Ndërlidhjet

Bullgaria në krye të BE-së, nuk e harron Ballkanin dhe Kosovën


Foto: Ilustrim
Foto: Ilustrim

E ardhmja evropiane e Ballkanit Perëndimor, është një prej çështjeve të cilës presidenca bullgare e Bashkimit Evropian do t’i kushtojë rëndësi të veçantë. Kështu ka deklaruar ambasadori i Bullgarisë në Prishtinë, Nedialtço Dantçev, gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës bullgare të BE-së, të cilat i ka paraqitur në një konferencë për media bashkë me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Aty u tha se prioritetet kryesore gjatë kohës sa presidenca bullgare do ta ketë kryesimin e BE-së janë stabiliteti, siguria dhe solidariteti.

“Për Bullgarinë si vend ballkanik, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e rëndësishme. Së pari është koha e duhur e fundit që të ja kthejmë vëmendjen fqinjëve tanë”, tha Dantçev.

“Në dekadën e kaluar Kosova ka pasur kriza të njëpasnjëshme dhe kjo ka nënkuptuar që ne është dashur të përqendrohemi në zgjidhjen e problemeve tona e jo që të merremi më atë që kemi përreth dhe realiteti shumica e prej partnerëve tanë, në veçanti ata në Ballkanin Perëndimor, kanë humbur shpresat që perspektiva e tyre evropiane është reale”, ka thënë ambasadori Dantçev.

Sipas tij, duhet kërkuar zgjidhje kreative për të siguruara që vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara të bashkuara dhe për të forcuar miqësinë mes tyre.

Dantçev tha se shtetet anëtare do të punojnë së bashku që të ndajnë informacione në lidhje me sigurinë e qytetarëve të Bashkimit Evropian.

“Do të përqendrohemi në tema që janë të rëndësishme për qytetarët, krijimi i vendeve të punës, përmirësimi i jetës në Evropë, dhe të sigurohemi që kufijtë tanë janë të mbrojtur si dhe garantojmë që njerëzit tanë kanë shkathtësi digjitale që kërkon ekonomia digjitale”, ka thënë Dantçev.

Ndërkohë, shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se Marrëveshja e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi duhet të ratifikohet si çështje e interesit nacional për të ndalur vetizolimin e Kosovës.

Ajo ka bërë të ditur se strategjia për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor që do të lansohet në shkurt, kurse prezantimi i raportit për Kosovën do të bëhet në muajin prill. Aty, tha ajo, Kosova ka mundësi që Kosova të demonstrojë përkushtimin për vlerat evropiane dhe t’i prezantojë një imazh pozitiv pjesës tjetër të Evropës.

“Kosova duhet të shfrytëzojë këtë mundësi unike, duhet të ratifikojë Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e zi. Ky do të jetë një sinjal i vërtetë që Kuvendi po punon në interes të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Apostolova.

“Marrëveshja për demarkacionin e kufirit duhet të ratifikohet si çështje e interesit nacional për të ndalur vet izolimin e Kosovës dhe të ecim përtej interesave personale të disa qarqeve politike”, theksoi Apostolova.

Ajo ka ripërsëritur edhe qëndrimin e Bashkimit Evropian se nisma për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale për krime lufte nuk është mënyra e duhur se si duhet të veprojnë institucionet e Kosovës.

“Një përpjekje për të anuluar një përkushtim ndërkombëtarë nuk është mënyra për të forcuar besimin e njerëzve në institucione. Shpresoj që politikanët do të kuptojnë këtë më herët, para se të jetë vonë”, tha Apostolova.

Në anën tjetër, njohësit e proceseve integruese evropiane thonë se thirrjet që u janë bërë institucioneve të Kosovës gjatë këtij takimi tregojnë përkushtimin e vendeve të Bashkimit Evropian për interesin që BE-ja ka për Kosovën.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet të reflektojnë përfundimisht dhe t’i japin zgjidhje çështjeve që janë duke e bllokuar ecjen përpara të vendi.

“Bullgaria vazhdon të jetë një prej vendeve mike të rajonit që ka Kosova dhe një prej vendeve që qysh në fillim e ka njohur shtetësinë e Kosovës. Mendoj që thirrjet e saj që iu bëhen edhe institucioneve të Kosovës, për të kaluar Marrëveshjen e demarkacionit dhe në të njëjtën kohë për të ecur tutje me zbatimin e të gjitha kërkesave që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit, bëhen me qëllimin e vetëm, që Kosova të jetë në gjendje që të funksionojë si shtet normal, janë domethënëse”, thekson Ujkani.

Krahas ngecjes para në proceset integruese, Kosova ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë. Institucionet e Kosovës, nuk kanë arritur që të zbatojnë një nga kriteret kryesore të BE-së për liberalizimin e vizave, që ndërlidhet me ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, e nënshkruar që në gusht të vitit 2015.

XS
SM
MD
LG