Ndërlidhjet

Pa diplomaci të sportit e kulturës


Xhudistja Majlinda Kelmendi prezanton medaljen e artë të fituar në Rio 2016.

Institucionet e Kosovës ende nuk e dinë se cila është rëndësia e sportit në diplomaci, thotë Ismet Krasniqi, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Sipas tij, në rastin e Kosovës, sporti luan rolin shumë më të rëndësishëm në diplomaci sesa disa institucione shtetërore.

“Ku ka depërtuar sporti, Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka mundur të depërtojë. Sportistët e kanë ngritur flamurin midis Rusisë e midis Spanjës e shumë vende të tjera, normal që politika nuk ka mundur ta bëjë. Kështu që ne do të punojmë dhe do t'i tregojmë shtetit dhe t'i bindim se sa ne mund të ndihmojmë shtetin përmes sportit", tha Krasniqi.

Sportistët kosovarë me arritjet e tyre i sollën medalje të arta Kosovës. Xhudistja Majlinda Kelmendi, e kurorëzuar me titullin kampione bote dhe kampione olimpike, është vetëm njëra nga shumë xhudistë të tjerë, që me suksesin e tyre në fushën e sportit, bën që shtetin e Kosovës ta njohë bota.

Lojërat Olimpike, shpresë për suksese të reja
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:53 0:00

Në Kampionatin Evropian të Xhudos, të mbajtur këtë vit në Portugali, përfaqësuesja e Kosovës u rendit e para në listë.

Distria Krasniqi dhe Akil Gjakova kanë fituar medalje të arta, Nora Gjakova ka zënë vendin e tretë në kategorinë e saj, derisa Loriana Kuka e Laura Fazilu janë renditur të pestat, secila në kategorinë e vet.

Fal sportistëve nga Kosova, flamuri është ngritur dhe nderuar në dy nga vendet, të cilat nuk e kanë njohur atë, në Rusi në Kampionatin Botëror në vitin 2014, si dhe në Rio de Zhaneiro në Brazil, në Lojërat Olimpike në vitin 2016.

Sikurse në sport edhe në kulturë, artistët nga Kosova kanë treguar rezultate në arenën ndërkombëtare në disa drejtime: teatër, film, regji e muzikë.

Filmi “Shok” ka qenë i nominuar për çmimin prestigjioz Oscar, të cilin e ndan Akademia e Filmit, Pikturës, Arteve dhe Shkencave në Hollywood.

Edhe pse ky film nuk fitoi Oscar, ai kishte përcjell një mesazh mjaft pozitiv nga Kosova dhe për Kosovën.

Po ashtu filmi ‘Luaneshat e Kodrës’, me regji te Luana Bajramit është filmi i parë i gjatë kosovar që ka shfaqur premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës si dhe garon për “Kamerën e Artë”. Ndërkaq, filmi “Pa vend”, i regjisorit Samir Karahoda është në mesin e dhjetë shteteve që do të garojnë në Festivalin e Kanës.

Kurse, filmit “Zgjoi” nga Kosova në “The Sundance Film Festival” në Shtetet e Bashkuara, fitoi tri çmime, atë për regjinë më të mirë, filmi më i mirë dhe çmimin e vlefshëm të publikut.

Eshref Durmishi, producenti i filmit “Shok”, i cili ishte filmi i parë që arriti në Oscar, beson se kultura dhe sporti janë dy fushat që më së shumit i kanë sjellë Kosovës lajme të mira.

"Kemi raste të shumta ku kineasët tanë kanë qenë në festivale e vende që nuk e njohin Kosovën. Së fund,i kemi marr çmime në Spanjë me filmin ‘Shok’, janë shpërblyer edhe aktorët, pra në shtetin që nuk e kanë njohur Kosovën. Fatkeqësisht, buxheti i Ministrisë së Kulturës më duket veçse është zvogëluar këtë vit", tha Durmishi për Radion Evropa e Lirë.

Zvogëlimi i buxhetit për sport dhe kulturë

Buxheti i Ministrisë së Kulturës në viti e ka kaluar [2020] ka qenë 44.1 milionë euro, kurse për këtë vit është rreth 35 milionë. Kjo ministri, për sportin, më 2020 kishte ndarë 22.1 milionë euro, kurse për këtë vit janë ndarë 11.5 milionë euro. Për Qendrën Kinematografike të Kosovës, ministria për këtë vit ka ndarë 766 mijë euro.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, zyrtarët nuk kanë treguar se çfarë plane konkrete kanë për të ardhmen lidhur me mbështetjen e artistëve dhe sportistët që po e përfaqësojnë Kosovën edhe në vendet ku politika nuk po arrin të depërtojë.

Zëvendësministrja e Jashtme, Liza Gashi në një përgjigje të shkurtër me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, tha se "në planin tonë kemi një strategji të re ku në kuadër të saj do të kemi një rol pro-aktiv dhe planifikojmë që sportin dhe kulturën t’i kemi pjesë të rëndësishme në bërjen e diplomacisë, përtej asaj tradicionale".

Ajo tha po ashtu se aktualisht janë duke punuar për krijimin e një mekanizmi që do të njohë kontributin e këtyre personave, por edhe në gjetjen e modaliteteve për angazhimin e profileve të tilla në kuadër të institucioneve.

Analisti Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, që si një shtet me mungesë të njohjes universale, Kosova do duhej të kërkonte vektorë alternativë për zbatimi e politikës së jashtme.

"Natyrisht që diplomacia e sportit dhe ajo kulturore janë dy rrugë, por ka edhe alternativa tjera që duhet zbuluar, ndoshta edhe duke qenë kreativ në këtë drejtim për të ardhur me disa ide origjinale", tha Berisha.

Kosova më 2021, për herë të dytë, merr pjesë në Lojërat Olimpike. Njëmbëdhjetë sportistë të Kosovës janë nisur për në Tokio, ku do të garojnë për medalje në sporte të ndryshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG