Ndërlidhjet

Irani kërkon që bisedimet në Vjenë të fokusohen në heqjen e sanksioneve


Rundi i bisedimeve për marrëveshjen bërthamore i mbajtur në Vjenë më 17 dhjetor 2021.
Rundi i bisedimeve për marrëveshjen bërthamore i mbajtur në Vjenë më 17 dhjetor 2021.

Bisedimet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të arritur ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore, rinisën në Vjenë më 27 dhjetor. Teherani ka thënë se bisedimet duhet të fokusohen në heqjen e sanksioneve ndaj Republikës Islamike dhe në “garancitë” se Uashingtoni do t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje.

“Rundi i tetë i bisedimeve sapo ka nisur”, tha Alain Matton, zëdhënës i Bashkimit Evropian, që ndërmjetëson këto bisedime.

Rundi i shtatë i bisedimeve përfundoi më 17 dhjetor pasi Irani shtoi disa kërkesa të reja.

Para nisjes së bisedimeve në Vjenë, ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian tha se në agjendë të bisedimeve duhet të jetë “çështja e garancive dhe verifikimit” të heqjes së sanksioneve amerikane, nëse Uashingtoni rikthehet në marrëveshjen bërthamore.

“Çështja më e rëndësishme për ne është të arrijmë në një pikë, ku fillimisht nafta iraniane të mund të shitet me lehtësi, pa pengesa”, citohet të ketë thënë Amir-Abdollahian.

Diplomatët nga palët që janë ende pjesë e marrëveshjes, Kina, Britania, Franca, Gjermania dhe Rusia – janë duke marrë pjesë në bisedime të drejtpërdrejta me Iranin.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë pjesë e këtyre bisedimeve në mënyrë indirekte, pasi janë larguar nga marrëveshja më 2018.

Marrëveshja e arritur më 2015 kishte për qëllim kufizimin e aktivitetit bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare. Por, në vitin 2018, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Donald Trump tërhoqi shtetin e tij nga marrëveshje dhe rivendosi sanksione ndaj Republikës Islamike.

Menjëherë pas tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja, Irani gradualisht ka filluar të shkelë pikat e marrëveshjes dhe të pasurojë uraniumin përtej niveleve të lejuara.

XS
SM
MD
LG