Shtetasi i Bosnje e Hercegovinës, Sasha Micev, i dënuar në Shtetet e Bashkuara për tentim ndërmjetësimi në blerjen e raketave nga Koreja e Veriut, për vite me radhë ndërtoi një rrjet kompanish në Bosnje, ka zbuluar një hulumtim i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).
Micev u dënua me pesë vjet burgim, ndërsa prokurorët amerikanë e përshkruan atë si tregtar ndërkombëtar të armëve.
Gjatë dekadës së fundit, ai regjistroi të paktën tri kompani në Bosnje e Hercegovinë, dy prej të cilave në Banjallukë.
Njëra prej tyre mori pëlqimin e Qeverisë së entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, për prodhimin dhe riparimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake. Megjithatë, nuk dihet nëse ajo siguroi edhe lejet e nevojshme nga institucionet shtetërore.
Partneri i biznesit i Micevit në Bosnje e Hercegovinë ishte shtetasi amerikan Douglas Enrique Rios, me origjinë nga El Salvadori, i cili është i lidhur me disa kompani amerikane në sektorin e municionit dhe industrisë së mbrojtjes.
Dokumentet gjyqësore amerikane, në të cilat REL-i kishte qasje, tregojnë se Rios ishte i përfshirë edhe në disa procese gjyqësore që lidhen me industrinë e armëve të zjarrit.
Deri në publikimin e këtij teksti, REL-i nuk mori marrë përgjigje në pyetjet e dërguara në adresat elektronike të kompanive të regjistruara në Bosnje e Hercegovinë nga Micev dhe Rios.
As Ministria e Tregtisë e Republikës Sërpska dhe as Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike e Bosnje e Hercegovinës, institucionet përgjegjëse për lëshimin e lejeve dhe pëlqimeve për tregtinë me armatim, nuk iu përgjigjën pyetjeve lidhur me aktivitetet e tyre afariste në këtë vend.
Micev u arrestua në janar të vitit 2023 në Aeroportin John F. Kennedy në Nju Jork dhe qëndroi në paraburgim në SHBA deri në shpalljen e aktgjykimit, në shtator të vitit 2026.
Pasi e pranoi fajësinë, ai u dënua për shkeljen e ligjeve amerikane dhe sanksioneve ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut, duke tentuar të ndërmjetësonte shitjen e sistemeve kundërajrore raketore, SA-18 Igla, nga ky shtet.
Sipas një dokumenti gjyqësor, në të cilin REL-i kishte qasje, Micev pranoi të dëbohej nga SHBA-ja pas vuajtjes së dënimit.
REL-i nuk arriti të përcaktonte se ku jetonte Micev para arrestimit dhe nëse posedon ndonjë shtetësi tjetër, përveç asaj të Bosnje e Hercegovinës.
Prokuroria e Bosnje e Hercegovinës nuk iu përgjigj pyetjeve nëse ishte në dijeni të rastit dhe nëse ishte kontaktuar nga autoritetet amerikane.
Koreja e Veriut është nën sanksionet e Kombeve të Bashkuara për shkak të programit të saj bërthamor. Këto sanksione përfshijnë edhe embargon për eksportin e armëve, të cilën janë të detyruara ta respektojnë të gjitha shtetet anëtare të OKB-së.
Çfarë bënte Micev në Bosnje e Hercegovinë?
Sipas të dhënave publike, Micev i nisi aktivitetet e biznesit në Bosnje e Hercegovinë para 12 vjetësh.
REL-i identifikoi të paktën tri kompani të lidhura me të.
Në vitin 2014, ai regjistroi në Banjallukë kompaninë BSTG, e autorizuar për të ushtruar dhjetëra veprimtari, nga kultivimi i frutave të imëta dhe shitja e automjeteve, deri te shërbimet për kujdesin e lëkurës dhe fytyrës.
Tre vjet më vonë u themelua një tjetër kompani, Balkan Security Tech Group, e cila ishte e regjistruar për kryesisht të njëjtat veprimtari.
Kjo kompani përdor shkurtesën BSTG, ndërsa si pronar figuron një person me të njëjtin mbiemër, por me emër tjetër: Sllobodan Micev.
"Jemi një kompani e re, ekipi i së cilës ka përvojë shumëvjeçare në industrinë e sigurisë. Kompania jonë është e specializuar në ofrimin e produkteve dhe zgjidhjeve të sigurisë në disa nivele. Ekipi ynë mund t'ju ofrojë konsulencë, zhvillim, trajnim dhe mbështetje teknike për sistemet e sigurisë", thuhet në ueb-faqen e kompanisë.
Balkan Security Tech Group në mesin e partnerëve të saj rendit kompani nga shtete të ndryshme, të specializuara në sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë kibernetike, forenzikën digjitale, mbikëqyrjen e komunikimeve dhe sistemet për kontrollin e trafikut.
Që të dy kompanitë me seli në Banjallukë, në regjistrin e prokurimit publik të Bosnje e Hercegovinës, kanë deklaruar të njëjtën faqe interneti dhe të njëjtat numra telefoni për kontakt.
Në adresën e Balkan Security Tech Group, ku janë të regjistruara kompanitë në pronësi të Sllobodan Micevit, ndodhet një banesë. Në interfonin e saj figuron emri "Sasha Micev".
Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të REL-it, askush nuk u përgjigj.
Nga procesverbali i mbledhjes së Qeverisë së entitetit të Republikës Sërpska, të mbajtur në maj të vitit 2021, rezulton se Balkan Security Tech Group kishte kërkuar dhe kishte marrë pëlqimin për prodhimin dhe riparimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake.
Megjithatë, sipas ligjeve të Bosnje e Hercegovinës, për këto veprimtari nevojiten edhe lejet e Ministrisë së Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike të Bosnje e Hercegovinës, në nivel shtetëror.
Deri në publikimin e këtij teksti, kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse Balkan Security Tech Group i kishte siguruar këto autorizime.
Të dhënat financiare të mbledhura nga CompanyWall, bazuar në regjistrin zyrtar të subjekteve afariste të Republikës Sërpska, tregojnë se Balkan Security Tech Group realizoi, nga viti 2019 deri më 2025, të hyra vjetore që shkojnë nga disa dhjetëra mijëra deri në disa qindra mijëra euro.
Kompania tjetër, BSTG, është në procedurë falimentimi.
Sasha Micev dhe Douglas Enrique Rios, shtetas i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në janar të vitit 2022 themeluan në Sarajevë kompaninë North River, me kapital themeltar prej 500 eurosh.
Ajo u regjistrua për veprimtari tregtare dhe prodhuese të ngjashme me ato që ushtronin dy kompanitë në Banjallukë.
Të dhënat financiare të disponueshme për publikun tregojnë se kompania është ende aktive, por nuk ka të hyra apo shpenzime të deklaruara dhe nuk ka llogari aktive bankare për biznesin.
Gjatë procedurës së regjistrimit të kompanisë, Micevin e përfaqësoi avokati nga Sarajeva, Amar Mutapçiq.
"Atë zotëri e kam parë dy herë", tha Mutapçiq për REL-in.
"Herën e parë kur nënshkroi dokumentacionin për themelimin e kompanisë dhe herën e dytë kur i mori dokumentet e kompanisë".
Mutapçiq theksoi se ishte angazhuar vetëm për procedurën e regjistrimit dhe se më pas nuk e kishte parë më Micevin. Ai tha gjithashtu se nuk e di nëse kompania kishte ushtruar ndonjëherë veprimtari afariste.
Deri në publikimin e këtij teksti, REL-i nuk mori as përgjigje për pyetjet lidhur me aktivitetet e kompanisë North River, të dërguara në adresën elektronike të shënuar në regjistrin e bizneseve.
Pieter Wezeman, hulumtues në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqe në Stokholm (SIPRI), tha për REL-in se ndërmjetësit ndërkombëtarë të tregtisë së armëve shpesh veprojnë përmes rrjeteve të kontakteve afariste dhe kompanive të regjistruara në disa shtete.
"Rregullime të tilla nuk janë domosdo të paligjshme në vetvete. Megjithatë, në këtë rast, thelbësore është se ai [Micev] tentoi të bënte biznes me Korenë e Veriut, e cila është nën sanksione ndërkombëtare për shkak të programit të saj raketor dhe bërthamor", tha Wezeman.
Kush është Sasha Micev?
Sipas njoftimit të Ministrisë amerikane të Drejtësisë, të publikuar pas shpalljes së aktgjykimit, Micev është tregtar ndërkombëtar i armëve.
Në profilin e Sasha Micevit në rrjetin profesional LinkedIn thuhet se ai është pronar i kompanisë Balkan Security Tech Group në Bosnje e Hercegovinë.
Bazuar në fotografinë e profilit të tij në këtë rrjet, REL-i e identifikoi të njëjtin person në Sarajevë në vitet 2015 dhe 2019.
Fotografitë publike tregojnë se ky person ndodhej në Sarajevë në vitin 2015, ku kishte marrë pjesë në konferencën dhe panairin Adria Security Summit, një ngjarje rajonale kushtuar industrisë së sigurisë.
I njëjti person kishte marrë pjesë edhe në Adria Security Summit, të mbajtur në Shkup në vitin 2019.
Gjatë paraqitjes së parë para gjykatës në Nju Jork, pas arrestimit në janar të vitit 2023, Micev e përshkroi veten si "ndërmjetës i pavarur".
Në një formular për deklarimin e gjendjes financiare, të cilin e plotësoi pas arrestimit dhe në të cilin REL-i kishte qasje, ai deklaroi se bashkëshortja e tij fitonte "rreth 30.000 euro në muaj". Në dokument nuk përmendej identiteti i saj dhe as vendbanimi.
Micev e vlerësoi pasurinë e tij në "rreth 60.000", pa specifikuar valutën.
Zyrtarët e Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare e arrestuan atë më 26 janar 2023 në Aeroportin JFK në Nju Jork, pasi një gjykatë federale në Nju Meksiko kishte lëshuar urdhërarrest ndaj tij dy ditë më parë.
Nga dokumentet gjyqësore të disponueshme për publikun nuk mund të përcaktohet se sa kohë kishte qenë Micev nën hetimet e autoriteteve amerikane dhe as kur aktivitetet e tij kishin tërhequr për herë të parë vëmendjen e tyre.
Pas arrestimit, ai u transferua në paraburgim në Nju Meksiko, ku qëndroi deri në shpalljen e aktgjykimit në shtator të vitit 2026, pasi e pranoi fajësinë për shkeljen e sanksioneve amerikane kundër Koresë së Veriut.
Aktakuza fillestare e ngarkonte atë për shkeljen e një prej dispozitave më të rrepta të legjislacionit penal amerikan, që rregullon prokurimin e sistemeve portative kundërajrore raketore. Për këtë vepër parashihej dënim deri në 25 vjet burgim.
Sipas të dhënave të Ministrisë amerikane të Drejtësisë, Micev dhe një bashkëpunëtor nga Nju Meksiko, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, tentuan të ndërmjetësonin blerjen e sistemeve kundërajrore raketore SA-18 Igla nga Koreja e Veriut.
Në fund të vitit 2020, dy burrat udhëtuan drejt Ankarasë në Turqi për ta realizuar marrëveshjen, por transaksioni dështoi pasi nuk arritën të pajtoheshin për çmimin, njoftoi Ministria amerikane e Drejtësisë.
Pieter Wezeman, hulumtues në SIPRI, tha se sistemet raketore si SA-18 Igla konsiderohen një kategori veçanërisht e ndjeshme e armatimit.
