Ndërlidhjet

Të paktën 40 civilë të vrarë nga bombardimet në Gutan Lindore


Një grua siriane mban një fëmijë derisa ikën nga sulmet ajrore të qeverisë siriane në enklavën e mbajtur nga rebelët në Ghouta, në periferi të kryeqytetit Damask.
Një grua siriane mban një fëmijë derisa ikën nga sulmet ajrore të qeverisë siriane në enklavën e mbajtur nga rebelët në Ghouta, në periferi të kryeqytetit Damask.

Të paktën 40 civilë janë vrarë nga sulmet ajrore në periferi të Gutas Lindore, pasi bisedimet që sponsorizohen nga Rusia për tërheqjen e rebelëve, kanë dështuar.

Me mbështetjen e Rusisë, forcat siriane kanë marrë nën kontroll të gjitha territoret në periferi, përveç qytetit të madh të Dumas, ku grupi rebel Jaish al-Islam, vazhdon ta ketë nën kontroll këtë qytet.

Moska ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje me grupin rebel më 1 prill, që u pasua me tri ditë evakuime, ku nga kjo zonë u larguan rreth 3 mijë luftëtarë dhe civilë dhe u dërguan në veri të Sirisë.

Por, evakuimet u ndërprenë pasi u raportua se në mesin e grupit Jaish al-Islam ka fraksione që kundërshtojnë tërheqjen, duke bërë që forcat qeveritare siriane të rinisin bombardimet, pas 10 ditësh pushim.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka thënë se nga sulmet ajrore që kanë goditur pjesë të ndryshme të qytetit Duma, janë vrarë “të paktën 40 civilë, përfshirë tetë fëmijë”.

Kreu i kësaj organizate, Rami Abdel Rahman, ka thënë se dhjetëra persona janë plagosur dhe situata humanitare brenda Dumas është “tragjike”, pasi shumë të plagosur po vdesin për shkak të mungesës së kujdesit mjekësor.

Në periferi të Dumas, ushtria siriane ka rrethuar qytetin dhe ka zhvilluar betejë me luftëtarët e grupit rebel, ka njoftuar kjo organizatë dhe agjencia shtetërore e lajmeve siriane SANA.

Agjencia SANA ka thënë se sulmet ajrore janë kryer në kundërpërgjigje ndaj sulmeve me mortajë nga rebelët në Duma, që kanë goditur disa pjesë në periferi të Damaskut, duke vrarë një person dhe plagosur katër të tjerë.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut ka konfirmuar këto viktima, por zëdhënësi i Jaish al-Islam ka mohuar se grupi ka kryer sulmet në Damask.

Qeveria siriane ka thënë se rebelët në Duma duhet të pajtohen që të largohen me autobusë për në qytetin verior Jarablus, ose të qëndrojnë në qytet, të dorëzojnë armët dhe të fitojnë amnisti.

Amnistia do të përfshinte shërbimin ushtarak për të rinjtë në ushtrinë siriane prej gjashtë deri në dhjetë muaj. Po ashtu, ushtria ka thënë se civilët duhet të qëndrojnë dhe siguria e tyre do të garantohet nga Rusia.

Siria dhe Rusia kanë ndërmarrë sulme të mëdha në Gutan Lindore që prej mesit të shkurtit, duke vrarë mbi 1 mijë e 600 civilë.

Kjo enklavë gjendet në lindje të kryeqytetit Damask dhe është nën kontrollin e rebelëve që prej vitit 2012.

Muajin e kaluar, pas një marrëveshjeje të mbështetur nga Rusia, janë evakuar më shumë se 46 mijë rebelë dhe civilë dhe janë dërguar në provincën Idlib, që nuk është nën kontrollin e Qeverisë siriane.

Dhjetëra mijëra njerëz, gjithashtu, janë larguar përmes korridoreve humanitare, që janë hapur nga Rusia dhe trupat siriane.

Ende nuk është e qartë pse bisedimet ndërmjet Moskës dhe grupit rebel kanë dështuar.

Agjencia SANA ka thënë se bisedimet kanë dështuar pasi rebelët kanë refuzuar që të lirojnë të burgosurit që i mbajnë në Duma. Kjo agjenci ka thënë se ushtria siriane “nuk do të ndalë operacionet kundër grupit Jaish al-Islam derisa të lirohen pengjet”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG