Ndërlidhjet

AIBA: Kosova nuk duhet të trajtohet ndryshe nga shtetet tjera


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Federata Ndërkombëtare e Boksit (AIBA) tha se Kosova nuk duhet të trajtohet ndryshe nga shtetet e tjera, teksa Serbia ua ndaloi hyrjen boksierëve nga Kosova, që parashihej të merrnin pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që mbahet në Beograd.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, AIBA tha se pret që delegacioni Federatës së Boksit të Kosovës të trajtohej “jo ndryshe nga delegacionet e çdo anëtari tjetër të AIBA-s”, dhe shtoi se pret që Kosova të marrë pjesë në këtë kampionat.

Kosova është pjesë e AIBA-s që prej vitit 2014.

“Ne besojmë që të gjithë atletët duhet të kenë shanse të njëjta për të garuar dhe për të treguar aftësitë e tyre më të mira në ring. Sporti ka për qëllim të bashkojë njerëzit dhe duhet të jetë i lirë nga politikat kombëtare”, tha AIBA.

AIBA shtoi se është në kontakt me autoritetet serbe, që të zgjidhet kjo çështje.

Ndërkaq, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se AIBA ka ofruar si zgjidhje që delegacioni i Kosovës të marrë pjesë me flamurin e AIBA-së.

“AIBA ende është në bisedime me Qeverinë e Serbisë për të bindur që Kosova të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit. Kurse, Kosovës i është kërkuar që në kampionat të marrim pjesë me flamurin e AIBA- s”, tha ai.

Krasniqi shtoi se Kosova ka pranuar një zgjidhje të tillë, vetëm nëse edhe shtetet e tjera do të hiqnin dorë nga simbolet shtetërore dhe të prezantoheshin nën flamurin e AIBA-së.

“Ne pranojmë gjithëçka nëse është e njëjtë për të gjitha shtetet, asgjë nuk pranojmë nëse kërkohet vetëm për Kosovën. Nuk ka himn për shtetet tjera, nuk ka as për Kosovë, nuk ka flamur për Kosovën, mos le të ketë as për shtetet tjera. Ne marrim pjesë vetëm me kushte të barabarta”, tha ai.

Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se po punon që të hiqen këto barriera për sportistët e Kosovës.

“Pasi ekipi i përfaqësues tonë në boks u ndalua ilegalisht nga autoritetet serbe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, qeveria së bashku me aleatët po punon që të hiqen barrikadat ilegale kundër pjesëmarrjes në kampionatin botëror”, shkroi MPJD në Twitter.

Ndalimi i sportistëve

Në pikëkalimin kufitar në Dheun e Bardhë, në orët e hershme të së shtunës, autoritetet serbe ua ndaluan hyrjen sportisëve nga Kosova.

Delegacioni i Kosovës, i përbërë nga pesë anëtarësh, tre boksierë, selektori dhe sekretari i Federatës së Boksit, ishin nisur drejt Serbisë për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Boksit, që këtë vit mbahet në Beograd.

Besim Brahimi, selektor i Federatës së Boksit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se autoritetet serbe kërkuan nga sportistët e Kosovës, që si kusht për të hyrë në Serbi, të largonin uniformat me simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Kjo kërkesë nuk u pranua nga delegacioni i Kosovës.

“Ne në Beograd po shkojmë të përfaqësojmë shtetin e Kosovës dhe duhet të paraqitem në mënyrë të barabartë sikurse të gjitha federatat tjera”, tha Brahimi.

Ndërkaq, Federata e Boksit të Shqipërisë ka paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë në kampionatin që do të mbahet në Beograd, nëse nuk lejohet pjesëmarrja e Kosovës.

Nelson Hysa, kapiten i ekipit, tha për Radion Evropa e Lirë se kryetrajneri i ekipit, Zef Gjoni u ka thënë përfaqësueseve të Federatës Botërore të Boksit se do të tërhiqen nga gara nëse nuk merr pjesë Kosova.

“Ne aktualisht jemi në Beograd, por nëse nuk vjen Kosova, do kthehemi në Shqipëri”, tha Hysa.

Më herët gjatë ditës, Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e quajti “skandal” ndalimin e sportistëve nga Kosova që të hyjnë në Serbi.

“Drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe ekipi i boksit të Kosovës të niset sërish drejt Beogradit për të garuar i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse në botëror”, thuhet në një komunikatë për media.

KOK, po ashtu ka kontaktuar me drejtuesit e Federatës Botërore e Boksit (AIBA), nga të cilët ka marrë premtimin se do të marrin masa të menjëhershme për t’iu mundësuar boksierëve hyrjen në Serbi dhe pjesëmarrjen me të drejta të barabarta, ashtu siç kanë premtuar pas kontakteve të vazhdueshme me Federatën e Boksit të Kosovës.

Federata e Boksit e Kosovës që nga viti 2014 është anëtare me të drejta të plota në Federatën Botërore të Boksit.

Kampionati Botëror i Boksit zhvillohet në Beograd nga data 24 tetor deri më 6 nëntor 2021.

Në këtë kampionat do të marrin pjesë rreth 650 garues nga 105 shtete. Kosovën në këtë kampionat ishte paraparë që ta përfaqësonin tre boksierë: Bashkim Bajoku, Shpëtim Bajoku dhe Patriot Behrami.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG