Ndërlidhjet

Disa të lënduar teksa protestuesit antiqeveritarë përplasen me policinë në Shqipëri

Policia përdor topa uji kundër demonstruesve antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.
Policia përdor topa uji kundër demonstruesve antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.

Disa protestues dhe oficerë policie janë lënduar gjatë një proteste të dhunshme antiqeveritare paraditen e së enjtes pranë ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë në kryeqytetin shqiptar.

Policia vendosi një perimetër të zgjeruar sigurie rreth Kuvendit, pasi prej ditësh protestuesit kishin paralajmëruar për mbajtjen e tubimit për të enjten.

Pjesa më e madhe e deputetëve hynë në Kuvend nga hyrja anësore, ku u përballën me thirrjet e protestuesve “Nuk na përfaqësoni”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria”, “Shqipëria kërkon revolucion”.

Demonstruesit mbajnë një pengesë ndërsa përleshen me policinë gjatë një demonstrate kundër qeverisë, në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.
Demonstruesit mbajnë një pengesë ndërsa përleshen me policinë gjatë një demonstrate kundër qeverisë, në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.

Protestat në Shqipëri, të quajtura “Revolucioni i Flamingove”, janë në ditën e 54-të.

Ato nisën fillimisht si kundërshtim ndaj projektit të mbështetur nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës.

Por, më pas kërkesat u zgjeruan, duke përfshirë edhe pakënaqësi të tjera që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, zhvillimit urban, menaxhimin e territorit dhe çështje të tjera sociale dhe politike.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë Rama dhe shpërndarjen e Kuvendit.

Gjendja para Kuvendit të enjten u tensionua kur protestuesit nisën të hedhin vezë dhe domate.

Disa protestues arritën ta heqin një pjesë të gardhit metalik dhe u përplasën me oficerët e policisë. Policia përdori ujë me presion dhe sprej me piper për t’i shpërndarë protestuesit.

Policia përdor një top uji gjatë një demonstrate antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.
Policia përdor një top uji gjatë një demonstrate antiqeveritare në Tiranë, Shqipëri, 23 korrik 2026.

Gjithashtu disa protestues tentuan të bllokojnë edhe qarkullimin e automjeteve në rrugën pranë Kuvendit duke ju bërë thirrje drejtuesve të mjeteve t’i bashkohen protestës. Policia ndërhyri për të shmangur bllokimin e rrugës.

Gjatë përplasjeve mbetën të lënduar edhe protestës, edhe punonjës të policisë. Autoritetet ende nuk e kanë treguar numrin e të lënduarve.

Debati brenda Kuvendit

Derisa protesta po zhvillohej pranë Kuvendit, brenda tij po mbahej seanca e radhës që ka 34 çështje në rendin e ditës.

Opozita e akuzoi policinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.

“Ministri [i Brendshëm] duhet të japë shpjegime për substancat që po përdoren kundër tyre, të pazakonta, që po ju shkaktojnë djegie trupi qytetarëve”, tha deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj.

Këtyre pretendimeve iu përgjigj ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari: “Janë të certifikuara nga kompanitë prodhuese dhe përdoren nga BE dhe SHBA”.

Debati lidhet me disa imazhe të publikuara nga protestuesit, që tregojnë se uji i hedhur nga policia në drejtim të tyre mban një ngjyrë bojëqielli dhe se, sipas disa prej tyre, shkakton djegie në trup.

Qeveria dhe përfaqësues të shumicës kanë pretenduar qysh në nisje të protestave se pas tyre fshihen edhe interesa dhe ndikime të lidhura me Iranin.

Taulant Balla, kreu i grupit të deputetëve të Partisë Socialiste, në seancën e së enjtes i quajti “terroristë” disa prej protestuesve dhe përsëriti pretendimet për lidhje me Iranin.

“Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio në konferencën ndërkombëtare kundër terrorizmit një javë më parë tha se ka disa lëvizje të ekstremit që mund të kërcënojnë stabilitetin në Evropë. Persona të identifikuar prej nesh, me lidhje të qarta me Gardën Revolucionare të Iranit janë orkestruesit kryesorë të dhunës në protestë”, tha Balla.

Organizatorët e protestës i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.

Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, tha se shpërndarja e Kuvendit është i vetmi akt që duhet të marrin deputetët.

Opozita i bëri thirrje Qeverisë që të diskutohen në Kuvend të gjitha kërkesat e protestuesve dhe të krijohet një grup pune për katër ligjet, që protestuesit kërkojnë të anulohen.

Ata kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, Ligjit për Investimet Strategjike, Paketës së Maleve si dhe Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë.

Në rendin e ditës së seancës parlamentare është miratimi i rezolutave për punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjashtë institucioneve të tjera të pavarura.

Gjithashtu Kuvendi do të diskutojë edhe mbi aktin normativ që i hapi rrugë financimit të koncertit të këngëtarit amerikan, Kaney West me rreth 4 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

XS
SM
MD
LG