Ndërlidhjet

Schmid ia rikujton Haradinajt se Demarkacioni është kusht për liberalizimin


Helga Shmid dhe Ramush Haradinaj në konferencën e përbashkët për media
Helga Shmid dhe Ramush Haradinaj në konferencën e përbashkët për media

Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, mbetet kusht që duhet plotësuar sa më parë, në mënyrë që qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja pa viza në Zonën Shengen, ka deklaruar Sekretarja e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Helga Schmid.

Këto komente, ajo i ka bërë në Prishtinë gjatë një konference për media e shoqëruar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Ajo, përveç Haradinajt, ka takuar edhe presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe përfaqësuesit politikë të opozitës.

Schmid ka u ka bërë thirrje përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës që sa më par t'i kryejnë obligimet që kanë marrë përsipër, përfshi edhe reformat e nevojshme, në mënyrë që vendi të ecë drejt Bashkimit Evropian.

Kosova është Evropë dhe e ardhmja e Kosovës është me Bashkimin Evropian, ka deklaruar ajo.

"Mesazhi im i sotëm, si për përfaqësuesit në Qeveri ashtu edhe ata në opozitë është që të shfrytëzoni momentumin, mendoni në mënyrë strategjike dhe shfrytëzoni mundësitë që t’i bëni përparimet e duhura që të afroheni me BE-në sa më shpejt që është e mundur",tha Schmid.

Ajo rikujtoi fjalët e komisionari Jean-Claude Juncker se dyert e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor janë të hapura kurdo që këto shtete t’i plotësojnë kushtet për anëtarësim.

Schmid, u ndal edhe te procesi i liberalizimit të vizave, si një prej çështjeve që vazhdon të mbetet e pazgjidhur në raportet e Kosovës me vendet e Bashkimit Evropian. Ajo tha se Kosova, duhet t’i plotësojë kriteret, duke ratifikuar Demarkacionin me Malin e Zi.

"Ne gjithashtu e dimë se sa i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Prandaj, është esenciale që autoritetet të përmbushin kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave dhe në veçanti në ecjen përpara me Marrëveshjen për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, që është absolutisht çështje kryesore, dhe po ashtu lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vazhdojë", u shpreh Schmid.

Ndërkaq në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja, ajo tha se të dyja vendet duhet të avancojnë për të mirën e stabilitetit në rajon.

"Dialogu po jep rezultatet e veta dhe ashtu siç e kemi parë këtë javë është zbatuar Marrëveshja për drejtësinë dhe ky ishte një hap i rëndësishëm përpara. Më lejoni që t'ju konfirmoj se përfaqësuesja e lartë e BE-së, Fererica Mogherini është plotësisht e përkushtuar për fazën e re të dialogut", tha Schmid.

Ajo tha gjithashtu se edhe implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian ka një rëndësi të madhe dhe, sipas saj, absolutisht është e nevojshme që të zbatohet.

Implementimi i kësaj marrëveshjeje ka të bëjë me ndryshimet pozitive për të ardhmen e Kosovës.

"Kjo marrëveshja ka të bëjë veç tjerash me standardin e jetës, përmirësimin e jetës, çka nënkupton më shumë investime dhe me shumë vende pune", tha Schmid.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova është e vendosur në zbatimin e detyrave që i janë caktuar.

Dinamika e Kosovës me BE-në po intensifikohet. Mendoj se edhe takimi i sotëm me zonjën Schmid që është Sekretare e Përgjithshme vërteton edhe rëndësinë e kësaj dinamike, por është edhe një shtyrje për një punë më intensive me zbatimin e agjendës evropiane për Kosovën, që fokusohet në reforma të përgjithshme, forcimin e rendit dhe ligjit, pra që ka në fokus luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend, e njëkohësish reformën ekonomike që e kemi si detyrë të përbashkët të dakorduar", tha Haradinaj.

Sekretarja e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, Helga Schmid, është takuar me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, por edhe përfaqësuesit e partive politike opozitare të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

XS
SM
MD
LG