Ndërlidhjet

Trump dhe Putin bëjnë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve


Helsinki, 16 korrik, 2018.
Helsinki, 16 korrik, 2018.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, thanë se kanë bërë “hapat e parë” për përmirësimin e marrëdhënieve midis vendeve të tyre.

Dy presidentët u takuan të hënën në Helsinki të Finlandës, në samitin e parë prejse Trump ka marrë detyrën në janar të vitit të kaluar.

Putin i cilësoi bisedimet si “shumë të suksesshme dhe të dobishme” dhe tha se ai dhe Trump diskutuan për kontrollin e armëve, konfliktet në Siri dhe Ukrainë, tregtinë dhe çështje të tjera.

Në konferencën e përbashkët për media, pas katër orë bisedimesh, Putin tha se Trump ngriti çështjen e ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet në SHBA, më 2016, dhe përsëriti mohimin e tij për ndërhyrjen e Moskës.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari, Putin tha se ai ka dashur që Trump t’i fitojë zgjedhjet, sepse i nominuari i Partisë Republikane ka shprehur dëshirën për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë.

Trump tha se iu adresua Putinit drejtpërdrejt në lidhje me akuzat për ndërhyrje në zgjedhje dhe se ata kaluan “një pjesë të madhe të kohës” duke folur për këtë çështje.

Trump nuk ofroi detaje dhe nuk la të kuptohet se ka pasur ndonjë rezultat specifik nga ky diskutim.

Me këmbënguljen e një gazetari, Trump tha se Putin ka qenë “mjaft i fuqishëm” në mohimin e tij.

Ai po ashtu përsëriti se nuk ka pasur bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së tij dhe Rusisë dhe tha se hetimet e zyrtarëve amerikanë në këtë çështje kanë shkaktuar “dëm serioz”.

Presidenti amerikan u vu nën presion shtesë për të sfiduar Putinin, rreth ndërhyrjes së dyshuar, pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi më 13 korrik se një juri e madhe ka akuzuar 12 zyrtarë të inteligjencës ruse për piraterimin e kompjuterëve të Partisë Demokratike në SHBA dhe publikimin e emalileve të vjedhura dhe të informacioneve të tjera, gjatë fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Ka pasur po ashtu thirrje për anulimin e samitit në Helsinki, por Trump e mbrojti atë, duke thënë se diplomacia është vendimtare dhe se “dialogu produktiv” me Moskën është një gjë e mirë për SHBA-në, Rusinë dhe pjesën tjetër të botës.

Trump: Me Rusinë kemi 90% të armëve bërthamore
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:25 0:00

Të dy presidentët shprehën po ashtu dëshirën për bisedime për kontrollin e armëve.

Putin tha se është e rëndësishme që të nisë dialogu për armët bërthamore dhe se ai ka bërë propozime konkrete në këtë fushë.

Ai po ashtu tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bisedojnë për zgjerimin e Traktatit START të vitit 2010, i cili ka vënë kufizime të reja mbi madhësinë e arsenalit bërthamor të të dyja vendeve.

Ka qenë ky samiti i parë dypalësh i liderëve të të dyja vendeve qysh në prill të vitit 2010.

Përpara takimit, Trump tha se shpreson se SHBA-ja dhe Rusia do të përfundojnë me "marrëdhënie të jashtëzakonshme" dhe se "bashkëpunimi me Rusinë është një gjë e mirë, jo një gjë e keqe".

Ai po ashtu tha se hetimet e agjencive amerikane mbi ndërhyrjen e dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, i kanë përkeqësuar rëndë marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën.

“Marrëdhëniet tona me Rusinë nuk kanë qenë kurrë më të këqija, falë shumë viteve të marrëzisë dhe budallallëkut të SHBA-së dhe tani ‘gjuetisë së shtrigave’”, shkroi Trump në Twitter, duke iu referuar hetimeve që po bën këshilltari i posaçëm amerikan, Robert Mueller.

Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila i ka akuzuar kundërshtarët e brendshëm të Trumpit dhe establishmentin amerikan për pengimin e përpjekjeve për përmirësimin e marrëdhënieve, e pëlqeu postimin e Trumpit.

Gjatë një takimi me presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto, përpara takimit me Putinin, Trump tha se se “NATO nuk ka qenë kurrë më e fuqishme dhe kurrë më e bashkuar”.

Komentet pasuan samitin e tensionuar të aleancës në Bruksel, më 11 dhe 12 korrik, ku vendet anëtare janë pajtuar që të rrisin shpenzimet në mbrojtje, nën presionin e Trumpit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG