Ndërlidhjet

Debat, por jo edhe shkarkime për shkrepje armësh


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi

Opozita e ka ftuar në interpelancë para Kuvendit, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në lidhje me një video të publikuar, ku zëvendëskryeministri Dardan Gashi, shihet duke shtënë me armë zjarri.

Kërkesa për interpelancë është iniciuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Aty kërkohen sqarime në lidhje me përdorimin e paautorizuar të armës nga zëvendëskryeministri Dardan Gashi, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Në videon e njëjtë shihen të jenë të pranishëm edhe zyrtarë tjerë.

Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kërkuar nga kryeministri Haradinaj, shkarkimin e Dardan Gashit nga pozitat zyrtare.

Skena të tilla të shkrepjes më armë, tha Zemaj, janë akte kriminale që janë të ndaluara me ligjet e Kosovës.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon përgjegjësi nga Qeveria karshi këtyre veprimeve të rrezikshme dhe me shkelje të rënda ligjore. Veprime të tilla janë të dënueshme edhe me Kodin Penal të Republikës se Kosovës”.

“Kërkojmë menjëherë shkarkimin e zëvendëskryeministrit, njëherësh ministrit të Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe personave tjerë qeveritarë të përfshirë në këtë ngjarje”, tha Zemaj.

Pas debatit, Kuvendi votoi në formë mocioni kërkesën e LDK-së, e cila nuk mori mbështetjen e nevojshme.

Me 36 vota për, 49 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi nuk e miratoi mocionin e propozuar nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Dardan Gashi.

Paraprakisht, kryeministri, Ramush Haradinaj tha se është e papranueshme shkrepja më armë, por që siç thotë ai, kjo shkrepje është në kuadër të traditave që ende nuk janë zhdukur në Kosovë.

Kryeministri Haradinaj, tha se nuk mund të marrë ndonjë masë kundër zëvendëskryeministrit, për shkak se lënda është në procesin gjyqësor.

“E marr si mundësi që trajtimin e kësaj teme në Kuvend dhe interpelancë ta kthejmë në vëmendje dhe të orientohemi nga zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës. Kurse, traditën ta kultivojmë pa rrezikuar jetën e askujt dhe që nuk bie ndesh më ligjin dhe Kushtetutën e vendit”, tha Haradinaj.

Sipas Haradinajt, kërkesa për masa tjera, përfshirë edhe shkarkimin, është hershme.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka kritikuar veprimin e Gashit, duke e cilësuar atë në kundërshtim më ligjet në fuqi.

“Por, problemi merr dimension më shqetësuese kur kuptohet se ku ka ndodhur ngjarja. Kjo ngjarje ka ndodhur në shtëpinë e zëvendëskryeministrit tjetër”.

“Por, edhe më shqetësues bëhet problemi kur merret vesh arsyeja pse janë mbledhur. Janë mbledhur për të festuar që zëvendëskryeministri tjetër ka dalë i pafajshëm prej drejtësisë, për shkak të aktakuzës për korrupsion”, tha Konjufca.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi nuk e arsyeton veprimin e Dardan Gashit, por veprimin e tillë nuk e konsideron të jashtëzakonshëm. Ai madje e ka quajtur joserioz debatin në Kuvend.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka njoftuar deputetët se Policia e Kosovës ka kryer detyrën dhe janë proceduar të gjitha veprimet e nevojshme.

Tani lënda në fjalë, ka thënë ministri Sefaj, është në duart e Prokurorisë.

Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë ngjarje apo vepër, sipas ministrit, do të trajtohen nga sistemi i drejtësisë e pastaj edhe nga sistemi politik.

XS
SM
MD
LG