Vendimi i Komisionit Evropian për t’ua mbyllur programin kryesor të arsimit, Erasmus+, njerëzve që jetojnë në Rusi, është kritikuar nga disa përfaqësues të opozitës ruse. Ata kanë shprehur frikën se ky vendim, në fakt, do t’i shërbejë agjendës së presidentit rus, Vladimir Putin, për ta izoluar edhe më tej vendin nga Evropa.
Ky vendim, i cili shihet si përpjekje shtesë për të ushtruar trysni ndaj Moskës për shkak të luftës së saj në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, u publikua më 18 nëntor, në udhëzuesin e përditësuar të programit Erasmus+.
Në dokument thuhet se “organizatat me seli në Rusi dhe individët që banojnë në Rusi, nuk mund të marrin pjesë në asnjë nga aktivitetet e këtij programi, në çfarëdo cilësie”.
Pas këtij vendimi, kritiku i Kremlinit që jeton në mërgim, Mikhail Khodorkovsky, shkroi në rrjetet sociale se “Putini ka kaluar vite duke i shkëputur rusët nga Evropa. Komisioni Evropian sapo e ndihmoi atë”.
“Edhe gjatë Luftës së Ftohtë, demokracitë zhvillonin shkëmbime arsimore me Bashkimin Sovjetik. Ato besonin në fuqinë tërheqëse të shoqërive të tyre dhe e kuptonin se si funksionon pushteti i butë: përjetimi i jetesës në një mënyrë tjetër, mund ta arrijë atë që ndalimet nuk mund ta arrijnë”, shtoi Khodorkovsky.
Pushteti i butë i BE-së
I themeluar në vitin 1987 dhe me një buxhet vjetor prej më shumë se pesë miliardë eurosh, Erasmus+ lidhet kryesisht me shkëmbimet e studentëve universitarë brenda dhe jashtë bllokut evropian. Programi ofron gjithashtu financim për vullnetarizëm, shkëmbime të stafit dhe partneritete arsimore ndërmjet institucioneve në mbarë Evropën.
Pasi Kremlini i nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë në fillim të vitit 2022, BE-ja i përjashtoi nga Erasmus+ universitetet dhe organizatat e tjera arsimore të Rusisë, të cilat merrnin të paktën gjysmën e financimit nga shteti.
Megjithatë, BE-ja ua pranoi të diplomuarve në Rusi të drejtën për të aplikuar individualisht në program. Zyrtarët evropianë argumentonin se të rinjtë rusë duhej të kishin ende mundësinë ta shihnin Evropën “ashtu siç është në të vërtetë”, përtej propagandës gjithnjë e më negative të mediave shtetërore ruse.
Kjo mundësi përfshinte edhe ndjekjen e programeve të studimeve master në universitetet evropiane, deri në dy vjet, si dhe përfitimin e bursave për të mbuluar shpenzime, si: qiraja dhe kostot e tjera të jetesës.
Pas vendimit të ri, nga viti 2027 kjo nuk do të jetë më e mundur.
Megjithatë, programi do të vazhdojë të jetë i qasshëm për ata që janë regjistruar në vitin 2025 ose 2026, si dhe për shtetasit rusë që banojnë në vendet evropiane.
Kirill Martynov, kryeredaktor i gazetës “Novaya Gazeta Europe”, e cila operon nga kryeqyteti i Letonisë, Riga, dhe financohet kryesisht nga Perëndimi, paralajmëroi në një postim në rrjetet sociale se BE-ja duket se ka hequr dorë nga Rusia dhe, në vend të kësaj, po ndërton rreth saj “një hendek me krokodilë”.
Ai shtoi se një “evropian parapëlqen të besojë se Rusia nuk ekziston: se ajo nuk ka të ardhme, se proceset politike brenda saj janë të dënuara me ngecje, se asgjë nuk do të ndryshojë kurrë dhe se nuk ka kuptim të vazhdohet diskutimi për këtë çështje”.
Komisioni Evropian e ka mbrojtur vendimin.
“E kuptojmë se të rinjtë nuk janë përgjegjës për luftën në Ukrainë”, tha për REL-in Eva Hrncirova, zëdhënëse e Komisionit Evropian për çështjet e arsimit. “Prandaj, edhe pas fillimit të luftës, ne i bëmë të mundshme shkëmbimet arsimore”.
“Por, meqë po e shtojmë trysninë ndaj Rusisë dhe po shohim se Putini vazhdon të vrasë njerëz në Ukrainë, duhet të ndërmarrim hapa të mëtejshëm. Prandaj, tani po i kufizojmë të gjitha shkëmbimet në kuadër të Erasmus+”, tha Hrncirova.
Ajo shtoi se Ukraina do të mbetet prioritet i programit edhe në vitet e ardhshme.
Gjatë pesë vjetëve të fundit, Kievi ka përfituar 270 milionë euro financim për studentët dhe organizatat arsimore ukrainase. Brukseli ka financuar gjithashtu shtypjen e më shumë se 1.5 milion librave shkollorë ukrainas, për t’u mundësuar fëmijëve vazhdimin e arsimimit gjatë luftës.
Më pak aplikantë nga Rusia në Erasmus+
Ndërkohë, një zyrtar i BE-së, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht, i tha REL-it se janë dy arsye për kufizimin e qasjes së rusëve në program.
Së pari, numri i aplikantëve ka rënë ndjeshëm. Në pesë vjetët e fundit, në program kanë marrë pjesë vetëm rreth 1.300 persona nga Rusia, krahasuar me më shumë se 13.000 gjatë periudhës 2014-2020.
Së dyti, rusët që përfituan nga Erasmus+ e shfrytëzuan programin kryesisht për të studiuar në Serbi dhe Turqi, vende që nuk janë anëtare të BE-së, dhe ku udhëtimi ishte më i lehtë, pasi nuk kërkohej të ndiqej e njëjta procedurë për marrjen e vizës si për hyrjen në zonën Shengen të BE-së.
Sipas zyrtarit, zgjedhja e këtyre destinacioneve “e humbiste qëllimin” e synimit fillestar të Brukselit, kur vendosi t’ua vazhdonte të rinjve rusë mundësinë për të përfituar nga programi Erasmus+.
Përjashtimi i personave që jetojnë në Rusi nga programi Erasmus+ vjen në kohën kur Brukseli po synon të kufizojë edhe më tej mundësinë e udhëtimit drejt BE-së për kategori të ndryshme të shtetasve rusë.
Paketa e ardhshme e sanksioneve të BE-së, të cilën e ka parë REL-i dhe që u është prezantuar vendeve anëtare të bllokut në fillim të kësaj jave, propozon ndalimin e dhënies së vizave turistike të BE-së për ish-ushtarët rusë, vazhdimin e ndalimit të pjesëmarrjes së sportistëve rusë në garat brenda bllokut nën simbolet kombëtare të Rusisë, si dhe vështirësimin e lëvizjes brenda BE-së për diplomatët rusë të akredituar në vendet anëtare.