Ndërlidhjet

Rajoni separatist i Donbasit dënoi me vdekje luftëtarët britanikë dhe maroken


Britanikët Aiden Aslin dhe Sean Piner, si dhe marokeni Brahim Saudun, prapa grilave në një sallë gjyqi që thuhet se është në Donetsk.
Britanikët Aiden Aslin dhe Sean Piner, si dhe marokeni Brahim Saudun, prapa grilave në një sallë gjyqi që thuhet se është në Donetsk.

Dy britanikë dhe një maroken që u kapën nga forcat ruse në Ukrainë janë dënuar me vdekje, ka lajmëruar agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti, raporton BBC.

Aiden Aslin, 28 vjeç nga Notingemshir, Sean Piner, 48 vjeç nga Bedfordshir dhe një person i tretë, shtetasi maroken Saudun Brahim, u paraqitën në gjykatë në Republikën Popullore të Donetsk (DNR), të cilën e mbajnë kryengritësit pro-rusë.

Gjykata nuk njihet ndërkombëtarisht.

Agjencia RIA Novosti njoftoi në Telegram se “Gjykata e Lartë e DNR vendosi dënimin e parë për mercenarët - britanikët Aiden Aslin dhe Sean Piner, si dhe marokeni Saadun Brahim u dënuan me vdekje”, njoftoi korrespondenti i RIA Novosti nga salla e gjyqit.

Ata akuzohen me pretendimin se ishin mercenarë.

Gjykata i shpalli të tre burrat fajtorë për “veprimtari dhe veprime mercenare me qëllim marrjen e pushtetit dhe rrëzimin e rendit kushtetues të DNR-së”, raportoi agjencia Interfax fjalët e një zyrtari të gjykatës.

Megjithatë, familjet e burrave britanikë thonë se ata ishin në ushtrinë ukrainase.

Tre burrat u kapën ndërsa luftonin në anën e Ukrainës kundër Rusisë dhe forcave të mbështetura nga Rusia, të cilat hynë në vend më 24 shkurt.

Shtetasit britanikë Aslin dhe Pinera u kapën nga forcat e mbështetura nga Rusia në Mariupol, në prill, gjatë luftimeve të ashpra për kontrollin e qytetit.

Marokeni Saadun u dorëzua në mars, derisa luftonte në një qytet të vogël midis Mariupolit dhe kryeqytetit të rajonit Donetsk.

Ministria e Punëve të Jashtme britanike, të mërkurën dënoi atë që e quajti shfrytëzim i të burgosurve të luftës për qëllime politike dhe tha se ata “kanë të drejtën e imunitetit të luftëtarëve”.

Tre burrat thanë se do të apelonin vendimin, tha agjencia ruse Tass, raporton Reuters.

XS
SM
MD
LG