Ndërlidhjet

Zjarr vdekjeprurës në spitalin për COVID-19 në Tetovë


Pamje nga spitali i djegur në Tetovë
Pamje nga spitali i djegur në Tetovë

Së paku dhjetë persona kanë humbur jetën në Tetovë, si pasojë e zjarrit që ka përshirë spitalin modular për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus, të mërkurën rreth orës 21:00.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nuk e ka përjashtuar mundësinë që numri i të vdekurve të jetë më i lartë, por nuk ka dhënë detaje tjera, as për të plagosurit, e as për numrin e personave që gjendeshin në spital në kohën e shpërthimit të zjarrit.

Zjarri besohet të jetë përhapur nga shpërthimi i bombolave të gazit apo oksigjenit.

Ekipet e zjarrfikësve është raportuar se kanë shkuar në vendin e ngjarjes pesë minuta pas shpërthimeve të fuqishme.

“Një aksident i rëndë ka ndodhur në Tetovë që ka marrë disa jetë njerëzish. Dhjetë persona janë konfirmuar të vdekur deri më tani, por numri mund të rritet. Kjo është një ditë shumë e trishtuar. Unë shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet. Mjekët po luftojnë për jetën e të plagosurve, për t’i uruar fat dhe për të qëndruar sonte me mendimet e bashkëqytetarëve tanë. U bëj apel mediave dhe qytetarëve që të mos spekulojnë me numrat. Ne do t'i ndajmë të gjitha informacionet e konfirmuara me kohë”, ka shkruar Filipçe në Twitter.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, pas mbledhjes së shtabit të krizës, tha se pret që institucionet të zbardhin rastin, që ka tronditur rajonin e Tetovës, i cili në javët e fundit është përballur me numër të madh të viktimave dhe të infektuarve me koronavirus.

Nuk dihet as numri i personave të shtruar në këtë spital, për të cilin edhe më herët ishte raportuar se ka pasur lëshime gjatë procesit të ndërtimit.

“Institucionet duhet të bëjnë punën e tyre andaj edhe ne nuk mund të flasim për shkaktarët, të paktën për momentin. Është një fatkeqësi, një dhimbje shumë e madhe. Me informacione do të dalim pasi që prokurori shtetëror ta ketë bërë punën e tij dhe pasi të kemi informacionet zyrtare, qoftë për shkaqet, qoftë për viktimat”, ka deklaruar Arifi.

Pamje afër spitalit të Tetovës
Pamje afër spitalit të Tetovës

E pyetur nëse ka lidhshmëri shpërthimi me një incident të para dy javëve, kur ishin dëmtuar instalimet e oksigjenit në këtë spital modular, Arifi tha se hetimet do të tregojnë shkaqet e incidentit.

Në Tetovë, të mërkurën deri në mesnatë qëndruan edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe shumë anëtarë tjerë të Qeverisë, të cilët morën pjesë në një mbledhje të shtabit të krizës në Tetovë, por asnjë prej tyre nuk u prononcua për incidentin.

Pamje tjera të spitalit.
Pamje tjera të spitalit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngushëlluar familjet, presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryetaren e Tetovës, Teuta Arifi për viktimat nga zjarri në Tetovë.

“E prekur thellësisht nga aksidenti tragjik në Spitalin Covid të Tetovës, ju përcjell ngushëllimet e mia familjeve që humbën më të dashurit, presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski si dhe kryetares së Tetovës, Teuta Arifi”, është cituar të ketë thënë Osmani sipas Presidencës.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka shprehur ngushëllime përmes telefonit kryetares Arifi si dhe ka treguar gatishmëri për ndihmë.

XS
SM
MD
LG