"Ekziston shqetësimi se armë të tilla mund të përfundojnë në duart e grupeve terroriste ose organizatave kriminale, apo të devijohen drejt zonave të konfliktit", tha Wezeman.
SA-18 Igla është një sistem portativ kundërajror raketor, i projektuar në Bashkimin Sovjetik, i cili përdoret kundër objektivave që fluturojnë në lartësi të ulëta, përfshirë helikopterët, avionët dhe mjetet ajrore pa pilot.
Prokurorët më vonë hoqën dorë nga akuza që lidhej me tentimin për prokurimin e sistemeve kundërajrore raketore. Në një dokument gjyqësor, në të cilin REL-i kishte qasje, thuhet se ky vendim ishte "i arsyeshëm në bazë të kushteve të marrëveshjes për pranimin e fajësisë", të arritur ndërmjet Micevit dhe autoriteteve amerikane.
REL-i kërkoi qasje në dokumente të tjera gjyqësore, përfshirë marrëveshjen për pranimin e fajësisë, me qëllim që të përcaktonte rrethanat e marrëveshjes mes prokurorisë dhe mbrojtjes.
Deri në publikimin e këtij teksti, nuk mori përgjigje.
As avokatët Clay Wilwol dhe Marc Loëry, të cilët e përfaqësuan Micevin me detyrë zyrtare, nuk iu përgjigjën pyetjeve me shkrim të REL-it.
Kush është Douglas Rios?
Douglas Enrique Rios, i cili themeloi kompaninë North River në Sarajevë së bashku me Micevin, prej vitesh figuron në regjistrat publikë të bizneseve në Florida si kryetar bordi, drejtor, anëtar bordi ose përfaqësues i regjistruar i disa kompanive.
Dokumentet gjyqësore në dispozicion tregojnë se emri i Riosit është shfaqur të paktën 11 herë gjatë dhjetë vjetëve të fundit në evidencat penale dhe kundërvajtëse në Florida, që lidhen me posedimin e drogës, shkeljet tatimore dhe të trafikut, si dhe dëmtimin e pronës së tjetrit.
Në profilin e tij në LinkedIn, Rios thotë se drejton projektin Koffee Cartel dhe thekson se kafeja e tij vjen "nga atdheu ynë, El Salvadori".
Sipas dokumenteve gjyqësore dhe regjistrave të banorëve, Rios jeton në Gainesville të Floridës, ku është i regjistruar në listën e votuesve. Në Shtetet e Bashkuara, regjistrimi në listën e votuesve, si rregull, nënkupton se personi është shtetas amerikan.
Disa kompani amerikane të lidhura me Riosin merreshin me shitjen e municionit dhe pjesëve për pushkë automatike dhe gjysmautomatike.
Në dokumentet e një procesi gjyqësor në Shtetet e Bashkuara, Rios përmendet si kryetar i kompanive We Got Ammo dhe Wide Open Enterprises.
Dokumentet gjyqësore, në të cilat REL-i kishte qasje, e përshkruajnë atë gjithashtu si person të përfshirë në zhvillimin dhe komercializimin e produktit Wide Open Trigger, një mekanizëm këmbëze i destinuar për armët gjysmautomatike.
Nga parashtresat gjyqësore rezulton se Rios, në vitin 2022, ishte ndër palët që arritën një marrëveshje me kompaninë Rare Breed Triggers, duke u zotuar se do ta ndërprisnin prodhimin dhe shitjen e llojeve të caktuara të mekanizmave të këmbëzës.
Në korrik të vitit 2025, Rare Breed Triggers ngriti një padi të re kundër Riosit në një gjykatë në Florida, duke pretenduar se ai e kishte shkelur marrëveshjen e mëparshme, duke vazhduar prodhimin përmes kompanive të tjera.
Ky proces gjyqësor është ende në zhvillim në një gjykatë në Florida.
Në padi, avokatët e kompanisë Rare Breed Triggers pretendojnë se Rios kishte planifikuar të prodhonte në Bosnje e Hercegovinë mekanizmat e kontestuar të këmbëzës.