Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë të enjten gjatë shënimit të përvjetorit të Ditës D, se bota e lirë është me Ukrainën dhe se nuk do të dorëzohet para agresionit rus, duke nxjerr një paralele me luftën e aleatëve për ta çliruar Evropën nga Gjermania naziste në Luftën e Dytë Botërore.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja “nuk do ta braktisin” Ukrainën, tha Biden gjatë fjalimit në Normandi më 6 qershor, ku u shënua përvjetori i zbarkimit të aleatëve në Normandi më 1944, që ishte një pikë kthese që kontribuoi në disfatën e Adolf Hitlerit më 1945.
“Më besoni: Ne nuk do të përkulemi, ne nuk mund të dorëzohemi para bullizuesve; është thjesht e papërfytyrueshme. Nëse e bëjmë, liria do të jetë e nënshtruar, e gjithë Evropa do të jetë e kërcënuar”, tha Biden në ceremoninë e organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron, për nder të veteranëve të mbijetuar të Luftës së Dytë Botërore.
Ndikimi i diplomacisë së Ditës D në gjeopolitikë
Presidenti francez nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të ushtarëve në Ukrainë, pavarësisht kundërshtimit nga vendet e tjera të NATO-s dhe kritikave të forta nga Moska, e cila ka paralajmëruar kundër një lëvizjeje të tillë, duke argumentuar se do të përshkallëzonte në mënyrë dramatike konfliktin.
Biden do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë ceremonive dhe pritet të mbajë një fjalim për mbrojtjen e demokracisë në Evropë.
Në një përpjekje për të zgjidhur krizën e shkaktuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore dhe nga aneksimi i Krimesë nga Moska, presidenti i atëhershëm francez Francois Hollande kishte ftuar homologët e tij rusë dhe ukrainas, në një përpjekje për t'i ulur tensionet për konfliktin.
Gjatë përkujtimeve, liderët nga Rusia, Ukraina, Gjermania dhe Franca u takuan jozyrtarisht në një përpjekje për të zgjidhur luftën në rajonin e Donbasit të Ukrainës. Vërehej sidomos mungesa e grupit nga Shtetet e Bashkuara. Bisedimet çuan në krijimin e Protokollit të Minskut më vonë, po atë vit.
Pjesëmarrësit -- presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidenti francez Emmanuel Macron, presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel -- u takuan me shpresë për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në Ukrainën lindore, pjesë të së cilës kishin qenë nën kontrollin e Rusisë - mbështetur separatistët që nga viti 2014.
Takimi shënoi një përpjekje për rivendosjen e komunikimit politik të nivelit të lartë midis Kievit dhe Moskës dhe një angazhim të ripërtërirë ndaj marrëveshjeve të Minskut, një sërë masash që synojnë arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm.
Pavarësisht hapave premtues, në samit nuk pati ndonjë përparim të madh.
Fjalimi i presidentit Obama nënvizoi rëndësinë e NATO-s dhe sigurisë kolektive mes rritjes së tensioneve me Rusinë në lidhje me Ukrainën.
Kjo, gjithashtu, ishte hera e parë që presidenti rus, Vladimir Putin, u ftua në ceremoninë përkujtimore, ku ai theksoi sakrificat e Bashkimit Sovjetik.
Në komentet që bëri të nesërmen, Clinton tha: "Perandoria Sovjetike është zhdukur", ndërsa ai lavdëroi rusët, polakët dhe të tjerët për pjesëmarrjen në çlirimin e Evropës. Kjo periudhë pa edhe zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore, duke nënvizuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë evropiane.
Fjalimi i Reganit në Pointe du Hoc ishte menduar jo vetëm si një nderim për heroizmin e njerëzve që zbarkuan në plazhe, por u pa gjithashtu si një deklaratë simbolike që përforcon angazhimin e SHBA-së ndaj parimeve të lirisë dhe demokracisë në sfondin e Luftës së Ftohtë.
Historiani amerikan, Michael Dolski, vuri në dukje se fjalimet e Reganit në përkujtimet e Ditës D kontribuuan ndjeshëm në statusin "mitik" të ngjarjes në kulturën amerikane të fundit të shekullit XX.
Gjatë 11 vjetëve të tij si president i Francës, Charles de Gaulle refuzoi të merrte pjesë në ngjarjet e Ditës D. “Ai refuzoi të përkujtonte 6 qershorin, duke pasur parasysh mënyrën se si ishte trajtuar kohën e zbarkimit të Ditës D. Ai nuk ishte përfshirë në diskutime apo në zbatimin e planit,” thotë historiani Denis Peschanski.
De Gaulle gjithashtu nuk i ftoi liderët botërorë në shënimin e 25-vjetorit më 1969.
Shumë nga liderët e botës tani i shohin ngjarjet që shënojnë Ditën D, si raste vendimtare politike dhe diplomatike, por 6 qershori nuk ishte gjithmonë aq i ndjekur dhe u deshën disa dekada që kjo datë të bëhej një ditë përkujtimore me shkronja të kuqe.
Shënimi i 80-vjetorit ka të ngjarë të jetë jubileu i fundit, në të cilin veteranët që luftuan dhe mbijetuan, do të jenë të pranishëm në plazhet ku vdiqën mijëra bashkëluftëtarë të tyre.
Në ceremoni morën pjesë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kryeministri kanadez Justin Trudeau, Mbreti Charles III i Britanisë dhe krerë të tjerë shtetërorë dhe personalitete të tjera.
As presidenti rus Vladimir Putin, e as asnjë zyrtar nga Rusia nuk u ftuan për të marrë pjesë në këtë ceremoni.
“Ukraina është pushtuar nga një tiran. Ata po luftojnë me guxim të jashtëzakonshëm, po pësojnë humbje të mëdha, por kurrë nuk po dorëzohen”, tha Biden.
Presidenti amerikan e lartësoi NATO-n si “aleancën më të madhe ushtarake në botë” dhe tha se ajo “është më e përkushtuar se kurrë më parë, për ta ruajtur paqen”.
Duke bërë krahasim me Luftën e Dytë Botërore, Biden tha se “izolimi i Amerikës nuk ishte përgjigje para 80 vjetëve dhe nuk është përgjigje as sot”, një referencë drejtuar disa politikanëve republikanë, të cilët janë skeptikë të mbështetjes amerikane për Ukrainën.
“Ne duhet ta kujtojmë patjetër se fakti që ata ishin heronj këtu atë ditë, nuk na liron neve nga ajo që ne duhet ta bëjmë sot. Demokracia nuk është e garantuar asnjëherë. Çdo brez duhet ta ruajë atë, duhet ta mbrojë atë dhe të luftojë për të. Kjo është sprova e epokave”, theksoi ai.
Ceremonia u mbajt afër Omaha Beach, emri i koduar i njërit prej dy vendeve ku zbarkuan forcat amerikane, ku trupat amerikane i pësuan më shumë se 2.500 të vrarë – që është më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të trupave të vrarë të aleatëve në Ditën D.
Dita D ishte sulmi më i madh amfib në histori, ku morën pjesë 156.115 trupa nga 12 vende.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky tha se “kjo ngjarje dhe e sotmja janë kujtesë e guximit dhe përkushtimit që tregohen për hir të lirisë dhe demokracisë”.
“Aleatët e mbrojtën lirinë e Evropës asokohe, ukrainasit e mbrojnë lirinë e Evropës tani. Uniteti fitoi atëherë, uniteti i mirëfilltë është në gjendje të fitojë tani”, shkroi Zelensky.
Zelensky pritet të bisedojë me Bidenin dhe Macronin gjatë qëndrimit në Francë.