Ndërlidhjet

Brexit-i pa marrëveshje gjithnjë e më i mundshëm


Kryeministrja britanike, Theresa May
Kryeministrja britanike, Theresa May

Kryenegociatori i Bashkimit Evropian për Brexit, Michel Barnier, tha se ka më shumë gjasa që Britania të dalë nga BE-ja javën e ardhshme, pa një marrëveshje të negociuar me bllokun.

“Brexit-i pa marrëveshje nuk ka qenë kurrë skenari ynë i dëshiruar apo i synuar. Brexit-i pa marrëveshje nuk ka qenë kurrë skenari im i dëshiruar apo i synuar. Por, 27 vendet e tjera të BE-së janë tani të përgatitura”, tha Barnier.

Ai bëri këto komente në Bruksel, një ditë pasi Parlamenti në Londër i refuzoi alternativat e mundshme të marrëveshjes për Brexit, të cilën kryeministrja britanike, Theresa May, e ka negociuar me Bashkimin Evropian.

Në votim ishin mocioni për të mbajtur Britaninë në bashkimin doganor me BE-në, mocioni për qëndrimin e Britanisë në tregun e BE-së për mallra dhe shërbime, mocioni që kërkonte hedhjen në referendum publik të çdo marrëveshjeje që Britania arrin me BE-në dhe mocioni për anulim të Brexit-it. Të gjitha këto mocione u kundërshtuan.

Marrëveshja e Mayt për Brexit-in, apo daljen e Britanisë nga BE-ja, është refuzuar tri herë nga deputetët britanikë.

May tani do të vendosë nëse do ta nxjerrë sërish marrëveshjen në Parlament, por Barnier përsëriti se BE-ja nuk do ta rinegociojë traktatin e arritur vitin e kaluar.

“Nëse Mbretëria e Bashkuar do që të largohet nga BE-ja në mënyrë të rregullt, kjo marrëveshje, ky traktat është dhe do të jetë i vetmi”, tha Barnier.

Ligjvënësit britanikë e kanë refuzuar marrëveshjen kryesisht për shkak të politikave në kufirin me Irlandën, që do të zbatoheshin pas Brexit-it.

Si rezultat i dështimit të marrëveshjes së saj në Parlament, May është detyruar të kërkojë nga BE-ja të shtyjë datën e Brexit-it, që fillimisht ka qenë e caktuar për 29 mars.

Për rrjedhojë, Britania e Madhe, deri më 12 prill, duhet të vendosë nëse do të largohet nga BE-ja pa marrëveshje, ose nëse do të kërkojë zgjatje të afatit nga blloku.

Barnier tha se çdo zgjatje e re e afatit ka "rreziqe të konsiderueshme për BE-në" dhe se blloku do të pajtohej vetëm nëse paraqitet një "justifikim i fortë".

Në ndërkohë, Parlamenti britanik ka marrë kontrollin e Brexit-it nga Qeveria, në mënyrë që të mbajë një seri votimesh për gjetjen e një alternative për marrëveshjen e Mayt.

Britania ka vendosur të largohet nga Bashkimi Evropian në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG