Ndërlidhjet

Shefi i CIA-s: Putin me "vetëbesim të tepruar” se mund ta mposhtë Ukrainën


Shefi i CIA-s, William Burns. Fotografi nga arkivi.
Shefi i CIA-s, William Burns. Fotografi nga arkivi.

Teksa lufta e Rusisë në Ukrainë ka hyrë në vitin e dytë, shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, ka “vetëbesim të tepruar” për aftësitë e ushtrisë së tij për ta mposhtur Ukrainën.

Në një intervistë televizive, Burns ka thënë se udhëheqësi i shërbimeve ruse të inteligjencës e ka shpërfaqur në disa takime të mbajtura në nëntor “një ndjesi të mendjemadhësisë” që më pas ka reflektuar në besimet e Putinit se “ai mund t’i mposhtë ukrainasit dhe t’i rraskapitë aleatët tanë evropianë, dhe që në fund do të ketë lodhje politike”.

Burns ka thënë se bisedat e zhvilluara atë muaj me zyrtarë rusë – në të cilat ka shefi i CIA-s ka paralajmëruar për pasoja nëse Rusia përdor armën bërthamore në Ukrainë – kanë qenë shumë "dekurajuese".

Shefi i CIA-s e ka konsideruar Putinin si “goxha të vendosur” për ta vazhduar luftën, pavarësisht numrit të viktimave, dështimeve të taktikave dhe dëmit ekonomik që i është shkaktuar Rusisë.

“Mendoj se Putin tani ka vetëbesim të tepruar për aftësitë e tij për ta dërrmuar Ukrainën”, ka thënë Burns në një intervistë në rrjetin amerikan, CBS.

Sipas Burnsit, “në një pikë, ai [Putini] do të duhet të përballet me koston e luftës, si dhe dërgimin e kufomave në disa prej rajoneve më të varfra të Rusisë”, ku sipas tij, shumë rekrutë po hidhen “si mish për top”.

Burns ka thënë, po ashtu, se Putini është duke e nënvlerësuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, duke thënë se ai beson që amerikanët “kanë mungesë vëmendjeje dhe do të kalojnë në ndonjë temë tjetër më të rëndësishme”.

Komentet e tij janë publikuar në një pikë kritike për luftën, pasi administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, “është e bindur se udhëheqësia kineze” është duke shqyrtuar mundësinë e dërgimit të armëve “vdekjeprurëse” ushtarake në Rusi.

“Do të ishte një bast shumë i rrezikshëm dhe jo i mençur”, ka thënë Burns, duke shtuar se diçka e tillë vetëm sa do të tensiononte lidhjet në mes të dy ekonomive më të mëdha në botë.

“Prandaj, shpresoj që të mos veprojnë në këtë drejtim”.

Burns ka thënë se lideri kinez, Xi Jinping, është duke shikuar nga afër zhvillimet në luftë dhe “mendoj se ai disi ka qenë i shqetësuar dhe i vetëdijshëm për atë që ka parë”.

Drejtori i CIA-s ka folur edhe për atë që e ka konsideruar “turpërim të Putinit në Rusi” dhe ka thënë se në sistemet autoritare “ku askush nuk të sfidon”, një lider “mund të bëjë gabime të mëdha”.

Ndërkohë, pikëpyetjet për ndihmë ushtarake dhe drejtimin e luftës kanë qenë temë diskutimi edhe në Shtetet e Bashkuara, pasi ligjvënësit republikanë e kanë kritikuar administratën për mosdërgimin e aeroplanëve ushtarakë F-16 në Ukrainë.

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke i dërguar Ukrainës ndihmën e nevojshme ushtarake për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia.

Politika e brendshme në SHBA, lidhur me ndihmën për Ukrainën, është komplikuar së fundi nga disa anëtarë të Kongresit, të cilët kanë thënë se administrata e Bidenit duhet të fokusohet më shumë në nevojat e brendshme.

Republikani Michael McCaul, udhëheqës i Komitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se aeroplanët dhe artileria me rreze të gjatë, mund të ndihmojë në dhënien fund të luftës, në kohë më të shkurtër.

“Krejt kjo situatë po zgjat shumë”, ka thënë McCaul.

“Dhe, realisht, nuk është dashur të ndodhte kështu”, ka thënë McCaul, republikan nga Teksasi.

Javën e kaluar, Ukraina e ka fituar mbështetjen e vendeve baltike dhe Polonisë për të siguruar aeroplanë luftarakë perëndimorë, mirëpo fuqitë si Shtetet e Bashkuara dhe Britania nuk duket se do të lëvizin nga refuzimi për të dërguar pajisje të tilla në Kiev.

Biden ka thënë në një intervistë për rrjetin ABC News, të premten, se nuk e ka në plan të dërgojë aeroplanë luftarakë në Ukrainë dhe se do nuk do t’iu duhen ukrainasve në të ardhmen e afërt.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG