Ndërlidhjet

Bluhm: Pritja 25-vjeçare për në NATO bëhet realitet


Micaela Schweitzer-Bluhm
Micaela Schweitzer-Bluhm

Maqedonia e Veriut këtë vit bën realitet pritjen e gjatë prej 25 vjetëve, që të anëtarësohet në Aleancën Veri-Atlantike, ka deklaruar ushtruesja e detyrës së ambasadorit të SHBA-së në Shkup, Micaela Schweitzer-Bluhm. Në pritjen e organizuar me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, diplomatja amerikane ka theksuar mbështetjen e Uashingtonit për integrimin e Maqedonisë së Veriut edhe në Bashkimin Evropian.

“Për më shumë se 25 vjet qytetarët e Maqedonisë së Veriut duan ta shohin vendin e tyre në institucionet perëndimore. Këtë vit, kjo dëshirë do të bëhet realitet. SHBA-ja me padurim pret që në muajt në vijim, t’i dëshirojë mirëseardhje Maqedonisë së Veriut si anëtare e 30-të e NATO-s. Gjithashtu, ne fuqishëm mbështesim edhe fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar Bluhm.

Drejtuesit e institucioneve, ndërkohë, presin që puna, e cila sipas tyre është bërë, si në reforma, forcimin e demokracisë dhe arritjen e marrëveshjeve me fqinjët, para së gjithash me Greqinë për çështjen e emrit, duhet të shpërblehet në tetor edhe me datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim.

Kryeministri Zoran Zaev dhe zyrtarë të tjerë besojnë se edhe drejtuesit e rinj të BE-së, do të vazhdojnë me politikën e mbështetjes së zgjerimit në BE, edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Edhe për njohësit e çështjeve politike, emërimet e reja duket të jenë favorizuese për Maqedoninë e Veriut.

“Emërimet e reja që janë bërë në pozicionet më të larta të Bashkimit Evropian, mund të them se janë në favor të Maqedonisë së Veriut. Shtetet skeptike lidhur me zgjerimin e BE-së, nuk morën pozita në organet e reja të unionit. Shefi i ri i diplomacisë evropiane, Josep Borrel, është mbështetës i zgjerimit, sikur edhe presidentja e Komisionit Evropian, e cila gjithashtu është mbështetëse e integrimit edhe e vendit tonë, që u dëshmua edhe gjatë vizitës në Shkup në kohën e referendumit për marrëveshjen me Greqinë”, thotë Marko Trashanovski, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Institutit për Demokraci.

Sa i përket qëndrimit francez, nëse ai do të ndryshojë pas arritjes së kompromisit për drejtuesit e rinj të BE-së, Trashanovski pret një zbutje të qëndrimit të Parisit zyrtar, pasi duket të jetë plotësuar një pjesë e kërkesave të tij për shtytjen para të reformave brenda unionit.

“Ende është vështirë të jepet ndonjë prognozë se si ky kompromis për zgjedhjen e drejtuesve të rinj do të reflektohet në çështjen e zgjerimit, apo në qëndrimin e Francës që kundërshton këtë proces pa zgjidhjen e çështjes së reformave të brendshme”.

“Por, nëse kemi parasysh faktin se edhe presidenti Macron e ka mbështetur nominimin e gjermanes Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Evropian, mund të llogarisin se një pjesë e kërkesave të tij për reforma janë plotësuar, që jep një fije shpresë për një zbutje të qëndrimit francez”, thotë për Radion Evropa e Lirë Trashanovski.

Maqedonia e Veriut ka marrë një raport pozitiv nga Komisioni Evropian, i cili ka rekomanduar nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shkupin, por Këshilli i Bashkimit Evropian në samitin e qershorit, nuk ka ofruar datë, duke përmendur si arsyetim procesin e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian dhe publikimin e vonshëm të Raportit të Progresit.

Por, mosdhënia e datës, sipas disa diplomatëve perëndimorë në Shkup, ka të bëjë edhe me ngecjen e reformave, para së gjithash me mungesën e rezultateve në reformimin e Gjyqësorit, si dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

XS
SM
MD
LG