Ndërlidhjet

Bislimi: Nuk do të ketë takim Kurti-Vuçiq


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislmi. Fotografi nga arkivi.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi konfirmoi se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

"Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi të mërkurën në Bruksel, pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë takimit trepalësh, temë e vetme ka qenë çështja e të pagjeturve. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se për këtë çështje, palët kanë shprehur gatishmërinë për të pasur qasje në arkivat shtetërore.

"Në një moment zoti (Petar) Petkoviq është pajtuar që ne të kemi qasje të plotë në të gjitha arkivat, përfshirë edhe arkivat ushtarake në Beograd si dhe të ketë qasje në arkivat e UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës). Nuk ka arkiva të UÇK-së, por ka arkiva shtetërore për UÇK-në në Kosovë dhe ne jemi dhe kemi qenë të hapur për të ndarë këto informacione", tha Bislimi.

Ai po ashtu tregoi se janë pajtuar që grupet punuese për çështjen e të pagjeturve të takohen rregullisht dhe trupat e pajetë të gjetur në varrezën e dyshuar masive në Kizhevak të Serbisë, t'iu dorëzohen familjeve. Ai tha se mbetjet mortore të shtatë personave janë identifikuar nga autoritetet në Beograd dhe mbetjet e dy personave të idenfikuar gjenden në morgun e Prishtinës.

"Është e rëndësishme që të këmbejmë mbetjet mortore në mënyrë që familjarët e viktimave t’i marrin ato. Por, duhet të shohim se si do ta aranzhojmë këtë pasi pala jonë e ka konfirmuar se nuk do ta pranojë (Velko) Odalloviqin si kryetar i delegacionit", tha Bislimi.

Bislimi tha se dëshira e palës serbe ka qenë që dorëzimi i mbetjeve mortore të bëhet përmes një ceremonie.

"Për familjarët është e rëndësishme që të pranojnë mbetjet dhe jo të ketë një ceremoni. Mbeti që pala serbe të konsultohet në Beograd dhe të na njoftojë se a pajtohen me propozimin tonë që të mos ketë ceremoni", tha ai.

Ndërkaq, shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq tha se përfaqësuesi i Kosovës ka "ikur nga tema sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, drejtësisë, energjetikës dhe lëvizjes së lirë dhe se këtë e ka vërejtur edhe pala evropiane".

Takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel negociatorësh do të ketë në fund të tetorit, për të parë nëse palët do të arrijnë ndonjë përparim, që sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, do të justifikonte mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.

Pas përfundimit të takimit trepalësh, i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se pozicionet e palëve në një sërë çështjesh vazhdojnë të jenë të largëta.

"Sapo kemi përfunduar diskutimet dyditore me shefat e ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë. Pozicionet në një sërë çështjesh vazhdojnë të jenë të largëta. Na pret punë e madhe në të ardhmen", shkroi ai në Twitter.

Takimi i 8 shtatorit u mbajt pavarësisht se palët një ditë më herët thanë se nuk kanë arritur pajtim as për rendin e ditës së takimit trepalësh.

Më 7 shtator, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi ka diskutuar me BE-në për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, pasi Prishtina zyrtare ia ndaloi hyrjen shefit të delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Petkoviqit i është ndaluar hyrja për shkak të “deklaratave provokuese” që ka bërë ai gjatë tri vizitave të fundit.

Megjithatë, nga MPJD-ja nuk kanë sqaruar se për cilat deklarata bëhet fjalë.

Kosova, sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, nuk dëshiron që të diskutohet sërish për marrëveshjet e arritura më herët në kuadër të dialogut, por do vetëm të diskutohet për zbatimin e tyre.

Për disa marrëveshje të arritura më herët, siç është ajo për targat e veturave, të cilës së shpejti i skadon afati kalimtar, siç ka paralajmëruar Besnik Bislimi, Kosova do të përdorë parimin e reciprocitetit.

Pronarët e veturave me targa të Republikës së Kosovës, për të hyrë në Serbi ishin të obliguar që të pajiseshin me targa "probe" të Serbisë në pikat kufitare, kurse ato të Kosovës t'i hiqnin. Në anën tjetër, veturat e Serbisë kanë lëvizur lirshëm në Kosovë.

Bislmi ka konfirmuar se në takimin e së mërkurës në Bruksel nuk mori pjesë Velko Odalloviq, pasi një ditë më parë, pala kosovare kishte thënë se nuk do të marrë pjesë në një takim ku ai do të ishte i pranishëm.

Edhe më herët, Qeveria e Kosovës ka thënë se Odalloviq ka qenë personi kryesor i regjimit të Slobodan Millosheviqit në Kosovë dhe ai duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur dhe jo të jetë pjesë e një komisioni për të zhdukurit.

Odalloviq aktualisht është në krye të Komisionit të personave të pagjetur në Serbi.

Takimi i fundit në nivelin e lartë politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksadar Vuçiq, është zhvilluar më 19 korrik, por ai nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011. Ky proces thuhet se ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG