Si u shtrembërua debati për shëndetin riprodhues dhe Kodin Civil nga dezinformatat?

Një protestë e mbajtur më 2024 para Kuvendit të Kosovës, ku pjesëmarrëset thanë se “deputetët dhe deputetet s’kanë mandat t’i cenojnë trupat tanë”.
Një protestë e mbajtur më 2024 para Kuvendit të Kosovës, ku pjesëmarrëset thanë se “deputetët dhe deputetet s’kanë mandat t’i cenojnë trupat tanë”.

Përshëndetje! Në 3 minuta është një newsletter i Radios Evropa e Lirë, ku përpiqemi që zhvillimet më të rëndësishme t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip.

Në Kosovë, debatet për shëndetin riprodhues dhe Kodin Civil kanë nxitur sërish kundërshtime politike dhe publike. Por, përtej qëndrimeve pro dhe kundër, dallimi mes asaj që shkruhet në projektligje dhe asaj që pretendohet për to mbetet i ndjeshëm.

Të enjteve, Radio Evropa e Lirë ju sjell një material të kompletuar për temën më të përfolur të javës, dhe ju njofton se çfarë ia vlen të dini për të.

Për ta pranuar të parët në emailin tuaj, para publikimit në ueb-faqen e REL-it, regjistrohuni falas!

Në një video të parë nga rreth 45 mijë persona në llogarinë e tij në Facebook, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, nga salla e Kuvendit flet për Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor.

Duke iu referuar nenit që parasheh mundësinë e sterilizimit të vajzave mbi 18 vjeç, me kërkesën dhe pëlqimin e tyre, ai thotë: “... Qeveria e ka futur në ligj dhe do ta bëjë obligative...”

Por, sterilizimi nuk parashihet të jetë obligativ. Neni 8 i projektligjit e parasheh sterilizimin si zgjedhje të vullnetshme. Sipas tij, vajzat mbi 18 vjeç dhe djemtë mbi 23 vjeç mund t’i nënshtrohen procedurës pa lejen e komisionit për vlerësim mjekësor. Për personat nën këto mosha, projektligji përcakton kushte të veçanta.

Megjithatë, Rrahmani nuk e ka adresuar ende gabimin në videon e publikuar në Facebook gjashtë ditë më parë.

Kjo video është vetëm një nga rastet e debatit që është rihapur në Kosovë rreth shëndetit riprodhues, një temë që kishte nxitur kundërshtime të shumta edhe para dy vjetësh dhe ishte përcjellë me dezinformata.

Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) të dijë se sa procedura të tilla janë realizuar nëpër institucionet shëndetësore publike apo private deri më tani, meqë kjo procedurë nuk është aktualisht e ndaluar.

Përkundrazi, ajo lejohet përmes disa dokumenteve ligjore dhe nuk parasheh kufizime në moshë:

• Ligji për Shëndetin Riprodhues, i vitit 2008, mundëson këtë procedurë për çdo individ “në përputhje me dëshirat e veta”, pa paraparë kufizim në moshë;

• Ligji për Shëndetësi, i vitit 2013, mundëson atë për këdo që bën kërkesë individuale, “pas konsultimit mjekësor”, sërish pa kufizim në moshë.

Si në Kosovë, edhe në Shqipëri projektligji për shëndetin riprodhues parasheh mundësinë e sterilizimit sipas vullnetit të lirë për vajzat mbi 18 vjeç dhe djemtë mbi 23 vjeç. Në rajon dhe botë, ky limit dallon nga 18 deri në 35 vjeç.

REL po ashtu kërkoi nga MSH-ja sqarime se pse projektligji parasheh kufizime të ndryshme të moshës për vajzat dhe djemtë në lidhje me sterilizimin. As për këtë nuk mori përgjigje.

Në të kaluarën, debati për këtë projektligj është fokusuar te kundërshtimet që fertilizimi i asistuar mjekësor, i njohur si IVF, t’u mundësohet grave pavarësisht statusit të tyre, pra: qofshin beqare, qofshin në një çift homoseksual apo heteroseksual.

"Pa mitër, s’ke të drejtë të japësh mendim" thuhet në pankartën e një nxënëseje gjatë një proteste në Prishtinë më 2021.
"Pa mitër, s’ke të drejtë të japësh mendim" thuhet në pankartën e një nxënëseje gjatë një proteste në Prishtinë më 2021.

Për Blenda Asllanin, aktiviste feministe, kundërshtimet ndaj të drejtave riprodhuese dhe barazisë gjinore nuk janë vetëm debat rreth përmbajtjes së ligjeve dhe kundërshtimeve politike.

“Përmes dezinformimit, të drejtat paraqiten si kërcënim ndaj familjes, moralit apo identitetit kombëtar. Trupi dhe autonomia e grave vazhdojnë kështu të përdoren si instrument për mobilizim politik”, thotë Asllani për REL-in.

Sipas saj, paraqitja e të drejtave të grave si kërcënim për familjen, fëmijët apo vlerat shoqërore mund të shërbejë për ta normalizuar kufizimin e lirive të tyre dhe për ta mobilizuar elektoratin përmes frikës.

“Qëllimi politik është të ruhet kontrolli mbi gratë, trupat e tyre dhe zgjedhjet që ato bëjnë për jetën e tyre”, thotë ajo.

Pasojat, sipas Asllanit, nuk kufizohen vetëm te debati i momentit. Në afatgjatë, ky diskurs, thotë ajo, mund ta normalizojë kontrollin mbi trupat dhe vendimmarrjen e grave dhe ta bëjë më të vështirë ushtrimin e të drejtave të fituara ndër vite.

Në programin e vet, Qeveria e Kosovës ka paraparë që këtë projektligj ta vendosë për votim në Kuvend më 30 dhjetor të këtij viti.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Qeverinë nëse ka pasur konsultime me grupet parlamentare dhe nëse ka siguruar mbështetje këtë herë për këtë ligj, por nuk ka marrë përgjigje.

Edhe Kodi Civil ka nxitur debat që kur Kuvendi i Kosovës rifilloi punën pas bllokadës institucionale të dy vjetëve të fundit. Qeveria kishte planifikuar ta miratonte më 15 nëntor, por atë ditë projektkodi ishte ende në konsultim publik.

Ky projektkod ka 1.630 nene dhe rregullon jetën e qytetarëve të Kosovës nga pronësia e trashëgimia deri te detyrimet në marrëveshjet familjare.

Por, kur u publikua për konsultim publik që përfundoi më 16 nëntor, qindra qytetarë e kundërshtuan duke u fokusuar te pjesa që rregullon martesat dhe bashkësitë civile.

"Dashuria është dashuri": Pankarta në Paradën e Krenarisë, të mbajtur në Prishtinë më 2024.
"Dashuria është dashuri": Pankarta në Paradën e Krenarisë, të mbajtur në Prishtinë më 2024.

Kodi Civil parasheh martesë vetëm mes burrit dhe gruas, por regjistrim të bashkësive civile edhe ndërmjet personave të së njëjtës gjini. Në debat, kjo dispozitë është paraqitur si lejim i martesave mes personave të së njëjtës gjini.

Edhe kur Kodi Civil u diskutua për herë të parë në Kuvend, dallimi mes martesës dhe bashkësisë civile u bë temë debati mes kryetarit të atëhershëm të Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe disa deputetëve të koalicionit qeverisës, përfshirë Eman Rrahmanin, atëherë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Kundërshtimet fokusoheshin te pretendimet se njohja e bashkësive civile mes personave të së njëjtës gjini po shkatërronte “institucionin e familjes” dhe kishin përfshirë edhe dezinformata të ndryshme për mënyrën se si marrëdhëniet e tilla ndikojnë në shëndet publik.

Ky projektkod, tashmë ka tejkaluar afatin e paraparë nga Qeveria për miratim, që ishte më 15 nëntor. Ende nuk dihet se kur do të dërgohet në Kuvend.

Miratimi i tij është një nga kushtet e Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian. Sipas dokumentit zyrtar të kësaj agjende, për këtë reformë janë paraparë rreth 9.4 milionë euro. Nëse Kosova nuk e përmbush këtë hap brenda afatit të përcaktuar, rrezikon të mos i përfitojë këto mjete.

Faleminderit që e lexuat këtë newsletter! Nëse ju pëlqeu, ju ftojmë ta shpërndani me të tjerët. (Ata mund të abonohen falas këtu për ta pranuar çdo numër të newsletter-it tonë).

Për fund, ju rekomandojmë t'i shikoni disa materiale të përzgjedhura që i kemi publikuar ditëve të fundit:

Keni diçka për të na thënë? Duam t’ju dëgjojmë. Na shkruani në evropaelire@rferl.org.

​
XS
SM
MD
LG