Ndërlidhjet

Çfarë mund të përmbushë Mali i Zi nga kërkesat e Kroacisë?

Ministrat e Punëve të Jashtme të Kroacisë dhe Malit të Zi, Gordan Grliq Radman dhe Ervin Ibrahimoviq, në anijen Jadran në Bar, Mali i Zi, janar 2025.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Kroacisë dhe Malit të Zi, Gordan Grliq Radman dhe Ervin Ibrahimoviq, në anijen Jadran në Bar, Mali i Zi, janar 2025.

Ndjekja penale e krimeve të luftës, ndryshimi i emrit të pishinës në Kotor, kthimi i anijes dhe pagesa e dëmshpërblimeve për të burgosurit e kampeve, janë ndër kërkesat me të cilat Kroacia e kushtëzon anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE).

Në dokumentin që ka siguruar Radio Evropa e Lirë (REL) thuhet se çështjet kryesore të hapura “duhet të zgjidhen para se Mali i Zi të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”.

Zagrebi thekson se përparimi i arritshëm është vendimtar për të siguruar mbështetje të gjerë publike, politike dhe parlamentare në Kroaci, përfshirë ratifikimin e traktatit të anëtarësimit të Malit të Zi.

Një pjesë e këtyre kërkesave lidhen me mbylljen e kapitujve negociues 23 (gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe 31 (politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes).

Në çfarë faze është përmbushja e këtyre kërkesave dhe çfarë ka bërë Mali i Zi për çështjet e pazgjidhura me Kroacinë?

Kërkesa 1: Çështja e kampit të Morinjit

Disa nga kërkesat, si pagesa e dëmshpërblimeve për viktimat e kampit të Morinjit, tashmë janë duke u përmbushur. Mali i Zi nisi t'u paguante dëmshpërblime qysh në vitin 2014 të burgosurve kroatë që ishin mbajtur në kampin e luftës në Morinj.

Zdravko Begoviq, i cili ka përfaqësuar një numër të madh të të burgosurve të Morinjit, thotë se të gjitha çështjet gjyqësore janë përfunduar me vendime të formës së prerë, mbi disa baza ligjore.

“Gjithçka është paguar. Ata madje kanë ardhur në Mal të Zi dhe kanë dëshmuar për të gjitha këto”, shpjegoi Begoviq për Radion Evropa e Lirë.

“Shumat kanë qenë herë më të vogla, herë më të mëdha”, shtoi ai. “Disa kërkuan që, për shkak të shumës relativisht të vogël, të përgatisnim një ankesë për Strasburgun. I përgatitëm dhe tani po presim përgjigje”.

Zdravko Begoviq.
Zdravko Begoviq.

Ai thotë se nuk e di pse Kroacia kërkon dëmshpërblime për personat e mbajtur në kampin e Morinjit. Begoviq shton se mund të ketë disa të burgosur të cilët nuk i ka përfaqësuar, si dhe disa procese gjyqësore që janë ende në zhvillim, por se numri dërrmues i rasteve që ai ka përfaqësuar është përfunduar me vendime të formës së prerë.

“Në proceset gjyqësore është paguar gjithçka që ishte e mundur të paguhej”, tha ai.

Shumat e dëmshpërblimeve kanë ndryshuar në varësi të numrit të ditëve të kaluara në kamp dhe lëndimeve të pësuara nga secili person, duke filluar nga dhjetë euro deri në 40.000 euro.

Andrej Pllenkoviq.
Andrej Pllenkoviq.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se kërkesat e paraqitura kanë të bëjnë me çështje të pazgjidhura, të cilat, sipas tij, “lidhen me vlerat evropiane” dhe për të cilat Mali i Zi, për fat të keq, “deri më tani nuk ka bërë përparim”.

Kampi i Morinjit, që ndodhet pranë Kotorit, ishte qendër grumbullimi për të burgosurit nga Kroacia gjatë agresionit të ushtrisë së ish-Jugosllavisë (JNA) dhe të rezervistëve malazezë kundër Dubrovnikut në vitin 1991.

Nga tetori i vitit 1991 deri në gusht të vitit 1992, në kamp u mbajtën më shumë se 292 shtetas kroatë, kryesisht nga zona e Dubrovnikut.

Për keqtrajtimin e të burgosurve, Gjykata e Lartë në Podgoricë dënoi katër ish-rezervistë të JNA-së me burgim në vitin 2014.

Kërkesa 2: Përkujtimorja për viktimat e Morinjit

Më 13 tetor, Kuvendi i Malit të Zi miratoi ndryshimet në Ligjin për Përmendoret, të cilat parashikojnë mundësinë e miratimit retroaktiv të përmendoreve që tashmë janë ngritur, por për të cilat nuk është ndjekur më parë procedura e përcaktuar me ligj.

Kjo hap mundësinë që Qeveria të marrë vendim për miratimin retroaktiv të pllakës përkujtimore në Morinj, një tjetër kërkesë e paraqitur nga Kroacia.

Pllaka, kushtuar civilëve dhe mbrojtësve kroatë që u mbajtën të burgosur aty gjatë rrethimit të Dubrovnikut në vitin 1991, u zbulua në tetor të vitit 2022 nga ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme, Ranko Krivokapiq, dhe ministri i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq. Në ceremoni morën pjesë edhe ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, dhe ministri kroat për Veteranët e Luftës, Tomo Medved.

Kroacia thotë se ndërkohë rreth pllakës është vendosur një kornizë e madhe metalike, me sa duket për një panel që mund ta mbulojë pllakën, përveç rasteve kur zhvillohen ceremoni zyrtare përkujtimore.

Në fillim të tetorit, pllakën e vizitoi edhe ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grliq Radman, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, si dhe komisionaren evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Malit të Zi dhe Kroacisë, Ranko Krivokapiq dhe Gordan Grliq Radman, 10 tetor 2022.
Ministrat e Punëve të Jashtme të Malit të Zi dhe Kroacisë, Ranko Krivokapiq dhe Gordan Grliq Radman, 10 tetor 2022.

Në pllakë thuhet se në atë vend kishte qenë një kamp ku, gjatë “agresionit të Serbisë së Madhe kundër Kroacisë”, mbaheshin të burgosur kroatë.

Rreth dhjetë banorë të zonës u përpoqën ta pengonin zbulimin e pllakës përkujtimore në vitin 2022, duke pretenduar se ajo përmbante një klasifikim të rremë të ngjarjeve.

Kërkesa 3: Pishina në Kotor

Ekziston mundësia që një tjetër kërkesë e Kroacisë të përmbushet së shpejti: ndryshimi i emrit të pishinës së qytetit në Kotor.

Më 13 tetor, Kuvendi i Malit të Zi miratoi ndryshimet në Ligjin për Sportin, të cilat, ndër të tjera, parashikojnë që objektet sportive mund të emërtohen sipas personave që kanë vdekur të paktën 40 vjet më parë. Nga vdekja e Zoran Gopçeviqit, lojtarit të vaterpolos, emrin e të cilit mban pishina në fjalë, kanë kaluar 26 vjet.

Gopçeviqi ishte një nga lojtarët më të suksesshëm malazezë të vaterpolos. Gjatë viteve të luftërave të viteve 1990, ai punoi si roje në kampin e Morinjit.

Për këtë arsye, sipas raportimeve, klubet kroate kanë refuzuar të luajnë në atë pishinë, ndërsa përfaqësuesja kombëtare e Kroacisë ka kërcënuar me bojkotimin e finales së Superkupës së Botës në vitin 2025.

Pishina në Kotor.
Pishina në Kotor.

Gopçeviqi nuk u ndoq kurrë penalisht. Ai vdiq në vitin 2000, shtatë vjet para se prokuroria kroate t'ua dorëzonte kolegëve malazezë materialet lidhur me personat e dyshuar për krime në Morinj.

Organizata malazeze Aksioni për të Drejtat e Njeriut (HRA) dhe organizata kroate Documenta kanë deklaruar më herët se pajtohen që pishina duhet të riemërtohet, për shkak të respektimit të të drejtave të viktimave të torturës dhe të harmonisë ndëretnike.

Kërkesa 4: Ndjekja penale e autorëve të krimeve të luftës

Kroacia kërkon gjithashtu ndjekjen penale të autorëve të krimeve të luftës. Gjatë tri dekadave të fundit, në Mal të Zi janë zhvilluar nëntë procese gjyqësore për krime lufte, tha më herët për Radion Evropa e Lirë Bojana Maloviq, këshilltare juridike në Aksionin për të Drejtat e Njeriut.

Bojana Maloviq.
Bojana Maloviq.

“Nga nëntë rastet e mëparshme, shtatë të parat janë përfunduar tashmë me vendime të formës së prerë. Rastet Klapuh, Shtrpci, Morinj dhe Vlado Zmajeviq përfunduan me aktgjykime dënuese. Në rastet Deportimet, Bukovica dhe Kaluzherski Laz, të gjithë të akuzuarit u shpallën të pafajshëm. Bëhet fjalë për çështje në të cilat edhe një ekspert i Komisionit Evropian ka thënë se qëndrimet e gjykatës ishin të paprecedenta dhe dukshëm të gabuara”, tha Maloviq.

Dy procese janë ende në zhvillim, ndërsa aktakuza e fundit u ngrit në vitin 2024, sipas Aksionit për të Drejtat e Njeriut.

Në fillim të vitit të kaluar, kryeprokurori i posaçëm, Vladimir Novoviq, urdhëroi rifillimin e hetimeve për rastin e kampit të Morinjit. Prokuroria e Posaçme e Malit të Zi nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë për të sqaruar se në cilën fazë ndodhet ky rast.

Sipas drejtoreshës së Aksionit për të Drejtat e Njeriut, Tea Gorjanc Preleviq, raportet e Prokurorisë së Posaçme të Shtetit tregojnë se përparimi pengohet nga fakti që “Kroacia nuk u përgjigjet kërkesave për ndihmë juridike”.

“Presim që Prokuroria e Shtetit e Malit të Zi të bëjë publike se sa lëndë dhe prej sa kohësh janë në pritje të përgjigjeve nga Kroacia”, tha Gorjanc Preleviq.

Ajo shtoi se, nga ana tjetër, në Kroaci “prej 19 vjetësh, pa asnjë rezultat, po zhvillohen hetime paraprake në rastin Lora 3”, që ka të bëjë me krimet ndaj të burgosurve malazezë të luftës në Split.

Kërkesa 5: Çështja e personave të zhdukur

Kroacia kërkon të zbardhet fati i 14 shtetasve kroatë të zhdukur, me bashkëpunim të plotë të autoriteteve malazeze, shkëmbim informacioni dhe qasje në arkiva.

Sipas të dhënave të Komisionit për Personat e Zhdukur të Qeverisë së Malit të Zi, në listën e personave të zhdukur janë 50 persona.

Të dyja vendet kanë arritur një marrëveshje për bashkëpunim në zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur që nga viti 2017.

Tea Gorjanc Preleviq konsideron se kërkesat e Kroacisë për personat e zhdukur dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës të kryera në territorin kroat janë të drejta.

Tea Gorjanc Preleviq.
Tea Gorjanc Preleviq.

“Mali i Zi mund dhe duhet t'i përmbushë ato në masën që varet prej tij. Megjithatë, këto çështje nuk mund të zgjidhen pa bashkëpunimin e plotë të të dyja shteteve”, shtoi Gorjanc Preleviq.

Ajo konsideron gjithashtu se Mali i Zi duhet të hapë arkivat, përfshirë dokumentacionin ushtarak, dhe të dorëzojë të dhënat për 14 shtetasit e zhdukur kroatë.

“Në të njëjtën kohë, në morgjet kroate gjenden rreth 800 mbetje mortore të paidentifikuara. Nuk mund të përjashtohet mundësia që mes tyre të jenë edhe disa nga personat e zhdukur. Edhe Mali i Zi pret informacione nga Kroacia për tre persona të zhdukur”, tha Gorjanc Preleviq, duke shtuar: “Familjet e personave të zhdukur po presin prej më shumë se tre dekadash”.

Kërkesa 6: Çështjet pronësore të kroatëve

E pazgjidhur mbetet çështja e të drejtave pronësore të familjeve kroate, përfshirë 51 familje nga Tivati dhe familje të tjera nga gjiri i Kotorit.

Nga Kroacia thonë se kërkesat e tyre nuk janë zgjidhur, pavarësisht vendimeve gjyqësore të formës së prerë apo proceseve të gjata gjyqësore.

Pallati Tripkoviq.
Pallati Tripkoviq.

Njëra prej këtyre familjeve është ajo e Tripkoviqëve, të cilët prej dekadash përpiqen të rikthejnë pronën e konfiskuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë viteve të luftës në vitet 1990.

“Edhe sot, kur i mbyll sytë, dëgjoj zhurmën e detit dhe bulkthin para pallatit. Shoh xixëllonjat në bar, kujtoj vapën, freskueset e dorës dhe pushimet e pasdites. Është sikur gjithçka atje vazhdon të jetojë”, tha në një intervistë të mëparshme për Radion Evropa e Lirë Mirjana Tripkoviq-Pantar, pasardhëse e një familjeje të vjetër detarësh nga Dobrota, pranë Kotorit.

Ajo sot jeton në Rjekë dhe thotë se familjes së saj, nga 500.000 metra katrorë tokë që kishte dikur në vendbanimet Shkalari, Dobrota dhe Kavaç të Kotorit, i kanë mbetur vetëm disa parcela.

Sipas saj, që nga konfiskimi i pronës në vitin 1945 e deri më sot, familjes i është marrë gradualisht gjithçka.

Fillimisht, thotë ajo, ndodhi shtetëzimi i pronës, pastaj shpronësimi, ndërsa nga viti 1991 deri në vitin 2000 u bënë regjistrime të paligjshme në kadastër.

“Me këto regjistrime na u morën më shumë se 90 për qind e pronës që na kishte mbetur pas shtetëzimit dhe shpronësimit”.

Ajo thotë se gjatë viteve 1990, anëtarët e familjes së saj nuk shkonin në gjirin e Kotorit dhe se pikërisht atëherë u bë “modernizimi i kadastrës”. Gjatë këtij procesi, sipas saj, ndryshuan numrat e parcelave dhe u riorganizuan kufijtë e tyre: një parcelë ndahej në dy ose tri të tjera, një pjesë e saj i shtohej një parcele tjetër e kështu me radhë.

“Kur erdhëm në gjirin e Kotorit në vitin 2003, pamë se na kishin plaçkitur. Më shumë se 90 për qind e pronës nuk ishte më e regjistruar në emër të familjes sonë, por në emër të palëve të treta: personave me emër e mbiemër, personave të panjohur, kompanive të ndryshme, komunës e të tjerëve”.

Pallati i Tripkoviqëve sot është pronë e sipërmarrësit malazez Branko Qupiq.

Kërkesa 7: Çështja e kufirit

Një nga çështjet e tjera të hapura për të cilat insiston Kroacia është kufiri në gadishullin e Prevlakës. Bëhet fjalë për një gadishull 2.6 kilometra të gjatë, në hyrje të gjirit të Kotorit.

Pamje e gadishullit të Prevlakës.
Pamje e gadishullit të Prevlakës.

Kroacia kërkon që Mali i Zi të konfirmojë se respekton kufirin e dikurshëm mes dy republikave, në përputhje me parimin e konfirmuar nga Komisioni i Badinterit, sipas të cilit shtetet e reja trashëgojnë kufijtë ekzistues.

Kroacia kërkon gjithashtu nënshkrimin e një marrëveshjeje për kufirin tokësor, bazuar në tri hartat ekzistuese.

Pas zgjidhjes së kufirit tokësor, Kroacia do të ishte e gatshme të thërriste rregullisht komisionet për përcaktimin e kufirit detar, pa caktuar afate kohore.

Pas konflikteve të luftës, Prevlaka, e cila ndodhet në hyrje të gjirit të Kotorit, u vu nën kontrollin e vëzhguesve të Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2002. Në atë kohë, me Protokollin për Regjimin e Përkohshëm Kufitar, u përcaktua se Kroacisë i takonte pjesa tokësore e gadishullit dhe brezi detar në hyrje të gjirit të Kotorit, ndërsa një pjesë e hapësirës detare përgjatë bregut të majtë të gadishullit u shpall “det i askujt”.

Ky status është në fuqi edhe sot, ndonëse qeveritë e të dyja vendeve nisën kërkimin e një zgjidhjeje të përhershme që në vitin 2008.

Në fillim të qershorit, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se mendon që Kepi i Oshtros, pjesë e Prevlakës, duhet t'i takojë Malit të Zi. Sipas tij, kjo është në interes të shtetit, “sepse në këtë mënyrë ruhet hyrja në gjirin e Kotorit”.

Kërkesa 8. Anija “Jadran”

Megjithatë, çështje të tjera, si ajo e anijes shkollore “Jadran”, mbeten pa përparim.

Anija shkollore “Jadran”, e ankoruar në Tivat, është një nga çështjet për të cilat Kroacia i ka dërguar Malit të Zi nota proteste të paktën dy herë.

Anija Jadran
Anija Jadran

Më 9 tetor, të dyja vendet mbajtën në Zagreb takimin e parë të komisioneve të përbashkëta, duke nisur zyrtarisht negociatat për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe të hapura. Komisionin malazez e drejtoi ministri i Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, ndërsa atë kroat ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordan Grliq Radman.

Megjithatë, pas takimit, Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi njoftoi se “Mali i Zi mbetet në qëndrimin e tij lidhur me pronësinë e anijes shkollore ‘Jadran’ dhe pret që kësaj çështjeje, ashtu si edhe çështjes së trashëgimisë së pronës ushtarake, t'i qaset në mënyrë të përgjegjshme, me durim dhe duke marrë parasysh argumentet e të dyja palëve”.

Ministria shtoi se “konsultimet e mëtejshme dhe shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur duhet të ndihmojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe dialogut konstruktiv”.

Sipas Kroacisë, anija ndodhej në Mal të Zi për riparim kur shpërtheu lufta në vitin 1991 dhe i takon Kroacisë në bazë të Marrëveshjes për Çështjet e Trashëgimisë së vitit 2001.

Deri në shpërbërjen e Jugosllavisë, “Jadran” ishte pronë e Flotës Ushtarake Detare të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë (JNA), me bazë në Split.

Pas luftës, u ra dakord që prona e përbashkët e Jugosllavisë mund të konsiderohej pronë e republikës në territorin e së cilës ndodhej në momentin e shpërthimit të konfliktit.

Në vitin 1991, anija “Jadran” ndodhej në Tivat për riparim. Kështu, ajo mbeti në zotërim të Malit të Zi, gjë që kundërshtohet nga Kroacia, pasi porti i saj bazë ishte Spliti.

Mali i Zi ka shënuar përparimin më të madh në procesin e zgjerimit të BE-së krahasuar me vendet e tjera kandidate dhe konsiderohet vendi me gjasat më të mëdha për t'u bërë anëtarja e ardhshme e Bashkimit Evropian.

Në negociatat e anëtarësimit, Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 21 kapituj, ndërsa 12 të tjerë pritet të mbyllen.

Qëllimi i Qeverisë në Podgoricë është që negociatat t'i përfundojë deri në fund të këtij viti. Duke pasur parasysh kalendarin dhe numrin e kapitujve të mbetur, ky është një plan shumë ambicioz, por jo i pamundur.

Megjithatë, zyrtarët evropianë po e përmendin gjithnjë e më shpesh mundësinë që negociatat të përfundojnë në fillim të vitit 2027.

Në prill, shtetet anëtare të BE-së miratuan nisjen e hartimit të projekttraktatit të anëtarësimit të Malit të Zi. Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, la të kuptohej se traktati mund të nënshkruhet qysh verën e ardhshme.

Për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull, si dhe për tekstin përfundimtar të Traktatit të Anëtarësimit, nevojitet miratimi i të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

​
XS
SM
MD
LG