Ndërlidhjet

OJQ-të, të shqetësuara “me shkeljet e rënda” të të drejtave të Dejan Pantiqit


Barrikadat në Rudarë. 13 dhjetor 2022.
Barrikadat në Rudarë. 13 dhjetor 2022.

Njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq, i arrestuar nën dyshimet për organizimin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Ato kanë argumentuar se Pantiqit po i shkelen të drejtat.

Përmes një njoftimi, këto organizata thanë se nga deklarimet e avokatit mbrojtës të Pantiqit, kanë mësuar se ai ende ndodhet në bazën e Policisë së Kosovës në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës dhe “as avokatët e as familjarët e tij nuk lejohen ta vizitojnë apo të kontaktojnë atë përmes telefonit”.

Institucionet e Kosovës nuk i janë përgjigjur më herët pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se ku po mbahet Pantiqi.

Sipas OJQ-ve, ai po mbahet jashtë qendrës së paraburgimit, në ambiente “që sigurisht nuk i plotësojnë standardet e paraburgimit as sipas rregulloreve në Kosovë apo konventave ndërkombëtare”.

“Kushtet e paraburgimit të tij, si dhe pamundësia e kontaktit me familjarët dhe mbrojtësit e tij, paraqesin shkelje të rëndë të të drejtave të tij njerëzore dhe kërkojnë përfshirjen urgjente të institucioneve kompetente në Kosovë, si dhe përfshirjen e misioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut”, thuhet në reagim.

Nënshkruese të këtij reagimi janë organizatat: Qendra për avokim per kulturë demokratike (ACDC), Forumi për zhvillim dhe bashkëpunim multietnik (FDMC), Qendra humane Mitrovicë, Instituti për zhvillim ekonomik territorial (InTER), Komunikimi për zhvillim të shoqërisë (CSD), Iniciativa e re sociale (NSI), NVO Aktiv, Gracania online, Shoqata e grave afariste Avenija, Qendra për iniciativa sociale dhe Veprimtaria e Partesh Rinore.

Më herët, zyrtarët serbë kanë akuzuar autoritetet në Kosovë se nuk po i ofrojnë trajtim të dinjitetshëm Pantiqit. Policia e Kosovës javën e kaluar hodhi poshtë këto pretendime dhe tha se ai po trajtohet mirë, dhe janë duke “respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar”.

Të njëmbëdhjetë OJQ-të kanë kërkuar nga institucionet, misionet dhe organizatat ndërkombëtare të merren me të drejtat e njeriut të përfshihen në rastin e Pantiqit, që t’i garantojnë atij të drejtat dhe t’i mundësohet që të kontaktojë avokatët dhe familjarët.

“Gjithashtu presim që të angazhohen në përputhje me mandatin e tyre dhe ta vizitojnë Pantiq për t'u siguruar për shëndetin e tij dhe kushtet në të cilat po mbahet”, thuhet në reagim.

Arrestimi i Pantiqit më 10 dhjetor në Jarinjë – një nga pikat kufitare në veri, që lidh Kosovën dhe Serbinë – nxiti disa serbë lokalë që të vendosnin barrikada.

Ndaj Pantiqit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor, shqiptoi një muaj paraburgim.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se i është kërkuar nga autoritetet në Kosovë që të ndërmjetësojë transferimin e Pantiqit.

“Në linjë me mandatin tonë, misioni po monitoron këtë rast për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet e Kosovës. Ne përsërisim se është shumë e rëndësishme që të drejtat e D.P. të respektohen plotësisht në bazë të ligjit”, tha EULEX më 16 dhjetor.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka thënë se në veri të Kosovës janë ngritur nëntë barrikada, që po pengojnë lirinë e lëvizjes në këtë pjesë të Kosovës.

Pas ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë mbyllur për qarkullim dy pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.

XS
SM
MD
LG