Ndërlidhjet

Rastet e abuzimeve seksuale në shkolla, nuk raportohen


Foto ilustruese

Abuzimet dhe ngacmimet seksuale ndaj nxënësve në shkolla, janë fenomene mjaft shqetësuese dhe jo pak të shprehura. Megjithëkëtë, organizatat që merren me të drejtat e fëmijëve thonë se raportimet për këtë fenomen, jashtë shumëfish më të vogla sesa që ato ndodhin në realitet.

Ndërkaq, sipas autoriteteve të rendit, gjatë vitit 2018, janë raportuar pesë raste të ngacmimeve seksuale në shkollat fillore dhe të mesme në nivel të Kosovës.

Statistikat që i posedon policia, për vitin 2017, kanë qenë tri raste të raportuara. E po ashtu edhe gjatë vitit 2016 janë raportuar tri raste të ngacmimeve seksuale në shkolla.

Koalicioni për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, beson se rastet e ngacmimeve apo edhe sulmeve seksuale nuk raportohen, thotë Klevis Vaqari, nga kjo organizatë, sipas të cilës, në vazhdimësi po u bëhet thirrje institucioneve që të hartojnë standardet minimale për mbrojtjen e fëmijëve, meqë ato mungojnë.

“Sipas konventave ndërkombëtare, Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe legjislacionit përkatës në fuqi, institucionet dhe organizatat që punojnë apo janë në kontakt me fëmijë, kanë për detyrë absolute t’i mbrojnë fëmijët nga dhuna, abuzimi, keqtrajtimi, dhe shfrytëzimi, duke filluar brenda institucionit apo organizatës”.

“Pa standarde dhe mekanizma adekuatë për mbrojtjen e fëmijëve, një institucion jo vetëm që dështon në detyrën e tij primare të mbrojtjes, por gjithashtu mund të neglizhojë ose të nxisë një mjedis abuziv. Institucionet dhe organizatat pa procedura të duhura dhe të qarta, rrezikojnë të infiltrohen nga persona, siç janë pedofilët, të cilët përpiqen të abuzojnë me fëmijët”, ththotë Vaqari.

Në anën tjetër, Mimoza Shahini, neuropsikiatre për fëmijë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kur fëmijët përjetojnë abuzim seksual, pasojat janë të mëdha. Megjithëkëtë, ajo shton se ende në Kosovë është një mentalitet i ulët për këtë fenomen, pasi janë raste shumë të rralla kur prindërit u ndihmojnë fëmijëve që përjetojnë dhunë seksuale ,të kërkojnë ndihmë në ndonjë institucion të shëndetit mendor.

“Edhe kur kanë kërkuar ndihmë, fëmijët e që kryesisht janë vajza, të shoqëruar me prindërit, ata nuk ishin fokusuar te vajza plotësisht, meqë janë vetëm ata që do të mund t’i rrinin prapa për ndihmë, ata kanë ardhur me një betejë, sepse ishin mësimdhënës të njohur për familjen”, tregon Shahini.

Ndërkaq, nga institucioni i Avokatit të Popullit, Arjola Caka, zëdhënëse, thotë se janë ofruar informacionet se Kosova vazhdon të mbetet një vend patriarkal ku si pasojë e mungesës së vetëdijesimit dhe pabarazive gjinore, shoqëria ende fajëson dhe stigmatizon viktimat e dhunës seksuale. Andaj, thekson ajo, është shumë e vështirë për këto viktima që të marrin guximin t’i raportojnë rastet, veçanërisht kur kemi të bëjmë me persona të ndjeshëm siç janë fëmijët.

“Institucioni i Avokatit të Popullit realizon rregullisht takime me fëmijët nëpër shkolla me qëllim të identifikimit të shkeljeve potenciale të të drejtave të tyre. Duke u nisur nga informatat e siguruara gjatë këtyre takimeve, vitin e kaluar, institucioni i Avokatit të Popullit ka hapur hetime nisur nga pohimet e disa nxënësve për ushtrim të dhunës fizike, ofendim dhe ngacmim seksual të nxënësve nga ana e një arsimtari”.

“Pas përfundimit të hetimeve të këtij rasti, institucioni i Avokatit të Popullit u njoftua se autoritetet shkollore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit, përkatësisht lidhur me pohimet e nxënësve për dhunë fizike dhe ofendim, disa mësimdhënës kanë marrë vërejtje me gojë dhe me shkrim, në pajtim me legjislacionin përkatës, ndërsa sa i përket dyshimit për ngacmime seksuale rasti ishte proceduar në organet e hetuesisë”, bën të ditur Caka.

Sidoqoftë, sipas zëdhënësit të Policisë, Daut Hoxha, rastet që kanë të bëjnë me integritetin seksual, ku përfshihen fëmijët, apo personat nën 16 vjeç, trajtohen duke u bazuar ne procedurat e parapara ligjore, me përfshirjen edhe të aktorëve tjerë kujdestarët kompetent dhe prindërit, ku edhe ndërmerren veprime të nevojshme në bashkëpunim edhe me autoritetet tjera te drejtësisë për vendime tjera dhe kompletim sa më profesional të këtyre rasteve.

“Ne marrin veprimet e nevojshme ligjore, duke përfshirë edhe arrestimin e të dyshuarve pavarësisht rolit dhe funksionit që kanë kryerësit, pra kur ka elemente se kanë kryer vepër penale ata arrestohen, dhe në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente dhe Prokurorinë, rastet procedohen në gjykatat kompetente për vendime të mëtejme”, thotë Hoxha.

*Video nga arkivi: Protestë në Prishtinë kundër abuzimit seksual ndaj të miturve

Protestë në Prishtinë kundër abuzimit seksual ndaj të miturve
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:54 0:00

Në mediat lokale në Kosovë, ishte raportuar gjatë muaji shkurt të këtij viti, për rastin e abuzimit seksual të një vajze që kishte ndodhur kur ajo kishte vetëm 16 vjeçe, fillimisht nga profesori i saj. Sipas të njëjtave raporte, pas denoncimit në polici, hetuesi policor e kishte fotografuar atë të zhveshur kinse si dëshmi – e më pas e kishte shantazhuar vajzën me të njëjtat fotografi - duke abuzuar atë seksualisht për më shumë se një vit.

Po ashtu, thuhet se në fund të vitit të kaluar vajza kishte mbetur shtatzënë dhe në janar të këtij viti, zyrtari policor e kishte detyruar të kryente abort të padëshiruar në një klinikë private në Prishtinë.

Para disa ditësh, i njëjti polic është suspenduar dhe arrestuar. Ndërkaq, Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar edhe mësimdhënësin, i cili paraprakisht ishte suspenduar nga puna.

Rasti është në trajtim e sipër nga organet kompetente.

XS
SM
MD
LG