Ndërlidhjet

Brezovica në pritje të investitorëve seriozë


Brezovicë, fotografi nga arkivi

Dhënia me koncesion e kompleksit turistik “Brezovica”, është kthyer në pikën zero.

Autoritetet në Kosovë thonë se për të rinisur procesi i këtij projekti, duhet të finalizohet dhe zbatohet Ligji për investime strategjike, i miratuar në fillim të këtij viti.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani i tha Radios Evropa e Lirë se janë duke proceduar aktet nënligjore të Ligjit për investime strategjike, që brenda një kohe jo të gjatë, ky ligj të jetë funksional.

“Ligji për investime strategjike ka kaluar në fillim të vitit 2017, por nuk janë proceduar aktet nënligjore. Ne jemi duke bërë të gjitha përpjekjet për ta aktivizuar këtë ligj. I kemi bërë dy udhëzime administrative, të cilat i kemi proceduar në Qeveri. Tani kemi mungesë të një udhëzimi administrativ dhe një rregulloreje dhe deri në fund të këtij viti do të jetësohet ky ligj”, thotë Hasani.

Ministri Hasni tregon se së fundi është bërë një propozim nga Ministria për Planifikim Hapësinor që të shfuqizohet vendimi për kompensimin e pronave të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimi i qendrës turistike “Brezovica”.

Por, pavarësisht këtij vendimi, Hasani thotë se me Brezovicën do të mund të procedohet nëse do të ketë investitorë seriozë.

“Kryeministri është zotuar se nëse kemi investitorë seriozë në çdo moment mund ta rikthejmë. Qëllimi i këtij vendimi ka qenë që Qeveria të mos hyjë në obligime, pasi që ka hyrë afër 26 milionë euro. Pra, neve na mbetet që ta jetësojmë Ligjin për investime strategjike, pasi që Brezovica është projekt i madh dhe presim investitorë përgjegjës dhe seriozë që ta aktivizojnë këtë resor”, thotë Hasani.

Kompleksi turistik “Brezovica” është një nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova, si qendër e turizmit veror dhe dimëror.

Në qershor të këtij viti, Qeveria e Kosovës pati përmbyllur si të dështuar procesin e koncesionimit të qendrës turistike “Brezovica”, pasi që konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes”, pati dështuar të përmbushë përmbylljen financiare dhe të sigurojë mjetet e nevojshme për implementimin e fazës së parë për zhvillimin e projektit të Brezovicës.

Udhëheqësi i Shoqatës së Turizmit në Kosovë, Zekë Çeku, thotë për Radion Evropa e Lirë se kompleksi turistik “Brezovica”, ka potencial të jashtëzakonshëm dhe se zgjidhja më e mirë për këtë aset ka qenë privatizimi i saj.

“Problemi themelor ka qenë pse Brezovcia nuk ka shkuar në privatizim, që do të ishte zgjidhja më e mirë dhe brenda dy apo tre viteve të vazhdohet me projekte të mëdha. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur dhe deri më tani projekti i Brezovicës ka dështuar, tani situata është më e favorshme që ky projekt të realizohet përmes Ligjit për investime strategjike, pasi që ky ligj jep mundësi të përzgjedhjes së investitorëve seriozë”, thotë Çeku.

Kompleksi turistik “Brezovica” ndodhet në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit, në Komunën e Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Brezovica është qendër e njohur turistike që gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2,522 metra, me një hapësirë prej 2,500 hektarësh dhe është larg vetëm 60 kilometra nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG