Ndërlidhjet

Përmes poligrafit, synohet detektimi i doganierëve të korruptuar


Testimi me poligraf - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Testimi me poligraf - Fotografi ilustruese nga arkivi.

“Debati mbi vendosjen e poligrafit si mjet për detektimin e doganierëve të korruptuar ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së autoriteteve për rëndësinë e sigurisë së pikave kufitare", thotë Vlladimir Pivovarov, koordinator nacional për menaxhimin e kufirit në Maqedoninë e Veriut.

Poligrafi është pajisje e dizajnuar për të detektuar dhe regjistruar ndryshime të karakteristikave psikologjike, siç mund të jenë niveli i frymëmarrjes apo pulsit, dhe më së shumti përdoret si detektor gënjeshtrash.

Pivovarov thotë se korrupsionit në pikat kufitare mbetet çështje që paraqet kërcënim për sigurinë dhe ekonominë e vendit.

“Kemi arritur në përfundim se edhe kundrejt të gjitha veprimeve që ndërmorëm si shtet e që nuk dhanë rezultatet e pritura, poligrafi mbetet mjeti i vetëm që ta pengojë korrupsionin në pikat kufitare”, thotë Pivarov për Radion Evropa e Lirë (REL).

Pas debateve publike me temën “Përcaktimi i integritetit të zyrtarëve që punojnë në punë me rrezik të lartë në vijën kufitare duke aplikuar poligraf, si masë parandaluese për parandalimin e korrupsionit të mundshëm”, Pivarov shpreson se kjo çështje do të inkorporohet në ligjet përkatëse që rregullojnë punën e doganave.

Pivovarov thotë se poligrafi do të mund të detektojë doganierët e korruptuar, por njëherësh dhe heq etiketën e zezë ndaj të gjithë atyre që me ndershmëri e kryejnë këtë detyrë.

“Moskalimi i testit të poligrafit, do të thotë largim i doganierit përkatës nga detyra dhe njoftim i prokurorisë për rastin përkatës, pas çka prokuroria do të duhet të ngrejë procedurë se pse nuk ka kaluar detektimi me poligraf".

“Të premten më njoftuan kolegët e Malit Të Zi, ku është në proces zgjedhja e drejtorit të policisë dhe nga 6 kandidatët e paraqitur, katër nuk kanë arritur të kalojnë poligrafin. Kjo pajisje, e cila shfrytëzohet, si në rajon, ashtu edhe në botë, jep rezultate të shkëlqyera në luftën kundër korrupsionit”, shprehet Pivovarov, duke nënvizuar se në bazë të analizave që kanë realizuar ekspertët e fushës, ekonomia gri gëlltit 1.2 deri në 1.4 miliard euro në vit.

Nëse jua ndërpresin kontratën mbi bazë të poligrafit, ose mbi bazë të supozimit se ju jeni kriminel, kjo do të thotë shumë më shumë sesa vetëm ndërprerje e marrëdhënies së punës".

Por, për drejtorin e Drejtorisë doganore, Stefan Bogoev, vendosja e poligrafit nuk është mjet efikas për luftën kundër korrupsionit. Ai shton se në këtë mënyrë do të rritet presioni mbi të punësuarit në doganë.

“Nuk jam i sigurt se në këtë mënyrë do të zgjidhet çështja me korrupsionin... megjithëse ua lë publikut dhe ekspertëve për pjesën e testimit me poligraf që të thonë se sa të saktë janë poligrafët. Nëse ndonjërit ia ndërprisni kontratën [e punës], mbi bazë të poligrafit, i cili nuk ka saktësi 100 për qind, me të vërtetë ndonjërit mund t’ia shkatërroni jetën", thotë Bogoev.

Sipas tij, në këso raste bëhet fjalë për fate njerëzish dhe një gjë e tillë nuk është thjesht vetëm shkëputje e marrëveshjes së punës.

"Nëse jua ndërpresin kontratën mbi bazë të poligrafit, ose mbi bazë të supozimit se ju jeni kriminel, kjo do të thotë shumë më shumë për njeriun dhe për familjen e tij se sa vetëm ndërprerje e marrëdhënies së punës”, vlerëson Bogoev për REL-in.

Mënyra më e mirë për luftimin e korrupsionit në pikat kufitare, sipas tij, është shembulli i Koresë përkatësisht vendosja e aparateve digjitale gjatë kontrollit dhe me këtë eliminimi i faktorit njeri.

Por, Pivovarov duke sqaruar kompleksitetin e çështjes thekson se qoftë edhe një zyrtar nëse është i korruptuar dëmi që shkaktohet është i panumërt.

“Nëse kemi vetëm një zyrtar të korruptuar në vijën kufitare, është e mundur që të kalojnë narkotikë, armë, eksplozivë dhe terroristë, të cilët do të shkelin sigurinë kombëtare. Parë nga pikëpamja ekonomike, mund të ndodhë importi i repromaterialeve që nuk doganohen ose doganohen me një normë doganore më të ulët”, thekson Pivarov.

Nga ana tjetër, Qebir Avziu, ish-zyrtar i lartë i policisë, thotë se kjo praktikë do të jetë vështirë e zbatueshme në Maqedoninë e Veriut për shkak të mungesës së ekspertëve që do të punonin me këto pajisje mjaft të sofistikuara.

“Mendoj se nëse do të vihej në përdorim poligrafi, do të sillte rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit, kjo nuk mund të mohohet. Por, do theksuar se Maqedonia e Veriut, për ta aplikuar këtë pajisje, nuk ka kapacitet pasi në vend kemi një ose dy ekspertë për përdorimin e poligrafit, prandaj shtrohet çështja se kush do ta bënte këtë punë kaq voluminoze. E ritheksoj në parim, përdorimi i poligrafit nuk është ide e keqe por çështja është nëse ka kapacitet për ta vënë në përdorim te të gjithë të punësuarit dhe ata që do të pranohen në punë, është një pikëpyetje e madhe”, thotë Avziu.

Të mërkurën, Drejtoria e Doganave ka bërë të ditur se ka ndaluar 1.2 ton mall përkatësisht 3 mijë telefona celularë që u kapën në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG