Ndërlidhjet

Vendet e Kuintit ftojnë liderët e Kosovës të heqin dorë nga shfuqizimi i Gjykatës Speciale


Shtetet e Kuintit kanë shprehur shqetësimin e thellë me përpjekjet në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, përkatësisht Dhomave të Specializuara.

“Jemi thellësisht të shqetësuara me përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Aty shprehet shqetësimi edhe në lidhje me vendimin e Presidentit të Koosvës për të falur tre të dënuar për vrasje, në të ashtuquajturin “rasti i familjes Hajra”. Ata ishin shpallur fajtorë nga Gjykata e Qarkut dhe ajo Supreme për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001 dhe ishin dënuar me nga 30 vjet burgim.

“Dhomat e Specializuara, në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për të adresuar krimet e kryera në teritorin e saj”, thuhet në deklaratë, e cila u është shpërnda mediave nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

Aty rikujtohet se vendet e Kuintit kanë qenë prej kohësh miq të vërtetë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në kohërat më të vështira.

“Që nga mbështetja jonë për ndërhyrjen e NATO-s, sakrifikimin e ushtarëve tanë në Kosovë, njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme në zhvillimin tuaj, ne kemi punuar shumë për të mbështetur vendin tuaj. Suksesi juaj është në interesin tonë. Megjithatë, ne do të këmbëngulim gjithmonë që Kosova të mbështesë drejtësinë”, vijon deklarata.

Aty potencohet se nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Specializuara dhe ftohen udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, ata të partive dhe deputetët, të heqin dorë nga çdo tentim për të shfuqizuar apo ri-negocuar çfarëdo pjese të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rezikon të gjitha të arriturat e Kosovës. Kjo i vënë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë kosovare. Ne e dënojmë një gjë të tillë, dhe kushdo që mbështetë një gjë të tillë, do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona”, thekson deklarata.

“Ftojmë të gjithë liderët e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngrisin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe Euro-Atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë. Në të njejtën kohë, presim që të gjitha shtetet të ndjekin penalisht ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë”, potencohet në këtë qëndrim të pesëshes së madhe, të njohur si Kuint

“Krijimi i Dhomave të Specializuara ishte mënyra e vetme për Kosovën të dëshmoj përkushtimin e saj për drejtësi dhe sundim të ligjit, dhe të vazhdojë të pranoj mbështetjen ndërkombëtare. Me ndihmën tonë, Kosova ka shënuar përparim në shtatë vitet e fundit për arsye të përkushtimit të saj për drejtësi ndërkombëtare. Vendimi i Kuvendit në vitin 2015 për të krijuar Dhomat e Specializuara ishte shenjë e qartë se Kosova refuzoi kulturën e mosndëshkimit”, thuhet në deklaratë.

“Nuk kishte asnjë marrëveshje ndërmjet komunitetit ndëkombëtarë dhe Kosovës lidhur me krijimin e Dhomave të Specializuara”, përfundon deklarata.

Në shtete e Kuintit, bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

Reagimi i tyre ka pasuar nismën e një grupi të deputetëve të Kosovës për të shfuqizuar Gjykatën Speciale për krime lufte. Kjo nismë nuk është kundërshtuar as nga liderët e institucioneve qendrore.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG