Ndërlidhjet

PDK i kërkon Qeverisë ta trajtojë me urgjencë projektligjin për Specialen

Grupi Parlamentar i PDK-së në Kuvendin e Kosovës
Grupi Parlamentar i PDK-së në Kuvendin e Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, kërkoi që projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të trajtohet me përgjegjshmëri dhe urgjencë nga Qeveria e cila e ka pritet të jap një vlerësim.

“Presim që Qeveria ta bëjë punën e saj sot, dhe nesër, ose pasnesër, këto ditë, ta sjellë projektligjin në Kuvend”, tha Tahiri, duke shpresuar që ta ketë mbështetjen me votë sikurse edhe deklarata që miratoi Kuvendi të hënën.

Kjo nismë ligjore është dërguar për mendim në Qeverinë e Kosovës më 25 shtator, pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit të legjislaturës së 11-të.

Radio Evropa e Lirë gjatë së hënës i ka kërkuar përgjigje Qeverisë se kur pritet të ia përcjellë Kuvendit mendimin rreth projektligjit për Specialen, por ende nuk ka pranuar përgjigje.

Nga partia që udhëheq me ekzekutivin, Lëvizja Vetëvendosje [LVV], kanë thënë se po e shqyrtojnë në aspektin juridik propozimin e PDK-së.

Ndërkaq, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë gjatë ditës se nëse miratohet projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, subjekti më i madh opozitar në Kosovë është i hapur të diskutojë për temat e tjera me LVV-në.

Në një deklarim për media para seancës së të hënës në Kuvendin e Kosovës, Hamza tha se për këtë projektligj ka diskutuar edhe me kryeministrin Albin Kurti, në një takim të mbajtur të dielën.

Sipas Hamzës, në takimin me kreun e LVV-së, Kurti, është biseduar edhe çështja e zgjedhjes së presidentit, por pa diskutuar rreth emrave të mundshëm.

“Nuk kemi shkuar për emrat, nuk i kemi folur, nëse kalohet ligji jemi të hapur edhe për tema tjera", tha ai.

Hamza shtoi se duhet pritur ditët në vijim për të kuptuar nëse LVV mbështet këtë projektligj, i cili, sipas tij, është domosdoshmëri për PDK-në dhe prioritet për historinë dhe të ardhmen e Kosovës.

“Ne nuk po kërkojmë që të ndalet drejtësia, ne jemi kundër padrejtësisë”, tha Hamza, ndërsa shtoi se as partitë e tjera nuk kanë arsye për të mos e mbështetur.

PDK-ja dorëzoi projektligjin në Kuvend më 21 shtator, disa ditë pasi ajo që njihet si Gjykata Speciale e Kosovës dënoi me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte katër ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK): Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen nga Gjykata në Hagë të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa nga LVV-ja thanë se do të shqyrtojnë fillimisht në aspektin juridik.

Shefja e deputetëve të LDK-së, tha se në të ardhmen do të kuptohet qëndrimi i LDK-së në lidhje me projektligjin e propozuar nga PDK, sapo ta pranojnë zyrtarisht tekstin e projektligjit

“Duhet të bëjmë të gjitha analizat e mundshme, deri tani nuk kemi pasur procedimin zyrtar të projektligjit”, tha Lushaku pas seancës plenare të së hënës.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se projektligjin e PDK-së e ka dërguar te një ekip ekspertësh, por ende nuk mund të japë një vlerësim për përmbajtjen e tij.

Megjithatë, ajo pati kritika që për të nuk ka pasur konsultime, duke shtuar se do të ishte më e drejtë që ai të hartohej nga Komisioni për legjislacion ose paraprakisht të konsultohen ekipet mbrojtëse të katërshes së UÇK-së dhe ekspertë të fushës.

​
XS
SM
MD
LG