Ndërlidhjet

Iran: Balena e Kaltër cilësohet lojë “satanike” pas vetëvrasjes së një vajze


Loja Balena e Kaltër, foto nga arkivi
Loja Balena e Kaltër, foto nga arkivi

Autoritetet e Iranit e kanë fajësuar sfidën e errët në mediat sociale, të njohur si Balena e Kaltër (Blue Whale), për kërcime vetëvrasëse nga ana e dy vajzave të reja, duke e vënë në fokus këtë fenomen në internet, pasi loja kushtimisht ishte lidhur me vetëvrasjet në gjithë botën, por që ajo ende mbetet e mjegulluar me misteriozitet.

Në incidentin e parë të raportuar të këtij lloji në Iran, policia tha se dy femra të reja kanë kërcyer nga një urë në qytetin qendror, Isfahan, para disa ditësh, me ç’rast njëra ka vdekur, ndërsa tjetra është dërguar në spital në gjendje kritike.

Disa politikanë iranianë ndaj këtyre raporteve për lojën Balena e Kaltër janë përgjigjur me thirrjet për shtimin e kontrollit ndaj internetit nga ana e autoriteteve, që aktualisht filtrohet në masë të madhe nga Qeveria e dominuar nga klerikët iranianë dhe censorët e saj.

Mehdi Masoom Beigi, shefi i policisë në Isfahan, tha se autoritetet e kanë zbuluar një audio mesazh që mendohet se ishte incizuar nga vajzat, ku ato u thonë lamtumirë prindërve të tyre dhe zbulojnë se do të vriten për ta përfunduar lojën, Balena e Kaltër, ka raportuar agjencia e lajmeve për gjyqësi, Mizan Online.

Balena e Kaltër – akte të vetëlëndimit

Në lojën Balena e Kaltër, po ashtu e njohur si Sfida Balenës së Kaltër paraqitet një “mjeshtër” anonim duke dhënë detyra të vetëlëndimit për pjesëmarrësësit gjatë një periudhe prej 50 ditësh.

Këto detyra thuhet se bëhen gjithnjë e më të rrezikshme, prej shikimit të filmave të tmerrit e deri te vetëdëmtimi.

Në ditën finale, pjesëmarrësit inkurajohen që ta përfundojnë lojën duke kryer vetëvrasje. Shfrytëzuesit janë të inkurajuar që të postojnë fotografi të sfidave të tyre ditore në internet.

Disa vetëvrasje dhe përpjekje për vetëvrasje, tash për tash, janë lidhur me këtë lojë, megjithqë një inspektim më i afërt në asnjë rast nuk ka gjetur ndonjë lidhje vendimtare.

Emri i lojës është referencë për balenat, pasi mendohet se ato ndonjëherë qëllimisht dalin nga uji në tokë dhe ngordhin.

“Idetë satanike”

Ministri për Teknologjinë Informative i Iranit, Azari Jahromi, në rrjetin Instagram ka thënë se ishte i “shokuar” dhe ka kërkuar më tepër mbikëqyrje të prindërve ndaj përdorimit të mediave sociale nga ana e të rinjëve.

Në muajin shtator, ministri Jahromi, tha se loja Balena e Kaltër, ishte e inspiruar nga “idetë satanike” dhe ka shprehur përkushtim që ministria e tij do të përpiqet ta parandalojë depërtimin e saj në Iran duke e ashpërsuar kontrollin ndaj internetit.

Gjatë viteve të fundit, Republika Islamike e Iranit, e ka bllokuar qasjen në rrjetin, YouTube, dhe në rrjetet e tjera perëndimore, siç janë Facebook dhe Twitter.

Kjo ka bërë që autoritetet në Iran e kanë krijuar filtrin më të madh për internet në botë, megjithqë shtetasit iranianë vazhdojnë t’i pëdorin faqet perëndimore në internet, nëpërmjet mjeteve, siç janë rrjetet private virtuale (VPNs).

Incidenti më 21 të këtij muaji ka shkaktuar përhapje të shqetësimeve në mesin e përdoruesve iranianë të mediave sociale.

Në etapën e 26-të loja Balena e Kaltër ju thotë: ne do të kontaktojmë me ju për të shpallur kohën e vdekjes suaj. Ju duhet ta pranoni këtë. Le të kujdesemi për të rinjtë tanë”, ka shkruar në rrjetin Twitter, regjisorja e filmit, Ghazale Soltani.

Origjinë ruse?

Loja Balena e Kaltër duket se kishte filluar në Vkontakte, që është një rrjet social në internet, që përdoret gjërësisht në Rusi.

Në një artikull shumë të kritikuar në muajin maj të këtij viti, e përditshmja moskovite, Novaya Gazeta, ka pretenduar se “pjesa më e madhe” e afro 130 vetëvrasjeve të të rinjëve në Rusi, në periudhën prill - nëntor të vitit 2016, ishin të ndërlidhura me lojën Balena e Kaltër.

Raportet e menjëhershme pas këtij artikulli e kanë vlerësuar të rrejshëm këtë vleerësim, ndërsa agjencitë e zbatimit të ligjit dhe ekspertët kanë shprehur kujdes për atribuimin e vdekjeve me lojën.

Shumë aktivistë rusë pajtohen se duhet të ketë më tepër fokus për faktorët që ndikojnë në interesimin e të rinjëve për këtë lojë, ndërsa shumë politikanë kanë argumentuar se ky fenomen duhet të çojë në më tepër kufizime në internet.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG