Bashkimi Evropian sërish ka bërë thirrje për pezullimin e rrënimeve të objekteve pranë Liqenit të Ujmanit, për të cilat autoritetet e Kosovës thonë se janë ndërtuar pa leje.
Në Bruksel u përsërit edhe një herë keqardhja për këto veprime, ndërsa u ritheksua apeli që rrënimet të pezullohen derisa gjykatat kompetente të marrin një vendim përfundimtar.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, deklaroi në konferencën e rregullt për media në Bruksel se BE-së i vjen keq për rrënimin e shtëpive, veçanërisht pasi kërkesat për pronësi janë ende në shqyrtim gjyqësor.
“BE-ja u bën thirrje institucioneve të Kosovës të ndalojnë çdo rrënim të mëtejmë dhe të punojnë me banorët e prekur dhe autoritetet lokale për të gjetur zgjidhje ligjore dhe të qëndrueshme”, tha Hipper.
Ajo shtoi se “çdo hap i pakthyeshëm, përfshirë rrënimet, duhet të pezullohet derisa gjykata kompetente të ketë dhënë një vendim përfundimtar për kërkesat e pazgjidhura”.
Veprimet e autoriteteve të Kosovës kanë nxitur reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ditë më parë, përfaqësues diplomatikë të disa vendeve shprehën shqetësim për vendimin e autoriteteve kosovare për rrënimin e disa shtëpive buzë Liqenit të Ujmanit.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë i kërkoi Prishtinës t'i ndërpresë rrënimet, duke shprehur keqardhje për aksionin. Shqetësim shprehën edhe Ambasada e Gjermanisë dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Rrënimi i shtëpive dhe objekteve hoteliere të ndërtuara në tokë publike, e cila administrohet nga Ndërmarrja Publike Hidroekonomike "Ibër-Lepenc", nisi në gjysmën e dytë të muajit korrik, kur u rrënuan më shumë se dhjetë objekte.
Vazhdimi i rrënimeve po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të pronarëve dhe thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për pezullimin e tyre.
Për rrënimet e javës së kaluar, pronarët u ankuan se autoritetet kosovare nuk i kishin respektuar procedurat ligjore.
Po ashtu, Serbia, përmes Zyrës së saj për Kosovën, ka reaguar ashpër kundër rrënimeve, duke e cilësuar si pjesë të një politik që synon “shkatërrimin, uzurpimin e gjithçkaje që është serbe” në Kosovë.
Më herët, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka pranuar tri padi civile kundër Ndërmarrjes Publike "Ibër-Lepenc", që lidhen me procesin e rrënimeve.
Sipas ekspertëve ligjorë në Kosovë, Ligji për pronën publike përcakton qartë se mbi pronën publike nuk mund të fitohet e drejta e pronësisë përmes parashkrimit fitues dhe as përmes ndërtimit të objekteve në kundërshtim me legjislacionin që rregullon të drejtën e ndërtimit.
Liqeni i Ujmanit gjendet në komunën e Zubin Potokut – një nga katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. Ai konsiderohet infrastrukturë strategjike për Kosovën, pasi shërben për furnizimin me ujë, prodhimin e energjisë elektrike dhe ujitjen.
Ndryshe, që nga viti 2024, autoritetet në Kosovë kanë nisur mbylljen e institucioneve serbe, duke i cilësuar ato si paralele dhe të paligjshme. Veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri shpesh janë përballur me kritika nga faktori ndërkombëtar.