Ndërlidhjet

Policia hedh poshtë pretendimet se Pantiqit nuk i janë ofruar barnat e nevojshme


Policia e Kosovës në Mitrovicë të Veriut.

Policia e Kosovës tha se janë të pavërteta “spekulimet e personave të caktuar dhe disa mediave, kryesisht serbe”, se ish-policit të arrestuar, Dejan Pantiq, autoritetet nuk i kanë ofruar barna mjekësore.

“Ai është trajtuar mjaft mirë, konform rrethanave të krijuara dhe janë respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar”, tha Policia, duke shtuar se i janë siguruar edhe barnat e nevojshme.

Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri dhe ndaj zyrtarëve zgjedhorë e policorë.

Andaj tij është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Arrestimi i Pantiqit nxiti disa serbë lokalë që të ngrenë barrikada në veri më 10 dhjetor.

Policia tha se situata e sigurisë në veri është e njëjtë, por shtoi se barrikadat, dhe aktet e tjera kriminale po vështirësojnë punën e Policisë dhe po cenojnë lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.

Që nga 6 dhjetori, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë shënuar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore e shok bomba, por pa pasoja në njerëz.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian kanë kërkuar uljen e tensioneve dhe heqjen e barrikadave.

Qeveria e Kosovës ka thënë se po pret që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, të largojë barrikadat. Ky mision, ndërkaq, ka kërkuar që të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe që palët të zgjidhin çështjet përmes dialogut.

Për shkak të barrikadave, autoritetet në Kosovë kanë mbyllur përkohësisht dy pikëkalimet kufitare me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.

XS
SM
MD
LG