Ndërlidhjet

Takimi Trump-Putin zgjatet mbi dy orë


Hamburg, 7 korrik 2017.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, u takuan të premten në margjina të samitit të G20-ës – grupit të vendeve më të industrializuara – në Hamburg të Gjermanisë.

Takimi zgjati më shumë se dy orë, ndërsa ishte planifikuar vetëm 35 minuta.

Në komentet e shkurtra për mediat, përpara takimit, Trump tha se pret “shumë gjëra pozitive” për Moskën dhe Uashingtonin.

Trump tha se është “nder” për të të takojë homologun rus, ndërsa Putin tha se është “i lumtur” të takojë presidentin amerikan.

Ata nuk u përgjigjen në pyetjet e gazetarëve përpara se të hynin në takimin privat.

Pas bisedimeve me dyer të mbyllura, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se Trump "i ka bërë presion Putinit për përzierjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane", ndërsa "Putin e ka mohuar përfshirjen".

Putin u tha mediave ruse se ka diskutuar një sërë çështjesh me presidentin amerikan, "përfshirë Ukrainën, Sirinë, probleme të tjera dhe disa çështje dypalëshe".

"I jemi rikthyer edhe luftës kundër terrorizmit dhe sigurisë kibernetike", tha Putin.

Takimi, i pari i tyre sy më sy prejse Trump ka marrë detyrën në janar, vjen në kohën e një krize të thellë në marrëdhëniet dypalëshe, për shkak të konflikteve në Siri dhe Ukrainë, si dhe ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Trump, vazhdimisht, ka bërë thirrje për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën, edhe pse administrata e tij, publikisht, ka vazhduar presionin mbi Rusinë, për shkak të aneksimit të paligjshëm të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjes për separatistët e armatosur në lindje të Ukrainës.

Të enjten, në një fjalim në Varshavë, Trump i ka bërë thirrje Rusisë “të ndalojë aktivitetet destabilizuese në Ukrainë dhe gjetkë”, si dhe ka theksuar përkushtimin e Uashingtonit ndaj NATO-s, të cilën Putin, prej kohësh, e akuzon për rritje të tensioneve në lindje të Evropës.

Takimi Trump-Putin po ashtu vjen në kohën e tensioneve midis 20 vendeve më të industrializuara të botës, për shkak të tregtisë dhe ndryshimeve klimatike.

Samiti i tyre në Hamburg, që ka nisur të premten dhe vazhdon të shtunën, po përcillet me protesta të dhunshme antikapitaliste.

Hamburg: Protestuesit u vënë zjarrin makinave
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Protestuesit kanë sulmuar një stacion të policisë, u kanë vënë zjarrin makinave policore dhe kanë sulmuar sigurimin e hotelit ku qëndron Putini dhe udhëheqës të tjerë të huaj.

Autoritetet njoftuan për së paku 11 protestues të plagosur rëndë në përleshjet me policinë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se protestat e dhunshme, me qëllim prishjen e samitit, janë të papranueshme.

Zëdhënësi i policisë, Andy Grote, tha se 45 protestues janë arrestuar, ndërsa 15 të tjerë janë dërguar në stacion të policisë.

Protestat dhe dhuna bllokuan Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, në rezidencën e saj në Hamburg, dhe e penguan të marrë pjesë në një ngjarje për ndryshimet klimatike për bashkëshortët e udhëheqësve politikë.

"Policia e Hamburgut nuk na dha leje për t'u larguar (nga rezidenca)", tha zëdhënësja e Trumpit, Stephanie Grisham.

Të enjten, në rrugët e Hamburgut, kanë protestuar rreth 13,000 njerëz, përfshirë rreth 1,000 anarkistë të maskuar dhe të veshur në të zeza. Policia tha se pret rreth 100,000 protestues të mblidhen të premten dhe të shtunën. Autoritetet kanë shpërndarë rreth 20,000 policë për të ofruar siguri.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG