Ndërlidhjet

Dhe fitues është... Putini!


Helsinki, 16 korrik, 2018.
Helsinki, 16 korrik, 2018.

Në samitin në Helsinki, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, u zotuan se kanë ndërmarrë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre.

Në konferencën për gazetarë, Trump hodhi dyshime mbi konstatimet e agjencive të tij të inteligjencës për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet në SHBA, më 2016, dhe u duk se pranoi këmbënguljen e Putinit se duart e Rusisë janë të pastra.

“Kam shumë besim te njerëzit e mi të inteligjencës, por dua t’ju them se presidenti Putin ishte jashtëzakonisht i fuqishëm në mohimin e tij sot. Nuk shoh ndonjë arsye që Rusia të ketë ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016”, tha Trump.

Ligjvënësit amerikanë, përfshirë republikanë dhe demokratë, e kritikuan fuqishëm Trumpin për këto deklarata, duke thënë se paraqitja e tij në konferencën për media ka qenë “bizare”, “e turpshme” dhe “tradhti tronditëse ndaj detyrave të tij”.

Richard Burr, kryetari republikan i Komitetit të Senatit për Inteligjencë, tha se Trump duhet ta pranojë si “gënjeshtër” çdo deklaratë të Putinit, që mohon se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Paul Ryan, tha se “nuk ka dyshim se Rusia” ka ndërhyrë në zgjedhje dhe se Trump “duhet të vlerësojë se Rusia nuk është aleat i Amerikës”.

“Nuk ka ekuivalencë morale midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, e cila mbetet armiqësore ndaj vlerave dhe idealeve tona”, tha Ryan.

Trump: Me Rusinë kemi 90% të armëve bërthamore
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:25 0:00

Agjencitë amerikane të inteligjencës kanë konstatuar se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, në favor të zgjedhjes së Trumpit president. Këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller, është duke hetuar bashkëpunimin e mundshëm të fshehtë midis fushatës së Trumpit dhe zyrtarëve rusë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi më 13 korrik se një juri e madhe ka akuzuar 12 zyrtarë të inteligjencës ruse për piraterimin e kompjuterëve të Partisë Demokratike në SHBA dhe publikimin e emalileve të vjedhura dhe të informacioneve të tjera, gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Senatori republikan, John McCain, kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura, tha se paraqitja e Trumpit në konferencën për media në Helsinki “ka qenë një nga paraqitjet më të turpshme të një presidenti amerikan” dhe një “gabim tragjik”.

“Presidenti Trump tregoi jo vetëm se është i paaftë, por edhe jogatishmëri për t’u ngritur kundër Putinit. Asnjë president i mëparshëm amerikan nuk e ka përulur veten më keq para një tirani”, tha McCain.

Senatori tjetër republikan, Lindsey Graham, tha se samiti ishte një "mundësi e humbur" për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për ndërhyrje në zgjedhje.

"Ajo konferencë shtypi ishte një turp", tha Eliot Engel, përfaqësues demokrat në Komitetin e Kongresit për Punë të Jashtme.

“Presidenti bëri tradhti tronditëse ndaj detyrave të tij: mohoi sulmin e Rusisë mbi demokracinë amerikane, duke qëndruar në tokë të huaj pranë kundërshtarit kryesor të Amerikës”, tha Engel.

Në Helsinki, më 15 korrik, u protestua kundër mbajtjes së samitit Trump-Putin.
Në Helsinki, më 15 korrik, u protestua kundër mbajtjes së samitit Trump-Putin.

Takimi i Trumpit me Putinin mund të ishte edhe më i keq, tha për Radion Evropa e Lirë Keir Giles, analist nga Chatham House, institut në Londër.

"Shumë njerëz po përqendrohen në përpjekjet e Trumpit për të diskredituar vendin e tij gjatë përballjes me Vladimir Putinin, por, së paku, ai nuk kishte kohë për të hedhur aleatët e tij nën autobus", tha Giles.

Për Will Pomeranz, zëvendësdrejtor i Institutit Kennan për Studime të Avancuara Ruse, me seli në Uashington, fitues i samitit është Putini.

“Të gjithë prisnin që Putin të dilte fitues dhe mendoj se ia doli. Putin dëshiron të perceptohet si një lojtar i madh global dhe Donald Trump ia dha konfirmimin e nevojshëm dhe platformën për atë status”, tha Pomeranz.

Mike Carpenter, këshilltar për politikë të jashtme i ish-nënpresidentit amerikan, Joe Biden, tha se beson se Trump e ka ditur çfarë po bën kur ia ka dhënë Putinit platformën e tillë.

"Humbës janë interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe fitues është Putini dhe regjimi i Kremlinit që ai përfaqëson", tha Carpenter.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG