të partnerëve evropianë dhe të vështirësimit të mëtejshëm të integrimit evropian të Serbisë", thotë Zoriq.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat e anëtarësimit në BE që nga dhjetori i vitit 2021.

Nga një prej vendeve prijëse në procesin e integrimit evropian, ajo ka rënë ndër vendet që kanë mbetur më prapa në këtë proces.

Ndër arsyet kryesore janë refuzimi i Serbisë për t'iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë dhe prapakthimi në fushën e sundimit të ligjit.

Beogradi zyrtar e arsyeton refuzimin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë me miqësinë tradicionale mes dy vendeve, varësinë nga gazi rus dhe mbështetjen politike të Moskës për kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

Në raportin e vitit 2025, Komisioni Evropian ka paralajmëruar se Serbia vazhdon të mbajë kontakte intensive dhe të shpeshta me Rusinë.

Sipas Komisionit, këto kontakte, së bashku me mosvendosjen e sanksioneve ndaj Moskës, ngrenë pikëpyetje për orientimin strategjik të Serbisë dhe përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian.

"Pyetje të ngjashme mund të ngrihen sërish në raportin e ardhshëm për vitin 2026, pasi veprimet e deritanishme të Beogradit nuk tregojnë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në politikën e tij ndaj Moskës", thotë Zoriq.

Çfarë rreziqesh sjell bashkëpunimi me Moskën?

Bojana Zoriq thotë se rreziqet e mundshme nga bashkëpunimi mes Serbisë dhe Rusisë janë kryesisht të natyrës së inteligjencës dhe asaj institucionale.

Ajo thekson se bashkëpunimi në fusha të ndjeshme, si policia kriminalistike, lufta kundër krimit kibernetik dhe trajnimet e përbashkëta, ngre pyetje për natyrën e informacioneve që shkëmbehen.

"Çfarë qasjeje kanë zyrtarët rusë në strukturat e sigurisë së Serbisë dhe a ekzistojnë mekanizmat e duhur për mbrojtjen e të dhënave të ndjeshme?", pyet ajo.

Zoriq shton se edhe në rastet kur nuk ka shkëmbim të drejtpërdrejtë të informacioneve konfidenciale, bashkëpunimi afatgjatë institucional mundëson njohje më të mirë të procedurave të sigurisë, metodave operative dhe kapaciteteve të shtetit partner.

"Por, edhe krijimin e kanaleve shtesë të ndikimit politik dhe të sigurisë", përfundon ajo.

Beogradi është paralajmëruar disa herë nga Brukseli dhe Uashingtoni për marrëdhëniet e tij me Moskën.

Megjithatë, Serbia dhe Rusia kanë vazhduar ta forcojnë bashkëpunimin mes strukturave të tyre të sigurisë.

Për këtë bashkëpunim kishte folur edhe drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, Sergej Narishkin, gjatë një takimi në Moskë me ish-zëvendëskryeministrin serb, Aleksandar Vulin.

Narishkin kishte theksuar "ndikimin e Vulinit në zhvillimin e marrëdhënieve mes shërbimeve serbe dhe ruse", gjatë kohës kur ai kishte ushtruar funksionet e ministrit të Mbrojtjes, ministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).

Marko Savkoviq, nga Fondi ISAC në Beograd, thotë se Serbia mund të bashkëpunojë me Rusinë edhe në fusha të tjera, më pak të ndjeshme.

"Por Rusia dëshiron ta përfshijë Serbinë më shumë në marrëveshje të ndryshme të sigurisë dhe mbrojtjes, sepse në këtë mënyrë tregon se Serbia vazhdon të jetë partnerja e saj në Ballkanin Perëndimor", thotë Savkoviq.

Mesazh për votuesit nga Sheshi i Kuq

Daçiqi, i cili udhëheq Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), po qëndron në Moskë në ditët e fundit të fushatës zgjedhore.

Ai është bartës i listës së koalicionit të udhëhequr nga SPS-ja në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.

Në një video të publikuar në Instagram, Daçiqi ka dërguar mesazhin: "Nga Sheshi i Kuq, për fitoren e të kuqve".

E kuqja është ngjyra e partisë së tij, e cila gjatë një dekade e gjysmë ka qenë partnere e koalicionit të Partisë Përparimtare Serbe dhe ish-presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tani është kandidat për kryeministër.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar së fundmi se beson që Vuçiqi do të jetë kryeministri i ardhshëm i Serbisë.

Sipas Putinit, Vuçiqi ndjek një politikë të përmbajtur dhe tregon gatishmëri për bashkëpunim me Rusinë, gjë që Moska e vlerëson.

Në postimet e tij nga Moska, Daçiqi ka thënë gjithashtu se Dmitrij Medvedev, udhëheqës i partisë në pushtet Rusia e Bashkuar, i ka uruar fitore Vuçiqit dhe listës së tij.

"Mendoj se Rusia llogarit seriozisht në SPS-në dhe udhëheqësit e saj si partnerë edhe në të ardhmen", vlerëson Marko Savkoviq nga Fondi ISAC.

Në tubimin zgjedhor të SPS-së, të mbajtur më 11 tetor në Arenën e Beogradit, është brohoritur slogani: "Serbë e rusë, vëllezër përgjithmonë".

Që nga themelimi i saj në vitin 1990, nën udhëheqjen e Slobodan Millosheviqit, SPS-ja është konsideruar parti me orientim prorus.

Megjithëse vizita e Daçiqit në Moskë u zhvillua vetëm një javë para zgjedhjeve, ai ka këmbëngulur se ajo ishte planifikuar fillimisht për në mars, por ishte shtyrë për në vjeshtë për shkak të problemeve shëndetësore, gjatë të cilave ishte shtruar edhe në spital.

​
XS
SM
MD
LG