Ndërlidhjet

Mbi 170 raste të dhunës dhe incidenteve nëpër shkolla


Nxënëse të një shkolle në Prishtinë
Nxënëse të një shkolle në Prishtinë

Gjatë katër muajve të parë të vitit 2019, Policia e Kosovës ka evidentuar 175 raste të lëndimeve trupore të nxënësve të shkollave në Kosovë. Rastet më të shpeshta, ndodhin si pasojë e mosmarrëveshjeve në mes nxënësve. Lëndimet shpesh vijnë edhe si pasojë e zënkave dhe mosmarrëveshjeve mes nxënësve, raste të cilat shpesh kanë përfunduar edhe me plagosje si pasojë e përdorimit të mjeteve të mprehta, përkatësisht thikave.

Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, thotë se këtë vit nuk ka ndodhur asnjë vrasje, derisa kanë qenë 19 raste të raportuara si tentim-vrasje dhe sulm.

Kelani tregon edhe shifrat e viteve paraprake, që janë raportuar në Polici e që kanë ndodhur në objektet shkollore dhe rreth tyre.

“Gjatë këtyre katër muajve kemi të evidentuara si raste të paraqitura në shkolla dhe afër shkollave 175 raste, ku numri më i madh i rasteve janë lëndim i lehtë trupor. Ndërkaq gjatë vitit 2017, ishin 594 raste, kurse më 2018 ishin 477 raste. Policia e Kosovës në kuadër të planifikimeve ka të angazhuar zyrtarë të natyrave të ndryshme, por përparësi kanë zyrtarët e drejtorive në bashkësi që të bëjnë vizita nëpër gjitha shkollat, kanë kontakte të vazhdueshme me personelin policor, në mënyrë që të bëjnë planifikime të përbashkëta sa i përket sigurisë në shkolla dhe përreth tyre”.

“Policia angazhon edhe policë të tjerë, qofshin ata të narkotikëve trafikimit me qenie njerëzore e çfarëdo lloj natyre që kanë nevojë e që këtu hyjnë edhe ligjërimet, për ngritjen e nivelit më të lartë të sigurisë në hapësirat shkollore”, tha Kelani.

Basri Lenjani , drejtor i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thotë se nuk janë të rralla rastet e fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore emergjente, si pasojë e dhunës që përjetojnë në shkolla apo rreth saj.

Ai përmend rastin e fundit të nxënësve të plagosur me thika, ndërkohë që thotë se nuk është shënuar asnjë rast i vdekjeve të nxënësve si pasojë e dhunës.

“Klinika Emergjente merret edhe me ofrimin e kujdesit emergjent për nxënësit që u shkaktohet dhunë në shkolla apo edhe jashtë shkollës. Nuk janë raste të rralla që këta fëmijë që kërkojnë ndihmë mjekësore, duke u përdorur mjete të mprehta apo edhe me armë zjarri”.

“Kjo dukuri negative do të ishte mirë që institucionet relevante që kanë drejtpërdrejt punë, të bëhet minimizimi i këtyre dukurive. Në qoftë se vazhdon kjo dhunë në shkolla një pjesë e fëmijëve mund të kenë efekte negative në aspektin psikologjik. Sa i përket këtij viti, te ne janë lajmëruar tre raste e që janë therur me thikë, dhe nuk është regjistruar ndonjë rast i vdekjes”, tha Lenjani.

Për dhunën në shkolla flasin edhe vetë fëmijët, të cilët thonë se dhuna është përditshmëri në shkolla. Nxënësja e klasës së nëntë në njërën nga shkollat e Prishtinës flet për Radion Evropa e Lirë, për fenomenin e dhunës në shkollë.

“Ka raste të dhunës në shkolla nga të dyja palët. Nxënësit mes vete, por edhe arsimtarët ushtojnë dhunë te nxënësit. Dhe kjo shpeshherë ndodh për arsye të ndryshme, e shpeshherë kot. Ndodh që nxënësit bëjnë zhurmë dhe ushtrohet dhunë mbi ta. Por kemi dëgjuar edhe për dhunë në oborrin e shkollës që nxënësit mes vete kanë përdorur edhe thika dhe kanë rrezikuar jetën e njëri-tjetrit”, tregon ajo.

Për parandalimin e kësaj dukurie, në vitin 2013, Qeveria e Kosovës ka miratuar një rregullore për protokollin për parandalim dhe referim të dhunës në institucionet e arsimit parauniversitar.

Megjithëkëtë psikologët në vend thonë se në të gjitha aspektet e ndërtimit te fëmijët si në fushën fizike, emocionale, sociale dhe psikike dhuna mund të jetë faktor negativ i zhvillimit të personalitetit të njeriut.

Besnik Peci, psikolog, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se dhuna ndikon negativisht në ndërtimin e strukturave të personalitetit, dhuna e zbeh dhe e ulë vetëbesimin, e ngrit tendencën për agresivitet dhe jep probleme te fëmijët si me koncentrimin, sjelljen socializuese dhe si rrjedhojë edhe me rezultate të dobëta mësimore.

“Rekomandohet trajnimi i mësim dhënësve për identifikimin dhe raportimin e hershëm të proceseve që çojnë nga kjo dukuri e të tjera. Humbja e autoritetit prindëror, zbatimi i madh i të drejtave në raport të zhdrejtë me përgjegjësitë që kanë fëmijët, niveli i ulët i mbështetjes psiko-sociale janë duke prodhuar elementë të kësaj natyre si dhuna. Fëmijët mësojnë duke imituar të rriturit. Prindërit/kujdestarët duhet të jenë model pozitiv për fëmijët e tyre”, tha Peci.

Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se ekziston infrastruktura ligjore që ndalon përdorimin e dhunës fizike nëpër shkolla.

Megjithatë një fenomen i tillë po vazhdon të mbetet shqetësues në vend.

XS
SM
MD
LG