Thirrje për vigjilencë
Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania e Madhe u kanë bërë thirrje shtetasve të tyre në Kosovë që të tregojnë vigjilencë më 16 shtator, ditën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Ambasada amerikane u ka rekomanduar shtetasve të saj të shmangin zonat ku mund të ketë demonstrata, ndërsa personelit të saj i është kërkuar që këtë ditë të mos i dërgojë fëmijët në shkollë.
Franca u ka bërë thirrje shtetasve të saj të qëndrojnë larg tubimeve dhe të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.
Britania e Madhe, ndërkaq, ka paralajmëruar për tubime të mëdha dhe pengesa të mundshme në qarkullim.
Qindra shqiptarë mblidhen në Hagë dhe Kosovë në prag të verdiktit
Në prag të shpalljes së aktgjykimit, qindra shqiptarë janë mbledhur mbrëmjen e së martës pranë selisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, në mbështetje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Tubime janë mbajtur edhe në Kosovë, përfshirë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe në Skenderaj.
Pjesëmarrësit kanë valëvitur flamuj të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe kanë mbajtur pankarta e fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.
Shqiptimi i aktgjykimit pritet të nisë në orën 10:00.
Seanca është publike dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara, me 10 minuta vonesë.
Mirëmëngjesi, të nderuar lexues të Radios Evropa e Lirë.
Unë jam Valona Tela dhe gjatë ditës do t’ju shoqëroj me lajmet dhe zhvillimet më të fundit nga Haga, ku sot pritet të shpallet verdikti ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në këtë blog të drejtpërdrejtë do t’ju sjellim momentet kryesore nga shpallja e vendimit, reagimet në Hagë dhe në Kosovë, si dhe shpjegimet për atë që nënkupton verdikti.
Qëndroni me ne!