Ndërlidhjet

Samiti BE-Ukrainë mbahet mes alarmeve për sulme ajrore nga Rusia


Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shtrëngojnë duart gjatë Samitit BE-Ukrainë, në Kiev, më 3 shkurt.
Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen shtrëngojnë duart gjatë Samitit BE-Ukrainë, në Kiev, më 3 shkurt.

Ukraina ka bërë "përpjekje të rëndësishme" në përparimin drejt anëtarësimit, por Kievi duhet të zbatojë më shumë reforma, u tha në një deklaratë të përbashkët pas diskutimeve në Samitin e Bashkimit Evropian dhe Ukrainës të mbajtur në Kiev, më 3 shkurt.

“BE njeh përpjekjet e rëndësishme që Ukraina ka treguar muajt e fundit”, thuhet në deklaratë.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u takuan të premten, më 3 shkurt, në Kiev me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Në rendin e ditës ishte mbështetja evropiane për Kievin në prag të përvjetorit të pushtimit rus, si dhe anëtarësimi i Ukrainës në BE.

Ky takim historik në Kiev u mbajt teksa alarmet për sulme ajrore ruse dëgjoheshin në kryeqytet dhe në mbarë Ukrainën.

Alarmet më 3 shkurt u ndalën pas më pak se dy orëve dhe nuk pati raportime të menjëhershme për ndonjë sulm ajror nga Rusia. Muajve të fundit, sulmet me raketa ruse kanë shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin elektrik të Ukrainës, në mes të dimrit të ftohtë, si dhe kanë marrë jetën e mijëra njerëzve.

Në këtë takimi të nivelit të lartë në Kiev midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqjes së BE-së u afirmua mbështetja e Bashkimit Evropian për Kievin përballë pushtimit të Rusisë dhe kërkesës së Ukrainës për anëtarësim në bllokun 27-anëtarësh.

Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, që udhëheq liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së, siguroi Ukrainën për mbështetjen e palëkundur të bllokut si kundër agresionit të Rusisë, ashtu edhe në rrugën e saj drejt integrimit përfundimtar në Bashkimin Evropian.

"Nuk do të ketë asnjë pengesë në vendosmërinë tonë. Ne gjithashtu do t'ju mbështesim në çdo hap të rrugëtimit tuaj drejt BE", tha Michel, i cili mbërriti në Kiev më 3 shkurt.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila shkoi në Kiev më 2 shkurt me një ekip prej 15 komisionerësh, njoftoi në një konferencë të përbashkët shtypi me Zelenskyn se BE-ja do ta godasë Rusinë me sanksione të reja.

Zelensky më 2 shkurt se Ukraina meriton të fillojë bisedimet e pranimit në BE këtë vit. Ai tha se integrimi i mëtejshëm do të frymëzonte ukrainasit dhe do t'u jepte "motivim" për të luftuar kundër trupave ruse.

Ukrainës iu dha statusi i kandidatit në qershor të vitit 2022.

Megjithatë, Brukseli ka qenë i vendosur në qëndrimin e tij, se vendit do t'i duhet të zbatojë një gamë të gjerë reformash demokratike dhe ekonomike dhe të çrrënjosë korrupsionin nga institucionet përpara se të pranohet dhe se procesi i anëtarësimit mund të zgjasë shumë vite.

Zelensky është zotuar të luftojë korrupsionin e rrënjosur në vend, që ka dobësuar efektivitetin e institucioneve shtetërore edhe pse vendi po përballet me luftë.

Shtëpitë e disa zyrtarëve të lartë u bastisën nga agjentë anti-korrupsion, dhe shumë zyrtarë institucionalë u shkarkuan ose dhanë dorëheqje.

Von der Leyen përgëzoi qeverinë ukrainase për marrjen e masave të shpejta kundër korrupsionit.

"Vendosmëria juaj për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian është mbresëlënëse," tha ajo. "Ndihem e ngushëlluar kur shoh se organet tuaja kundër korrupsionit janë në gatishmëri dhe efektive në zbulimin e rasteve të korrupsionit... Ju përgëzoj gjithashtu që reagoni kaq shpejt në nivel politik për t'u siguruar që lufta kundër korrupsionit po jep rezultate të prekshme”, tha von der Leyen.

Lufta në Ukrainë filloi më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën një “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës.

Perëndimi iu përgjigj Rusisë me sanksione të ashpra.

Si rezultat i luftës në Ukrainë, mijëra njerëz kanë vdekur, ndërkaq miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG