Ndërlidhjet

Besimtarët ortodoksë festojnë Krishtlindjet në kohën e përçarjeve të brendshme


Besimtarët ortodoksë ndezin qirinjtë në një kishë në Baku të Azerbajxhanit. 7 dhjetor, 2019.

Të krishterët ortodoksë festojnë Krishtlindjet më 7 janar, teksa besimtarët janë mbledhur në Moskë, Betlehem, Jerusalem, Kajro dhe qytete tjera në botë, për të shënuar këtë ditë.

Sipas kalendarit Gregorian, në shumicën e vendeve të Perëndimit, kjo festë shënohet më 25 dhjetor.

Kishat ortodokse, duke përfshirë ato në Rusi, Ukrainë, Gjeorgji, Serbi dhe Jerusalem janë vetëm disa nga kisha që festojnë Krishtlindjet sipas kalendarit Julian më 7 janar.

Kisha Ortodokse armene ka festuar Krishtlindjen më 6 janar.

Kishat ortodokse në Rumani, Greqi dhe Bullgari, kanë shënuar këtë festë sipas kalendarit Gregorian më 25 dhjetor.

Mirëpo Krishtlindjet këtë vit shënohen në kohë të vështirë brenda besimit ortodoks.

Në muajin nëntor, Ukraina ka siguruar miratimin e Patriarkanës Ekumenike, lideres globale të ortodoksizmit me seli në Stamboll, për të krijuar kishën e pavarur, hap që është kundërshtuar nga Rusia.

Përpjekjet e ukrainasve për të themeluar një kishë të pavarur janë rritur pas Rusia ka aneksuar Gadishulli ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014 dhe ka nisur të mbështesë separatistët në rajonet Donetsk dhe Luhansk që gjenden në Ukrainë.

Në Shën Petersburg, presidenti rus, Vladimir Putin ka qenë pjesë e ceremonisë së shënimit të Krishtlindjeve, teksa Patriarku Kirill ka kryer shërbimet e festës në Moskë.

Pjesëmarrja në meshën e mesnatës është kthyer në traditë për liderët rusë, pavarësisht se disa prej tyre, siç është Putin kanë qenë mbështetës të sistemit komunist gjatë periudhës sovjetike.

Presidenti rus, Vladimir Putin merr pjesë në meshën e mesnatës në Katedralen në Shën Petersburg. Foto nga arkivi.
Presidenti rus, Vladimir Putin merr pjesë në meshën e mesnatës në Katedralen në Shën Petersburg. Foto nga arkivi.

Ndërkohë qindra persona kanë festuar këtë ditë edhe në Betlehem, teksa Patriarku ortodoks grek, Theophilos III ka kryer shërbime në Kishën që njihet tradicionalisht si vendi i lindjes së Krishtit.

Policia palestineze ka qenë në detyrë teksa dhjetëra protestues kanë bërtitur “tradhtar”, duke protestuar shitjen e një prone që ka bërë Kisha Ortodokse greke në lindje të Jerusalemit, ndaj një grupi që promovon vlera hebraike.

Kisha ortodokse ruse “Maria Magdalena” në Jerusalemin Lindor. Fotografi nga arkivi.
Kisha ortodokse ruse “Maria Magdalena” në Jerusalemin Lindor. Fotografi nga arkivi.

Blerjet e tokës së Kishës dhe pronave tjera nga izraelitët në Jerusalemin Lindor kanë zemëruar palestinezët, duke përfshirë shumë të krishterë ortodoksë, që konsiderojnë se ai territor do të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre në të ardhmen.

Izraeli ka aneksuar Jerusalemin Lindor, mirëpo një hap i tillë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.

Në Kajro, presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi ka inauguruar katedralen e re për Kishën Ortodokse Kopte dhe një nga xhamitë më të mëdha në rajon.

Ushtria egjiptiane ruan katedralen e sapo inauguruar për Kishën Ortodokse Kopte. Janar, 2019.
Ushtria egjiptiane ruan katedralen e sapo inauguruar për Kishën Ortodokse Kopte. Janar, 2019.

Ky hap vjen në kohën kur militantët islamikë kanë shtuar sulmet ndaj minoritetit të krishterë, duke kryer sulme të përgjakshme terroriste.

Në këtë ditë, al-Sisi ka folur për harmoninë mes sekteve, pavarësisht pse është kritikuar se nuk ka bërë mjaftueshëm për të mbrojtur të krishterët dhe minoritetet tjera.

“Ky është moment historik dhe shumë i rëndësishëm. Mirëpo neve na duhet ta mbrojmë pemën e dashurisë që kemi mbjellur këtu së bashku, sepse përçarjet nuk përfundojnë kurrë”, ka thënë ai teksa ka qenë brenda kishës.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG