Ndërlidhjet

Biden në vizitë të paparalajmëruar në Kiev: "Lufta e Putinit po dështon"


Biden në Kiev: Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:27 0:00

Biden në Kiev: Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se Rusia ka bërë përpjekje "ta fshijë Ukrainën nga harta". Por, "lufta pushtuese" e presidentit rus, Vladimir Putin, "po dështon", tha ai.

Biden i bëri komentet gjatë një vizite të paparalajmëruar në Ukrainë - të parën prej se Rusia nisi pushtimin e këtij vendi gati një vit më parë.

Ai u prit nga homologu ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Pallatin Mariynskiy në qendër të kryeqytetit Kiev.

"Një vit më vonë, Kievi qëndron në këmbë", tha Biden, duke folur nga një podium i dekoruar me flamuj të SHBA-së dhe Ukrainës.

"Ukraina qëndron në këmbë. Demokracia qëndron. Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju", tha ai.

Biden përgëzoi popullin e Ukrainës për, siç tha, "guximin në luftë" dhe tha se SHBA-ja do ta vazhdojë mbështetjen për të.

"E dija se do të kthehem", tha ai, duke kujtuar gjashtë vizitat e tij në Ukrainë gjatë kohës sa ka shërbyer si nënpresident.

Biden tha se vizita e tij në Kiev, në prag të njëvjetorit të nisjes së pushtimit rus, konfirmon angazhimin e palëkundur të SHBA-së "ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës".

"Kur [presidenti rus, Vladimir] Putin nisi pushtimin gati një vit më parë, ai mendoi se Ukraina është e dobët dhe se Perëndimi është i përçarë. Ai mendoi se mund të na mposhtë, por e kishte gabim", tha Biden.

Ai shtoi se SHBA-ja po përgatit një dërgesë të re të "pajisjeve kritike" për Ukrainën, e cila, siç tha, do të përfshijë municione artilerie dhe radarë të mbikëqyrjes ajrore.

Biden, i cili do të vazhdojë udhëtimin në Poloni, paralajmëroi edhe sanksione të reja kundër shtetit rus.

SHBA-ja është ndër ofruesit më të mëdhenj të ndihmave për ushtrinë ukrainase. Që nga fillimi i pushtimit rus, më 24 shkurt të vitit të kaluar, Uashingtoni i ka dërguar pajisje mbrojtëse dhe logjistike në vlerë prej dhjetëra miliarda dollarësh.

Zelensky tha se vizita e Bidenit "është një shenjë jashtëzakonisht e rëndësishme e mbështetjes për të gjithë ukrainasit".

"Aktualisht, në Ukrainë po vendoset fati i rendit ndërkombëtar", tha ai.

Vizita e presidentit amerikan u zhvillua në kohën kur forcat ruse janë duke sulmuar rëndë pozicionet ushtarake dhe vendbanimet civile në Ukrainën lindore dhe jugore.

Rusia kreu dhjetë sulme raketore dhe 25 sulme ajrore në rajonet lindore të Luhanskut dhe Donjeckut, si dhe në rajonin jugor të Zaporizhjes, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportin e tij të përditshëm.

Sipas tij, sulmet lanë disa civilë të vrarë dhe të plagosur. Pa dhënë më shumë detaje, Shtabi paralajmërsoi se kërcënimi nga sulmet ruse mbetet i lartë në të gjithë Ukrainën.

Biden dhe Zelensky u takuan për herë të fundit në dhjetor, kur presidenti ukrainas qëndroi për vizitë zyrtare në Uashington.

Asokohe, Biden e siguroi homologun e tij se mbështetja e SHBA-së për Ukrainën “do të vazhdojë për aq kohë sa të ketë nevojë”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG