Ndërlidhjet

Çfarë i pason aktakuzat kundër Thaçit dhe Veselit?


Gjykata Speciale në Hagë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, e njoftoi publikun të mërkurën se më 24 prill ka paraqitur në Dhomat e Specializuara një aktakuzë për shqyrtim, e cila ngarkon presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin aktual të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe persona “të tjerë” me krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi, Veseli dhe të dyshuarit e tjerë - emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë - kanë përgjegjësi penale për afro 100 vrasje.

Pasi prokurori ua paraqet aktakuzën Dhomave të Specializuara për shqyrtim, kryetari i Dhomës e cakton një gjyqtar të procedurës paraprake, i cili, bazuar në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, është përgjegjës që të rishikojë aktakuzën dhe pastaj ta konfirmojë ose ta hedhë poshtë atë.

Deklarata e Veselit pas ngritjes së aktakuzës kundër tij
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:56 0:00

Në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara thuhet se kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova, qysh më 23 prill, e ka caktuar gjyqtarin francez, Nikola Giju, për gjyqtar të procedurës paraprake, por aty nuk thuhet se ai është gjyqtar i procedurës paraprake për këtë çështje.

I njëjti gjyqtar është gjithashtu gjyqtar i procedurës paraprake për aktakuzat e para, të paraqitura në shkurt, e për të cilat ende nuk është marrë asnjë vendim.

Nëse gjyqtari i procedurës paraprake vërteton se dyshimet e ngritura nga prokurori kanë bazë, atëherë ai e konfirmon aktakuzën. Nëse ai nuk është i bindur, aktakuza refuzohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë nga data e paraqitjes së aktakuzës për ta konfirmuar ose hedhur poshtë atë, plotësisht ose pjesërisht.

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake dhe prokurori i specializuar mund të takohen gjatë hetimit dhe para se të konfirmohet aktakuza.

Gjykatësi mund të kërkojë materiale shtesë nga prokurori për të vërtetuar aktakuzën, ose për ta shqyrtuar më tej atë.

Gjyqtari i procedurës paraprake mund të nxjerrë urdhra gjyqësorë dhe urdhra për arrestimin dhe sjelljen e personave para Dhomave të Specializuara, ose çfarëdo urdhri tjetër që mund të jetë i nevojshëm për të kryer hetimet dhe për të përgatitur një gjykim të shpejtë.

Pas konfirmimit të aktakuzës, i dyshuari merr statusin e të akuzuarit dhe aktakuza i dorëzohet personalisht të akuzuarit. Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë bëhet brenda shtatë ditësh pas dorëzimit të aktakuzës. Aktakuza është në dispozicion të publikut vetëm kur ajo konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake.

Moskonfirmimi i një aktakuze nuk e pengon prokurorin që të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar.

Reagimet e qytetarëve:

Qytetarët e quajnë të padrejtë aktakuzën e Gjykatës Speciale
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:01 0:00

Personi, kundër të cilit është konfirmuar aktakuza, në bazë të urdhrit gjyqësor, dërgohet në arrest, nëse nuk është i ndaluar. Ai menjëherë njoftohet për akuzat ndaj tij dhe sillet para Dhomave të Specializuara.

Në bazë të ligjit, nëse nuk është lëshuar urdhri i arrestit dhe personi është i lirë, i akuzuari ftohet të marrë pjesë në seancën e parë para Dhomave të Specializuara personalisht ose përmes video-lidhjes dhe gjyqtari i procedurës paraprake e lexon aktakuzën, ndërsa i akuzuari deklarohet për fajësinë.

Pas seancës së parë, gjyqtari i procedurës paraprake konfirmon se çështja është e gatshme për gjykim, ndërsa kryetari i Dhomave të Specializuara formon një panel gjykues, përgjegjës për zhvillimin e procedurave gjyqësore. Ky panel kujdeset që gjyqi të jetë i drejtë dhe i shpejtë.

Përgatiti: Valona Tela
  • 16x9 Image

    Amra Zejneli-Loxha

    Shefe e Byrosë së Radios Evropa e Lirë në Prishtinë. Studimet universitare i ka përfunduar në fushën e gazetarisë dhe të studimeve evropiane në Universitetin e Floridas në SHBA. Me gazetari ka nisur të merret nga viti 2001. Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2010.

XS
SM
MD
LG