Ndërlidhjet

Çmimi i ulët zvogëlon interesimin e bujqve të mbjellin grurë


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi

Çmimi i ulët grurit dhe sasia e madhe e importit nga vendet e rajonit, ka detyruar prodhuesit bujqësorë në Kosovë t’i zvogëlojnë sipërfaqet e kultivuara me drithëra, thonë zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë.

Drejtori i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Isuf Cikaqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vitin e kaluar rreth 90 mijë hektarë sipërfaqe kanë qenë të kultivuara me drithëra, kurse gjatë këtij viti janë rreth 70 mijë hektarë .

Është një karakteristikë që mund të theksohet këtë vit, se ka më pak grurë të mbjellur në raport më vitin e kaluar. Një gjë e tillë ka ndodhur si rezultat i çmimit të ulët të grurit në treg vitin e kaluar dhe mungesës së kërkesës në treg”.

Normalisht se çdo kulturë bujqësore, edhe gruri, pasi që është kulturë njëvjeçare, kur nuk ka çmim të mirë në treg dhe ka mungesë të kërkesave, atëherë kjo ndikon deri në masën e zvogëlimit të sipërfaqeve të cilat mbillen”, thotë Cikaqi.

Por anëtarë të Shoqatës së Mullisëve në Kosovë, konsiderojnë se sivjet ka më shumë se 20 mijë hektarë tokë më pak të kultivuar me grurë.

Misin Voci, anëtar i kryesisë në këtë shoqatë, për Radion Evropa e Lirë tregon se ende në Kosovë ka grurë të pa shitur, për shkak se bujqit nuk kanë leverdi ta shesin atë me çmimin aktual në treg.

Çmimi për një kilogram grurë të prodhuar në Kosovë, thotë ai, kushton nga 0.10 deri në 0.14 centë, kurse gruri i importuar nga Serbia shitet nga 0.16 deri në 0.18 centë.

Çmimi është shumë i ulët, bujku nuk ka leverdi, nuk i mbesin as 100 euro në hektarë nëse kushtet atmosferike janë të volitshme. Ndërsa, nëse moti është i keq, bujku shkon në humbje”.

Këtë vit, por edhe vitin e kaluar, ka ende grurë të Kosovës, nëpër depo të pa shitur. Me çmimin prej 0.15 centë, bujqit nuk janë të interesuar të shesin”, thotë Voci.

Pavarësisht sipërfaqes së kultivuar, Jusuf Cikaqi, nga Ministria e Bujqësisë në Qeverinë në largim të Kosovës, thotë se gjendja e grurit është shumë e mirë dhe pritet që të sigurohen deri në 4 mijë kilogramë për një hektarë tokë. Ai thotë se kultura e grurit nuk është dëmtuar nga reshjet e fundit atmosferike.

Në Kosovë ditëve të fundit ka pasur reshje të mëdha të shiut, vende –vende të shoqëruara edhe me breshër, por kulturën e grurit nuk e kanë dëmtuar reshjet. Eventualisht, aty ku ka pasur breshër, ende nuk i kemi grumbulluar të gjitha informacionet për të ditur se sa sipërfaqe janë dëmtuar nga breshëri”, thotë Cikaqi.

Ai thotë po ashtu se ende nuk dihet sa për qind pritet që Kosova t’i plotësojë nevojat e popullatës për ushqim më grurë.

Fushata e korrje shirjeve në Kosovë, sipas tij, nis në fund të këtij muaji, apo eventualisht në fillim të muajit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG