Ndërlidhjet

Çfarë parasheh Traktati për Armët Bërthamore?


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin. Helsinki, 16 qershor, 2018.

I nënshkruar në mes të Shteteve të Bashkuara dhe ish-Bashkimit Sovjetik më 1987, Traktati për Armët Bërthamore, ka ndaluar përdorimin, posedimin dhe testimin e të gjitha raketave bërthamore dhe atyre jobërthamore me rreze të shkurtër dhe mesme veprimi, përveç armëve të nisura nga deti.

Pakti është nënshkruar afër përfundimit të Luftës së Ftohtë, periudhë kohore, e cila është përshkruar si tejet tensionuese në mes të Shteteve të Bashkuara dhe ish-Bashkimit Sovjetik.

Mirëpo presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë së fundmi se Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë Rusinë “të krijojnë armë derisa neve nuk na lejohet” një gjë e tillë.

“Nuk e di pse presidenti amerikan, Barack Obama nuk ka negociuar apo nuk është larguar” nga deklaruar Trump duke iu referuar këtij Traktati gjatë një tubimi në Nevada.

Më 2014, presidenti Obama pati akuzuar Rusinë për shkelje të kësaj marrëveshjeje, pas dyshimeve se rusët kanë testuar raketa tokësore, megjithatë ai kishte vendosur të mos hiqte dorë nga pakti edhe pas presionit të liderëve evropianë, të cilët kanë thënë se një vendim i tillë do të niste sërish garë armësh.

Mirëpo, Shtetet e Bashkuara kanë insistuar se rusët kanë zhvilluar një raketë me rreze të mesme veprimi, të quajtur Novator 9M729.

Kjo raketë është thënë se i mundëson Rusisë të nisë sulme bërthamore drejt shteteve të NATO-s.

Mirëpo Rusia ka komentuar pak këtë armë, përveç mohimit se është në kundërshtimin me Traktatin e nënshkruar me SHBA-në.

Lideri sovjetik Mikhail Gorbatchev dhe presidenti amerikan Ronald Regan duke nënshkruar Traktatin për Armët bërthamore. Uashington, 8 dhjetor, 1987.
Lideri sovjetik Mikhail Gorbatchev dhe presidenti amerikan Ronald Regan duke nënshkruar Traktatin për Armët bërthamore. Uashington, 8 dhjetor, 1987.

Kongresi pa konsensus

Në Kongres nuk duket se ka ndonjë mendim të ndarë rreth asaj nëse presidenti amerikan, Donald Trump është duke bërë vendimin e duhur për ta tërhequr SHBA-në nga marrëveshja për kontrollin e armëve me Rusinë.

Senatori, Rand Paul ka thënë se mendon që ky vendim do të ishte “gabim shumë shumë i madh për t’u larguar nga marrëveshje historike. Ai ka thënë për "Fox News Sunday" se të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje, ndërkohë që ai ka kërkuar “diskutime racionale” me ekspertët për të parë nëse Uashingtoni dhe Moska mund të zgjidhin dallimet.

Mirëpo senatori, Lindsey Graham, ka mbështetur Trumpin për vendimin e tij.

“Absolutisht, vendimi i duhur. Rusët na kanë mashtruar”, është shprehur ai për Fox News.

*Video nga arkivi: Armët e ‘pamposhtura’ të Putinit

Armët e ‘pamposhtura’ të Putinit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:58 0:00

Gjermania: Vendimi i Trumpit, “fatkeq”

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass ka thënë se synimi i Trumpit për t’u larguar nga kjo marrëveshje me Rusinë është “fatkeq”.

Ai ka thënë në një deklaratë se Traktati është “shtyllë e rëndësishme për arkitekturën e sigurisë evropiane”.

Sipas tij njoftimi i Trumpit “ngrit pyetje të vështira për ne në Evropë”.

Përveç tjerash ai ka kërkuar nga Moska që të “qartësojë supozimet serioze për shkelje të Traktatit me SHBA-në, ndonëse Rusia mohon një gjë të tillë”.

Britania “në linjë” me SHBA-në

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson ka thënë se shteti i tij qëndron në linjë të njëjtë me Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë Traktat.

Williamson ka fajësuar Rusinë për rrezikim të Traktatit dhe i ka bërë thirrje Kremlinit të “rregullojë shtëpinë e vet”.

Duke mbështetur Trumpin, Williamson ka thënë për Financial Times se Moska është “tallur” me Traktatin për kontrollin e armëve.

Rusia e cilëson vendimin e Trumpit “të rrezikshëm”.

Zëvendës-ministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov ka thënë se synimi i Trumpit për t’u larguar do të “ishte hap i rrezikshëm”.

Sipas tij një vendim i tillë do të nxisë “dënim nga anëtarët më seriozë të komunitetit ndërkombëtar, të cilët janë të përkushtuar në sigurinë dhe stabilitetin e botës”.

Ndërkohë, udhëheqësi i Komitetit për Çështja të Jashtme në Dhomën e Lartë të parlamentit të Rusisë, Konstatin Kosachev ka thënë përmes një postimi në Facebook se tërheqja e SHBA-së nga kjo marrëveshje tregon se “njerëzimi është duke u përballur me kaos në fushën e armëve bërthamore”.

Në pesë dekadat e fundit Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë nënshkruar një varg marrëveshjesh të përbashkëta për të kufizuar arsenalin e tyre bërthamor.

Hera e fundit kur autoritetet amerikane kanë tërhequr nga një pakt i madh, ka qenë më 2002, kur presidenti i atëhershëm amerikan, George W.Bush ka tërhequr SHBA-në nga Traktati i Raketave Anti-Balistike, e cila ka paraparë ndalimin e prodhimit të armëve që luftojnë raketat balistike.

Pas këtij vendimi, presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Traktati për Armët Bërthamore nuk është më në shërbim të interesave të Rusisë.

E Trump në anën tjetër, përveç që ka akuzuar Rusinë për shkelje të paktit, ka deklaruar se Amerika do të vazhdojë të zhvillojë raketa të cilat janë të ndaluara me këtë Traktat, përveç nëse Kina dhe Rusia pajtohen për të mos zhvilluar apo poseduar armë të tilla.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG